LAJMI I FUNDIT:

Po, NATO ka vitalitet të ri, por fronti i saj i bashkuar mund të shembet kur duhet të merret me Rusinë

Po, NATO ka vitalitet të ri, por fronti i saj i bashkuar mund të shembet kur duhet të merret me Rusinë
Ilustrimi: Dominic McKenzie / The Observer

Nga: Jonathan Eyal /  The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Shumica e samiteve e konsiderojnë veten si “historike” dhe ata që marrin pjesë flasin pa ndonjë ndryshim për “krijimin e një konsensusi të ri”. Por, samiti i NATO-s në Madrid mund të bëjë në mënyrë të besueshme pretendime të tilla, sepse nuk ka dyshim se një aleancë ushtarake që vetëm pak vite më parë u hodh poshtë në mënyrë të famshme nga presidenti francez Emmanuel Macron, si “tru i vdekur”, ka rifituar vitalitetin dhe ka riafirmuar qëllimin e vet strategjik.

Siç tha sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, vendimi i NATO-s për të rritur trupat e saj të dislokimit të shpejtë në të paktën 300 mijë veta, për ta penguar çdo agresion të mëtejshëm rus, “përbën rishikimin më të madh të parandalimit dhe mbrojtjes sonë kolektive që nga Lufta e Ftohtë”.

Është i paprecedentë përcaktimi i të gjitha 30 vendeve anëtare të aleancës, për të rritur shpenzimet e mbrojtjes. Akoma më domethënës është ripohimi i rëndësisë së NATO-s si i vetmi institucion i aftë për të ofruar mbrojtje kolektive për kontinentin evropian. Shpesh harrohet se Suedia dhe Finlanda tashmë gëzojnë garanci të përbashkët të sigurisë së hekurt si pjesë e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian, megjithatë të dy vendet e vlerësuan si gjë të mençur të kërkonin t’i bashkoheshin aleancës në samitin e Madridit, sepse e kuptonin ndryshimin midis aspiratave të BE-së dhe aftësive të NATO-s të mbështetura nga fuqia ushtarake e ShBA-së.

Megjithatë, siç e dinë shumë mirë udhëheqësit e NATO-s, mbeten të rëndësishme sfidat e aleancës. Një pretendim i bërë në samitin e Madridit, nga njerëzit si presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është se pranimi i Finlandës dhe Suedisë NATO-n e bëri “më evropiane”. Megjithatë, kjo është një deklaratë ashiqare e qartë për të gjitha zgjerimet e NATO-s që ndodhën, që nga krijimi i aleancës në Evropë. Prandaj, secili zgjerim mund të portretizohet se e ka bërë aleancën më evropiane.

Por, ajo që nuk arriti ta bëjë çdo zgjerim dhe ajo që do të humbasë edhe hyrja e Suedisë dhe Finlandës është zvogëlimi i varësisë dërrmuese të NATO-s nga kontributi i Shteteve të Bashkuara. Aleanca transatlantike reagoi mirë ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Që nga marsi, NATO nuk ka qenë e pranishme vetëm me grupe luftarake shumëkombëshe në shtetet baltike dhe në Poloni, por edhe në Sllovaki, Hungari, Rumani dhe Bullgari. Prania e NATO-s shtrihet nga Deti Baltik në Detin e Zi. Aleanca ushtarake ka shtuar edhe numrin e ushtarëve në terren. Rreth 10 mijë nga 40 mijë ushtarët e NATO-s janë të ndarë në tetë grupe betejash. Grupet e betejës janë të pajisura me njësi të ndryshme të përshtatura për nevojat ushtarake të vendndodhjes përkatëse. Çdo grup beteje udhëhiqet nga një komb i ndryshëm, duke siguruar pjesën më të madhe të trupave.

Megjithatë, edhe pse shumë aleatë kanë sjellë asete të dobishme, kontributi i ShBA-së është më i vogël se ai i të gjithë evropianëve të mbledhur së bashku. Po të mos ishte për faktin se trupat amerikane në Evropë tani numërojnë 100 mijë vetë – shifra më e lartë që nga mesi i viteve 1990 – është e dyshimtë nëse aleanca do të mund të kishte paraqitur një front kaq të bashkuar.

Premtimet e fundit për të rritur shpenzimet e mbrojtjes kanë qenë gjithashtu mbresëlënëse. Por, të paktën për momentin, vetëm nëntë nga 30 anëtarët ia kushtojnë mbrojtjes dy për qind të PBB-së së tyre, dhe ata që nuk arrijnë këtë prag përfshijnë kombe të mëdha evropiane, si Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja. Pjesa tjetër, siç thonë ata, mbetet “punë në progres”.

