Kurti viziton projektet madhore në Shtime, Aliu: Mbi 50% e punimeve në Entin Special, përfundohen punimet e vrazhda në QKMF-në e re

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite në Shtime, së bashku me kryetarin e komunës, dr. Qemajl Aliu, kanë vizituar nga afër ecurinë e disa projekteve madhore që po realizohen në këtë komunë.
Sipas njoftimit të Komunës së Shtimes, Kurti dhe Aliu kanë parë punimet në Entin Special, dislokimi i të cilit, siç thuhet, ka qenë një nga premtimet kryesore institucionale, ndërsa aktualisht mbi 50 për qind e punimeve janë përfunduar.
Po ashtu, ata kanë vizituar edhe projektin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) së re, ku, sipas komunës, punimet e vrazhda tashmë kanë përfunduar.
“Në Shtime në këto vite është bërë punë e madhe dhe përparim i të gjitha shërbimeve. Kjo falë përkushtimit tonë dhe mbështetjes kolosale nga Qeveria e Kosovës me Kryeministër Albin Kurtin”, ka deklaruar kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu.
Ai ka theksuar se bashkë me kryeministrin kanë vizituar nga afër disa prej projekteve kryesore në komunë.
“Me Kryeministrin i pamë nga afër disa nga projektet madhore, Entin Special, dislokimin e të cilit e kemi pasur premtim, me mbi 50% të punimeve të kryera, ndërsa punimet e vrazhda në QKMF-në e re tashmë janë përfunduar”, ka thënë Aliu.
Kryetari Aliu ka shprehur falënderim për, siç është shprehur, mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Kurti ndaj Shtimes, duke shtuar se komunën e presin edhe projekte të tjera në të ardhmen. /Telegrafi/
















































