Policia në Ferizaj shqipton 1,429 gjoba brenda një jave, regjistrohen 23 aksidente – një me fatalitet

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se gjatë javës së kaluar ka intensifikuar aktivitetet për parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, duke rezultuar me një numër të madh gjobash dhe masa ndaj shkelësve.
Sipas policisë, në periudhën 18–24 maj 2026 janë shqiptuar gjithsej 1,429 gjoba kundërvajtëse, ndërsa janë pezulluar edhe 18 patentë-shoferë ndaj drejtuesve të mjeteve që kanë kryer shkelje të rënda në trafik.
Në të njëjtën periudhë, policia bën të ditur se janë regjistruar 23 aksidente trafiku, prej të cilave:
- 1 aksident fatal, ku ka humbur jetën një person,
- 7 aksidente me lëndime, ku janë lënduar gjithsej 8 persona,
- dhe 15 aksidente me dëme materiale.
Policia Rajonale e Ferizajt ka paralajmëruar se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara në terren dhe ka apeluar te të gjithë shoferët që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të jenë të kujdesshëm gjatë drejtimit të automjeteve.
Po ashtu, policia ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë duke raportuar kundërvajtjet në trafik përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit digjital “Lajmëro policinë”, si dhe në numrin emergjent 192. /Telegrafi/










































