Pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, deputetja e LDK-së Jehona Lushaku Sadriu tha se përkundër besimit të dhënë nga qytetarët, prapë nuk po mund të konstituojnë Kuvendin.

Ajo tha se kjo është një papërgjegjësi totale nga subjekti politik i Lëvizjes Vetëvendosjes.


"Fatkeqësisht, qytetarëve të Kosovës dhe besimin që na e kanë dhënë si deputetë edhe si subjekte politike na e kanë dhënë që t'i konstituojmë institucionet dhe që të jenë funksionale, në funksion të shtetit të Kosovës. Por, po e shohim një papërgjegjësi totale nga subjekti i parë, i cili nuk po gjen mënyrën që të kryejë obligimin e vet kushtetues për ta prezantuar emrin e kryetarit të Kuvendit dhe për të bërë votimi dhe për t'u konstituar Kuvendi", tha ajo.

Deputetja e cilësoi këtë si një fatkeqësi dhe mungesë përgjegjësie nga partia në pushtet.

“Dhe kjo është vërtet fatkeqësi, është mungesë e madhe, por është papërgjegjësia e tyre. I bëj të gjithë qytetarëve thirrje që ta shohin këtë pamje të një Kuvendi i cili mblidhet dhe nuk arrin që të konstituohet, e përgjegjësia i takon subjektit më të madh", tha tutje Lushaku Sadriu, raporton kp.

Sipas saj, kjo është një ngjarje e keqe derisa në anën tjetër i bëri thirrje subjektit të VV-së të bëhet "serioz".