NATO llogarit se anëtarët e saj kanë premtuar se do të shpenzojnë 172.6 miliardë funte në shpenzimet shtesë të mbrojtjes – në krye të buxheteve ekzistuese për mbrojtjen – me Gjermaninë që llogaritet ndoshta me gjysmën e kësaj shume. Por, pyetja është se si do të shpenzohet kjo dhe në çfarë periudhe. Mënyra më e lehtë për të përmirësuar aftësitë evropiane do të ishte përdorimi i këtyre parave të gatshme për të blerë pajisje amerikane: kjo ofron ekonomi të konsiderueshme në shkallë dhe në kohë. Megjithatë, një qasje e tillë do të shkojë kundër aspiratave evropiane për të nxitur industritë e tyre të mbrojtjes; diplomatët francezë paralajmërojnë se lufta në Ukrainë nuk duhet të përfundojë si pasurim për prodhuesit amerikanë të armëve. Shanset janë të mëdha që të vazhdojë debati i përjetshëm i NATO-s për “ndarjen e barrës”, edhe nëse ka më shumë para në dispozicion. Përtej Atlantikut, Donald Trump dhe dishepujt e tij janë gati të argumentojnë – siç bëri “Donaldi” kur ishte në Shtëpinë e Bardhë – se NATO është mashtrim për të zhvatur taksapaguesit amerikanë. Edhe nëse nuk e organizon rikthimin, ideja se ShBA-ja po shpenzon shumë më tepër sesa duhet për të mbrojtur evropianët e trashë dhe të pasur, ka të ngjarë të shfaqet dukshëm kur të zgjidhet Kongres i ri këtë nëntor.

Rreziku i madh agresionit rus ia ka lejuar administratës Biden të marrë paratë e nevojshme nga Kongresi. Megjithatë, në Uashington merret si e mirëqenë se nuk ka gjasa të përsëritet paketa prej 40 miliardë dollarëve, e miratuar së fundmi nga Kongresi për ndihmën e sigurisë së Ukrainës. Dhe, një debat i ardhshëm për ndarjen e barrës së NATO-s do të bëhet më i ashpër kur kjo bashkohet me një diskutim paralel në lidhje me pagesën për rindërtimin ekonomik të Ukrainës, pas luftës – një projekt i vlerësuar në 500 miliardë dollarë.

NATO gjithashtu ia ka vendosur vetes një objektiv të madh, duke u zotuar të rrisë numrin e forcave të gatishmërisë së lartë në më shumë se 300 mijë. Por, kjo ende nuk i përgjigjet pyetjes themelore nëse – për të penguar agresionin e mëtejshëm rus – aleanca duhet të pozicionojë përgjithmonë forca të rëndësishme në vendet afër Rusisë. Mos bërja e kësaj mund t’i ekspozojë anëtarët ekzistues të NATO-s ndaj rrezikut të një pushtimi rus për të paktën një periudhë derisa të arrijë ndihma për t’i çliruar, një rrezik që, duke pasur parasysh tmerret e Buça, asnjë vend në aleancë nuk është gati ta mendojë. Por, mbajtja e trupave shumëkombëshe të dislokuara përgjithmonë në Evropën Qendrore dhe Lindore, do të jetë jashtëzakonisht e shtrenjtë, përtej planeve aktuale të rritjes së shpenzimeve.

Në fakt, gjithçka që ka bërë NATO në Madrid është të lëshojë një premtim për këtë çështje, me shpresën se natyra e premtimit dhe kushtet e shpengimit të tij mund të diskutohen më vonë. Megjithatë, paradoksi më i madh për aleancën është se ngjitësi që e mban atë kaq fort të bashkuar – vendosmëria për t’iu kundërvënë synimeve perandorake të Rusisë – mbetet cenueshmëria e saj më e madhe. Pavarësisht të gjitha duartrokitjeve në Madrid, nuk ka konsensus se si të veprohet me Rusinë. Të gjithë janë dakord se nuk duhet lejuar që të ketë sukses në agresionin e saj aktual. Por, a do të thotë kjo se ajo duhet të mposhtet fizikisht në fushën e betejës në Ukrainë, siç po argumentojnë Britania dhe shumica e evropianëve qendrorë dhe lindorë, apo do të mjaftonte nëse lufta përfundon pa qenë në gjendje Moska të pretendojë një fitore të besueshme, siç do të preferonin liderët e Gjermanisë?

Tash për tash, ky debat duket abstrakt. Por, në momentin që Moska lë të kuptohet se dëshiron një armëpushim në Ukrainë, të gjitha këto mendime të ndryshme brenda NATO-s do të dalin në shesh. Koncepti i ri strategjik i NATO-s i miratuar në Madrid përfshin gjithsej 71 angazhime kategorike “ne do të bëjmë”, të shpërndara në vetëm 11 faqe teksti. Një grup premtimesh të admirueshme, pa dyshim. Por, disa nuk do të durojnë kur armët në Ukrainë do të heshtin. /Telegrafi/