LAJMI I FUNDIT:

Pikëpyetjet morale të glorifikimit të 75-vjetorit të përfundimit të luftës antifashiste

Pikëpyetjet morale të glorifikimit të 75-vjetorit të përfundimit të luftës antifashiste

17 nëntori njihet në botë si fillimi i Revolucionit të Kadifenjtë që nisi në Çekosllovaki e si ortek shkatërroi gradualisht bllokun komunist në gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore. 30 vjet më parë në Pragë, në 17 nëntor 1989, vetëm tetë ditë pas rënies së Murit të Berlinit, rreth 15 000 studentë dolën në një protestë kundër sundimit komunist që u shtyp me dhunë. Përplasja brutale e të rinjve të 17 nëntorit indinjoi akoma më shumë qytetarët dhe, brenda ditësh, qindra mijëra njerëz ishin në rrugë. Dhuna po ashtu motivoi një grevë studentore mbarë Çekosllovakisë dhe nxiti krijimin e një lëvizjeje opozitare e cila më pas negocionte në mënyrë jo të dhunshme largimin e Partisë Komuniste nga pushteti në fund të dhjetorit.

Ndërkohë që është 30 vjetori i rënies së murit të Berlinit, vëmendja e opinionit publik shqiptar më shumë sesa për rënien e komunizmit u morr me dëbimin e fashistëve dhe zëvendësimin e tyre me pushtetin e dhunshëm komunist. Më 17 nëntor të vitit 1944 trupat e brigadës së parë sulmuese të udhëhequra nga Mehmet Shehu me mbështetjen ajrore të forcave britanike çliruan Tiranën. Për këtë ngjarje u organizuan shumë aktivitete para pak ditësh sikurse edhe po organizohen për 75 vjetorin e çlirimit të Shqipërisë. Në kuadër të këtij aktiviteti është dekoruar në mënyrë festive bulevardi i Tiranës duke vendosur një sërë fotografish të atyre që janë shpallur heronj të popullit nga ish-Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.


Ky veprim i bërë sikur të ishim në 1989 e jo në 2019 hap njëherazi disa pikëpyetje dhe shqetësime për një regres moral dhe retushim të historisë sonë. Së pari njëherë konfirmon narrativën e rremë dhe të shëmtuar të propagandës komuniste që pretendonte se vetëm komunistët luftuan kundër fashistëve duke mohuar tërësisht rezistencën e nacionalistëve si Abaz Kupi e Mujo Ulqinaku që e nisën luftën ndaj italianëve që në prill të 1939. Ndërmerret ky veprim sikur të mos jetë tashmë fakt i njohur historik që dihet mirë botërisht se komunistët në gjithë Evropën, filluan t’i luftonin fashistët vetëm dhe vetëm pas nisjes së operacionit Barbarossa, pra pasi gjermanët sulmuan Bashkimin Sovjetik në qershor 1941. Vetëm pasi Stalinit iu rrezikua mbijetesa prej ish aleatit nazist me të cilin pushtoi Poloninë, ai angazhoi rrjetin evropian komunist pra Kominternin që të hidheshin në luftë ku të mundeshin kundër nazifashistëve.

Ky lloj festimi përveçse ia atribuon rezistencën antifashiste tërësisht komunistëve, rrezikon të kontrabandojë e religjitimojë bashkë me të rinj idealistë që janë vrarë në betejë me fashistët italianë apo gjermanë, edhe disa personazhe që janë vrarë vite pas lufte duke luftuar me shqiptarë të tjerë. Pra, ky dimension i përplasjeve të brendshme me tipare të luftës civile, dhuna që pasoi ndaj të pasurve e disidentëve dhe instalimi i totalitarizmit më të skajshëm të Evropës në Shqipëri kërkon pak më shumë kujdes, vetë-përmbajtje dhe empati sidomos ndaj ish-të përndjekurve.

