LAJMI I FUNDIT:

Presidentes Osmani i kërkohet që të ketë prioritet çështjen e grave të dhunuara gjatë luftës

Presidentes Osmani i kërkohet që të ketë prioritet çështjen e grave të dhunuara gjatë luftës

Në javën e parë të punës në krye të shtetit, presidentes Vjosa Osmani, po i kërkohet që të ketë prioritet të punës së saj çështjen e grave të dhunuara gjatë luftës, të pagjeturit dhe fuqizimin e grave në Kosovë.

Kosova që për të dytën herë ka për presidente një grua, po vlerësohet se do të ndikojë në fuqizimin e grave e vajzave të vendit, por një angazhim shtesë organizata të shoqërisë civile në këtë drejtim po e kërkojnë nga presidentja Vjosa Osmani.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli thotë se zgjedhja e Osmanit në krye të shtetit do të fuqizojë vajzat dhe gratë e vendit dhe do të jetë një shembull se politika nuk është vetëm arenë e burrave.

Ajo thotë se presidentja e re e vendit duhet të ketë prioritet çështjen e grave të dhunuara gjatë luftës, të pagjeturit dhe të avokojë për përfshirje më të madhe të grave në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Ne si Qendër do të donim që çështjen e dhunimit të grave gjatë luftës të jetë në prioritetet dhe në agjendën e saj, po ashtu çështja e dialogut Kosovë-Serbi të përfshijë edhe gratë, si dhe çështja e të pagjeturve të jetë në tavolinën e saj në çdo diskutim që e ka. Po ashtu, të krijojë komisione ose nën kompetencën e saj këshilla që punon në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, sepse kemi diskriminim në Kosovë, kemi diskriminim në punësim për gratë, kemi edhe diskriminim në nivele të tjera”, thotë ajo.

Që presidentja Osmani të ketë prioritet gratë e dhunuara gjatë luftës, të pagjeturit e fuqizimin e grave në Kosovë, e thotë edhe drejtoresha e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova.

Ajo për KosovaPress, thotë se Osmani duhet të angazhohet edhe për të përkrahur vajzat në arsimim.

“Duke pasur parasysh që brenda 10 viteve i kemi pasur dy gra presidente dhe duke pasur parasysh përvojën e presidentes Atifete Jahjaga se si ajo ka luftuar prej ditës së parë për fuqizimin e grave, po sidomos atyre grave që kanë qenë të mbijetuara të dhunës seksuale. Unë mendoj që edhe presidentja Osmani mundet shumë të bëjë sikurse ka thënë në fjalim, me tregu përkrahje konkrete edhe për vajzat edhe për gratë në Kosovë. Ajo veç në takimin e parë në vend të inaugurimit ajo bëri takim me Majlindën, kjo flet që është e interesuar që t’i përkrahë vajzat që të merren me sport. Pastaj kishim edhe për grupin e arsimit, do të thotë arsimi është një ndër çështjet më kryesore që duhet të përkrahen vajzat në Kosovë”, thotë ajo.

Duke qenë se vitin e fundit është rritur numri i rasteve të dhunës në familje edhe si shkak i pandemisë COVID-19, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, thotë se roli i presidentes së re në ulje të këtyre rasteve shprehet në atë që ajo ta mbajë nën presion qeverinë që Konventa e Stambollit të përfshihet në të gjithë legjislacionin që ekziston kundër dhunës.

“Presidentja Osmani e ka shty çështjen e Konventës së Stambollit, ne kërkojmë që ajo ta mbajë Qeverinë nën presion që Konventa e Stambollit të përfshihet në gjithë legjislacionin i cili ekziston kundër dhunës në Kosovë, në strategji dhe në Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje. Po ashtu, ne kërkojmë që ta mbajë nën presion shtetin e Kosovës, qeverinë e Kosovës që të buxhetohet në mënyrën më të mirë çështjen e implementimit të Konventës së Stambollit, sepse ajo më pas do e rregullonte çështjen e dhunës ndaj grave”, thotë Demolli.

Një premtim se do të përkrahë vajzat në Kosovë e ka dhënë vet presidentja e vendit Vjosa Osmani, në fjalimin e saj të parë pasi që ka dhënë betimin si e para e shtetit.

“Vajzat e kanë vendin vetëm aty ku ato vet dëshirojnë, aty ku ato çdo natë ëndërrojnë, aty për çka ato punojnë fort e me zell. Pa marr parasysh nëse ëndërroni të bëheni presidente, juriste, mjeke, ndërmarrëse, inxhiniere, police, ushtare apo çfarëdo profesioni tjetër që ua do zemra, e për të cilin punoni, mos u ndalni, mos e ndalni hapin tuaj kurrë. Çdo gjë është e mundur e çdo ëndërr e juaja mund të bëhet realitet dhe për këtë duhet të besojmë bashkë fort. E gjersa ju udhëtoni nëpër etapat e ndryshme të jetës suaj drejt majave, unë do t’iu shoh me admirim, do t’iu mbështes me gjithë mundësitë që kam e tërë qenien time, do brohoras çdo arritje tuajën, do t’iu përkrahë e do jem pranë jush kur të sfidoheni e do të krenohem aq fortë sa herë që ju do të triumfoni”, është shprehur ajo.

Vjosa Osmani është zgjedhur presidente e vendit të dielën, ndërsa është gruaja e dytë që pas pavarësisë që do të udhëheqë me vendit. Ajo njëherësh në zgjedhjet e 14 shkurtit është personi më i votuar në Kosovë, ku ka marrë më shumë se 300 mijë vota. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Limaj: Nuk duhet të shkojmë në zgjedhje kur dëshiron Kurti

Limaj: Nuk duhet të shkojmë në zgjedhje kur dëshiron Kurti

Siguri
Kalo në kategori