Prishtina përkujton vizitën historike të Bob Dole: Mirënjohje përjetë

Komuna e Prishtinës ka përkujtuar vizitën historike të senatorit amerikan Bob Dole në Prishtinë, e cila u zhvillua më 29 gusht 1990, në një nga periudhat më të vështira për shqiptarët e Kosovës.
Me rastin e përvjetorit të kësaj vizite, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, së bashku me delegacionin e Komunës së Prishtinës, ka bërë homazhe pranë shtatores së Bob Dole, duke vlerësuar kontributin e senatorit amerikan në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
Sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, më 29 gusht 1990, Bob Dole vizitoi Prishtinën në krye të një delegacioni të senatorëve amerikanë. Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni u përball nga afër me situatën e rëndë politike dhe me represionin e ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës nga regjimi serb.
Vizita u zhvillua në një kohë kur mijëra qytetarë kishin dalë në rrugët e Prishtinës për të kërkuar liri dhe të drejta politike.
Komuna e Prishtinës e ka cilësuar Bob Dole një mik të madh të Kosovës, duke theksuar rolin e tij në përcjelljen e zërit dhe të së vërtetës për gjendjen në Kosovë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Mirënjohje përjetë”, thuhet në mesazhin e Komunës së Prishtinës, në përkujtim të senatorit amerikan dhe kontributit të tij për Kosovën.




































