LAJMI I FUNDIT:

Platforma e Elon Muskut po akuzohet për përfitime nga grupet terroriste

Platforma e Elon Muskut po akuzohet për përfitime nga grupet terroriste

Platforma X e Elon Muskut po akuzohet se u ka dhënë “liri” disa llogarive të organizatave terroriste të cilat thuhet të jenë nën sanksionet amerikane.

Projekti i Transparencës Teknologjike (TTP), ka njoftuar se ka identifikuar më shumë se një duzinë llogarish në X të cilave u është dhënë mundësia e postimit me pagesë, duke përfshirë postimin e teksteve dhe videove më të gjata.


Sipas TTP-së këto llogari janë të listuara si organizata me të cilat SHBA-së i ndalohet të tregtojë ose të bashkëpunojë. Ndërkohë vetë kushtet e X thonë se “ju nuk mund të blini ose përdorni një shërbim me pagesë nëse jeni një person me të cilin amerikanët nuk lejohen të kenë marrëdhënie në përputhje me sanksionet ekonomike”.

Kjo llogaritet të jetë një shkelje e mundshme e sanksioneve amerikane nga platforma X, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

TTP ka deklaruar se dy nga llogaritë e identifikuara i përkasin udhëheqësve të lartë të Hezbollahut, dhe grupeve tjera terroriste që drejtohen nga mediat shtetërore iraniane dhe ruse.

Madje, akuzat janë përforcuar më shumë kur X ka verifikuar ato llogari me shenjën e kaltër, të cilat shpejt janë larguar nga kompania me arsyen se  janë dhënë rastësisht.

Ekipi i sigurisë së X i është përgjigjur akuzave duke pretenduar se i përmbahet detyrimeve ligjore, dhe se llogaritë u nënshtrohen kontrolleve për t’u siguruar që janë në përputhje me rregullat.

Pavarësisht angazhimit të deklaruar shpesh nga Elon Musk për lirinë e fjalës, pasi thuhet se verifikimet me shenja të kaltra janë dhënë rastësisht, nuk pritet të ketë pasoja serioze për kompaninë e tij. /Telegrafi/