LAJMI I FUNDIT:

Podujeva, 30 hektarë të mbjella me mjedër

Podujeva, 30 hektarë të mbjella me mjedër

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka premtuar vazhdimin e subvencionimit të fermerëve llapjanë kultivues të mjedrës, duke thënë se treva e Llapit po bëhet pikë referente për këtë kulturë.

Në takimin me fermerët kultivues aktualë dhe potencialë të mjedrës, të organizuar sot nga USAID-i dhe Kompania “Agroprodukt Commerce” në Peran, ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi.


Veliu tha se komuna do të vazhdojë me subvencionimet në bujqësi e veçmas në pemtarisë së imtë, siç janë mjedrat. “Jam shumë i lumtur kur shoh se, krahas fermerëve që janë duke kultivuar mjedrën, këtu është edhe një numër i madh fermerësh kultivuesish potencialë. Kjo tregon se komuna jonë po bëhet pikë referente për këtë kulturë. Ne, sivjet i kemi subvencionuar kultivuesit e mjedrës duke ndarë sistemin e ujitjes pikë-pikë. Sivjet kemi ndarë 20 mijë euro për subvencionimin e kultivuesve të mjedrës, kurse vitin e ardhshëm do të ndajmë një buxhet prej 100 mijë eurosh”, theksoi ai.

Në takimin me fermerët kultivues të mjedrës, të mbajtur në ambientet e kompanisë “Agroprodukt Commerce”, ishin të pranishëm edhe drejtori projektit të NOAS-së “Mundësi tw Reja për Bujqësi” të USAID-it, Mark Wood dhe zëvendësdrejtori Fatmir Selimi, të cilët e kanë vlerësuar interesimin e fermerëve llapjanë për kultivimin e mjedrës. Përndryshe, USAID sivjet ka dhuruar fidanë të mjedrës për 24 fermerë llapjanë.

Përfaqësues të kompanisë britanike Hargreaves Plants, në takimin e sotëm i kanë njoftuar fermerët për llojet e fidanëve të mjedrës, të cilat mund të kultivohen në trevën e Llapit. Ndërsa, pronari i kompanisë Agroproduct Commerce”, Avni Shabani, tha se është i garantuar plasmani i tërë prodhimit të mjedrës që kultivohet në Kosovë.

Aktualisht në komunën e Podujevës janë të mbjella me mjedër 30 hektarë. /Telegrafi/