“Portugalia më e mirë nëse ai nuk luan”, ish-ylli amerikan me deklaratë të fortë ndaj Ronaldos

Cristiano Ronaldo po përgatitet për atë që pothuajse me siguri do të jetë “vallëzimi” i tij i fundit në skenën e Kupës së Botës, por roli i tij te kombëtarja e Portugalisë po vihet sërish nën një vëzhgim të ashpër.
Teksa sulmuesi i Al-Nassr synon të fitojë të vetmin trofe madhor që i mungon në një karrierë të jashtëzakonshme, ish-ylli i kombëtares së SHBA-së, Taylor Twellman, ka sugjeruar se prania e tij në fushë në fakt mund ta pengojë një skuadër të mbushur me talente të nivelit botëror.
Me Botërorin 2026 që po afron, debati rreth rëndësisë së Ronaldos për ekipin e Roberto Martinez ka arritur pikën e vlimit.
Pavarësisht se është golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit të kombëtareve, ish-sulmuesi i SHBA-së dhe analisti aktual, Twellman, beson se Portugalia mund të jetë më mirë nëse kapiteni lihet në stol.
“Kjo është skuadra më e mirë që Ronaldo ka pasur ndonjëherë rreth vetes te Portugalia në prag të Kupës së Botës. Unë mendoj se Portugalia është në maksimumin e saj nëse ai nuk luan”, u shpreh Twellman.

Argumenti për një formacion pa Ronaldon lidhet me thellësinë e jashtëzakonshme që Portugalia ka aktualisht në dispozicion. Ndryshe nga turnetë e mëparshëm, ku barra e golave binte pothuajse tërësisht mbi CR7, Martinez ka një mori opsionesh, përfshirë Bruno Fernandes, Bernardo Silva dhe Rafael Leao.
Ekipi ka gjithashtu edhe më shumë fuqi sulmuese me lojtarë si Gonçalo Ramos dhe Pedro Neto, duke lënë të kuptohet se reparti ofensiv mund të funksionojë në mënyrë efektive edhe pa 41-vjeçarin.
Për Ronaldon, ky turne përfaqëson një rekord: paraqitjen e gjashtë në një Kupë Bote, si dhe mundësinë e fundit për ta fituar nderimin e vetëm të madh që i ka munguar deri tani, në moshën 41-vjeçare./Telegrafi/









































