Prapavija e ofertës serbe

Edhe ideja e fundit që erdhi nga qendrat politike serbe për një "marrëveshje historike" serbo-shqiptare që do të pasonte një shkëmbim territori, ku Serbia do merrte veriun e Republikës së Kosovës deri sa si "kompensim" ajo do t’i jepte Kosovës vetëm një pjesë të Luginës së Preshevës , Komunën e Preshevës, është në koordinim mes tri qendrave politike anti-shqiptare në rajon , boshtit Beograd-Athinë me Shkupin në mes si një marionetë politike serbe.
Ashtu sikurse në Kosovën Veriore edhe në Kosovën Lindore, Beogradi politik nuk kënaqet vetëm me pushtimin ushtarako-policor të vendit, por ai shkon deri në shkallën e “rikonfigurimit administrativo – juridik” të hapësirës shqiptare në këto territore.
Tendencat serbe për kolonizimin dhe më vone të uzurpimit të tokave shqiptare si justifikim për mbrojtjen e pakicave serbe s’do mend se kanë vetëm një qëllim- ekzekutimin praktik të planeve për ndryshimin e vijave të brendshme organizative të pushtetit lokal apo më mirë të ndarjes së brendshme të autoritetit të pushtetit lokal.
Presheva është qytet kryekëput shqiptar, Presheva shtrihet jo vetëm nga qyteti e rreth malësisë së Karadakut, por edhe përtej autostradës e deri te malet apo harku i Rujenit. Por zërat për një ndryshim dhe mundësia për krijimin e një komune të re të Stacionit të Trenit jashtë pushtetit të Komunës së Preshevës dhe krijimit të disa zonave të reja administrative përtej hekurudhës dhe autostradës, duke ndarë në dysh lidhjen e fshatrave shqiptare me Preshevën dhe malësinë e Karadakut, shpjegon qartë planin e ri "urbanistik" serb për ndarjen e re të Kosovës Lindore. Edhe më keq kur i shtohet kësaj edhe baza e re ushtarako-policore Cepotin në mes Preshevës dhe Bujanocit s’do mend të kuptohen qëllimet serbe.
Ata në një apo tjetër mënyrë po e përgatisin planin e fundit të tyre për shkëmbimin e Preshevës me Veriun e Kosovës dhe në këtë akt, qëllimi i tyre është të mundohen sa më tepër që të vendosin kufijtë e ri të Komunës së Preshevës, duke e shtyrë dhe rrudhur në maksimum këtë komunë dhe për të lënë jashtë saj terrenet me strategjike që do të bëjnë pjesë në projektin final të hapjes së Kanalit ujor Morava-Vardar një projekt me vlera miliarda dollarëshe.
Projekti që Serbia ka filluar me të madhe ta propagandoj, nëpërmjet konferencave e deri te propaganda mediale, nëpërmjet uebfaqeve danube-propeller.com si variant pan evropian dhe nëpërmjet uebfaqes sava-solunsrbkanal.com, anashkalon krejtësisht autenticitetin shqiptar të Kosovës Lindore. Siç edhe mund të shihet nga plani dhe harta e paraqitur në këtë projekt apo variant serb të projektit, qëllimi është që kjo rrugë të mos kalojë nëpër vendet "jo miqësore" për Serbinë dhe Greqinë. Ata e shohin këtë plan si një rrugë që do të kalojë në Serbi-Maqedoni dhe Greqi, me çka në një mënyrë apo tjetër krijohen dhe forcohen aleancat e reja. Apo boshti pan sllavo-grek Beograd-Athinë me Shkupin zyrtar Maqedoni. Ndarja me vija ushtarake me anën e bazës Cepotin që ndan Bujanocin dhe Preshevën dhe tendencat për vizatimin e vijave të reja administrative të Komunës së Preshevës shkojnë dhe janë në favorin e aleancës së pa shpallur serbo-greke për dominimin e rrugës ujore, tokësore dhe hekurudhore, duke krijuar kështu kapitalin e transportit në Gadishullin Ballkanik, që as për së afërmi nuk shkon në dobi të palës shqiptare dhe aleateve të tyre.
Serbia dhe shumë autorë të saj e shumë organizata nga po ky vend, tash e disa vite merren me propagandimin dhe projektimet e shumë varianteve të kësaj rruge, me të vetmin qëllim të përfitimit të mbështetjes ndërkombëtare dhe financiare duke defaktorizuar një realitet që është në terren, atë të Kosovës Lindore apo të tokave shqiptare në Komunën e Preshevës dhe Bujanocit.
Shqiptarët duhet të reagojnë ndaj kurthit të ri serb, deri në sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar për këto tendenca të rrezikshme për destabilizimin e krejt rajonit nga planet e reja imperialiste serbe ndaj tokave shqiptare.
Nëse do të vjen deri te ndryshimi i kufijve aktualë, populli shqiptarë duhet të kërkojë referendumin për bashkimin e tyre në një shtet-komb të vetëm shqiptar si elementi kyç i stabilizimit të rajonit Ballkanik.




































