Presidenti Sejdiu - lideri më i përkrahur në Kosovë

Përderisa përkrahja ndaj liderëve dhe personaliteteve të tjerë ka mbetur relativisht stabile, ngritje në përkrahje kanë shënuar Albin Kurti, Veton Surroi dhe Peter Feith, theksohet në hulumtimin e Index Kosovës.
Sa i përket preferencave të votuese për Kuvend të Kosovës, sipas këtij hulumtimi - koalicioni qeveritar PDK-LDK vazhdon ta mbajë të fortë poziconin e këtyre dy partive në sytë e elektoratit kosovar. Aktualisht për PDK-në do të votonin 43% ndërsa për LDK-në 27% e votuesve.
Në anën tjetër, ngritje të lehtë në mesin e opozitës ka shënuar AAK nga 16% në 18%, përderisa AKR ka rënë në 3%. LDD ka shënuar një ngritje të lehtë në 5% dhe ORA në 2%.
Ndërkaq, sa i përket besimit në institucione - TMK-ja dhe SHPK-ja vazhdojnë të jenë institucionet më të besuara në Kosovë. Kryetarët e komunave gjithashtu gëzojnë shkallë të lartë të besimit duke vazhduar trendin e ngritjes së këtij besimi.
Përderisa Kuvendi i Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe gjykatat nuk kanë shënuar ndryshime, lëvizja Vetëvendosje ka shënuar ngritje të besimit nga 49% në 64%. Në anën tjetër, besimi në Policinë e UNMIK-ut ka vazhduar të bie.
Prioritetet më të rëndësishme për Qeverinë e Kosovës, sipas qytetarëve të anketuar më shumë është orientuar kah sundimi i ligjit (50%) dhe sistemi shëndetësor (46%). Ndërkaq, sektori i energjisë, së bashku me sistemin arsimor dhe shëndetin publik vazhdojnë të konsiderohen si prioritete për Qeverinë e Kosovës, nga një e treta e qytetarëve të Kosovës.
Qytetarët e Kosovës – sipas këtij hulumtimi - preferojnë që Kosova të ketë marrëdhënie shumë të afërta dhe miqësore, në rend të parë me Shqipërinë. Në rend të dytë futen Maqedonia, Turqia, Mali i Zi dhe Sllovenia. Në grupin e tretë të vendeve radhiten Kroacia dhe Bosnja. Ndërsa, kosovarët preferojnë të kenë marrëdhënie pak më të distancuara me Bullgarinë dhe Greqinë dhe shumë të distancuara me Serbinë.
Hulumtimi është kryer në periudhën 14-20 nëntor 2008, me 1,012 respondentë shqiptarë dhe minoritete (pa serbë). /Telegrafi/

















































