Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për aksidentin e rëndë të trafikut që ndodhi mbrëmë në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.

Sipas Policisë, rreth orës 20:20, një vozitës kosovar, duke drejtuar veturën me shpejtësi të madhe, ka goditur katër automjete, ndërsa më pas edhe një zyrtar policor që ishte duke rregulluar komunikacionin.


Si pasojë e aksidentit, zyrtari policor ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa pesë persona të tjerë kanë pranuar tretman mjekësor.

Për aksidentin dhe lëndimet e raportuara ka dhënë detaje edhe Policia e Kosovës, ndërsa më herët ishte raportuar se në aksident ishin përfshirë katër automjete.

I dyshuari është arrestuar dhe pas tretmanit mjekësor me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rrethanat e aksidentit. /Telegrafi/