Policia shpëton dy turiste holandeze të bllokuara në Shpellën e Pëllumbasit – pamje


Dy turiste nga Holanda janë shpëtuar nga shërbimet e Policisë së Shtetit, pasi mbetën të bllokuara në zonën e Shpellës së Pëllumbasit, në fshatin Pëllumbas, Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrja u bë pas marrjes së sinjalizimit se njëra prej turisteve kishte dëmtuar këmbën si pasojë e një rrëzimi, duke e bërë të pamundur lëvizjen në terrenin e vështirë.
“Pas marrjes së njoftimit se dy turistet kishin mbetur të bllokuara në zonën e ‘Shpellës së Pëllumbasit’, pasi njëra prej tyre kishte dëmtuar këmbën si pasojë e një rrëzimi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Policinë Alpine të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, organizuan operacionin e kërkim-shpëtimit.
Pas lokalizimit në një terren të vështirë, shërbimet e Policisë bënë të mundur nxjerrjen e dy turisteve nga Holanda, të cilat hasën vështirësi gjatë eksplorimit të natyrës në vendin e quajtur ‘Shpella e Pëllumbasit’, në fshatin Pëllumbas”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje bëhet e ditur se punonjësit e Policisë i dhanë ndihmën e parë turistes së dëmtuar dhe, në bashkëpunim me shërbimin e ambulancës, e transportuan në Spitalin e Traumës për trajtim mjekësor, ndërsa turistja tjetër u shoqërua në një zonë të sigurt. /Telegrafi/


































