LAJMI I FUNDIT:

Pritet rritja e pagës minimale

Pritet rritja e pagës minimale

Përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale bëjnë të ditur që së shpejti do të shënojë rritje paga minimale në Kosovë.

Paga minimale – e caktuar me vendim të Qeverisë së Kosovës në vitin 2011 – është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.


Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, thotë se nuk do të ketë kategorizime të moshës te paga minimale, pasi “kjo është diskriminuese”.

“Paga minimale do të rritet”, thotë ajo.

Sipas Ligjit të punës, neni 57, paga minimale duhet të përcaktohet duke marrë parasysh koston e shpenzimeve jetësore, përqindjen e shkallës së papunësisë, si dhe gjendjen e përgjithshme në tregun e punës dhe përcaktohet për periudhën njëvjeçare.

Hajzeraj tregon se ende nuk ka një vendim se sa do të jetë paga minimale dhe se vlerën e kësaj page janë duke e diskutuar në Këshillin ekonomik social.

“Problemin kryesor e kemi me bizneset private, pasi që ata gjithmonë e kundërshtojnë rritjen e pagës minimale, duke konsideruar se dëmtohen. Sa i përket institucioneve të Kosovës, ato janë të gatshme t’i zbatojnë të gjitha vendimet e këshillit”, shton Hajzeraj.

Në anën tjetër, nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Alush Sejdiu, thotë se kanë propozuar që paga minimale të jetë 220 euro.

Çmimet e konsumit në Kosovë, viteve të fundit kanë shënuar rritje të vazhdueshme, derisa paga minimale që nga viti 2011 ka mbetur e njëjta. Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë konsiderojnë se paga minimale e propozuar nga përfaqësuesit e punëtorëve është e ulët për të plotësuar nevojat elementare të një personi. /REL/