Këtu edhe qëndron pikëpyetja kryesore e tranzicionit tonë post-komunist lidhur me trajtimin e çlirimit nga fashistët: a duhet të gëzohemi për zëvendësimin e pushtimit fashist me pushtimin komunist. Këtu vlen të përmendet disidenti çek Havel i cili argumentonte se sundimi komunist nuk dallonte shumë nga pushtimi nazist, sepse gjithashtu privonte nga liritë e vlerat për të cilat edhe ka kuptim jeta. Duke qenë se ajo që pasoi pas largimit të fashistëve ishte një tragjedi që i ka ende plagët e hapura, ky 75 vjetor duhet të shikohet jo me një triumfalizëm të skajshëm revanshist siç po bëhet tashmë traditë edhe me natën e bardhë, por me kujdes e tone të përmbajtura universale ndërkombëtare dhe gjithëpërfshirëse. Pra, nuk duhet të trajtohet sikur u arrit një moment i lavdishëm që ky grupim i lidhur me komunistët mundi grupimet e tjera por si një fitore e gjithë aleatëve kundër fashizmit që njëherazi merr në konsideratë faktin se nga shiu ramë në breshër.

Kjo gjë është veçanërisht e rëndësishme të theksohet përderisa vendet anëtare të Këshillit të Evropës ku përfshihet edhe Shqipëria, kanë miratuar një rezolutë. Rezoluta e Kuvendit te Shqipërisë “Për dënimin e krimeve te kryera nga regjimi komunist” e miratuar në tetor 2006 bën thirrje për zbardhjen dhe dënimin e krimeve të bëra që prej Luftës së Dytë Botërore. Në fund të fundit, fashistët e komunistët ishin dy anë të të njëjtës medalje të kolektivizmit e totalitarizmit që më herët kishin bashkëpunuar dy vjet rresht në kuadër të paktit Ribentrop-Molotov. Prandaj, duhet parë me kujdes çdo lloj glorifikimi, revizionimi apo relativizimi të ngjarjeve historike apo personaliteteve komuniste që mund të sjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthortë shkarkimin nga përgjegjësitë të komunizmit si ideologji malinje që shkakton në mënyrë të pashmangshme robëri e mjerim. Për këtë arsye, lehtësia me të cilën janë vendosur ato dekore me stil demode që ngjajnë reminishencë e një majit të dikurshëm paraqet rrezikun e ri-legjitimimit të komunizmit dhe bërjes së asaj ideologjie kriminale të pranueshme për brezat e reja duke i maskuar komunistët si të vetmit që luftuan kundër fashistëve në mbrojtje të atdheut.

Këtu duhet theksuar edhe një pikëpyetje tjetër e rëndësishme të çështjes kombëtare që do duhej të ishte marrë në konsideratë nga ata që morën vendim për të mbushur bulevardin me fotografi që lëvdojnë luftën partizane. Kjo ka të bëj me rolin vendimtar të jugosllavëve në atë luftë që u quajt Antifashiste Nacional-çlirimtare, por që pjesën nacionale e kishte goxha të dyshimtë. Tashmë është bërë e qartë prej dokumenteve që janë dalë nga arkivat sekretë britanikë e amerikanë, se shumë prej këtyre luftëtarëve ishin jo në shërbim të atdheut po të jugosllavëve e që normalisht do duhej të konsideroheshin spiunë ose mercenarë.

Faktet tregojnë se britanikët kishin interes që të hapnin një sërë vatrash zjarri në Ballkan në prapavijat e fashistëve italianë dhe për këtë arsye u morën vesh me jugosllavët që të aktivizonin rrjetin e tyre të spiunazhit në Shqipëri për të luftuar kundër fashistëve. Pra, me pak fjalë Çërçilli financonte krijimin e çetave antifashiste në Shqipëri nëpërmjet organizimit të agjenturës jugosllave në Shqipëri. Këtu bëhet fjalë për emra të shquar si Myslym Peza e Haxhi Lleshi që ishin mobilizuar prej jugosllavëve në Resnje buzë Prespës.

Përpos kësaj vetë themelimi i partisë komuniste shqiptare ishte produkt i pastër jugosllav dhe që nuk lidhej vetëm me të dërguarit në themelimin e partisë dhe drejtimin e luftës apo masakra kundër shqiptarëve si ajo e Tivarit, por edhe me anëtarësinë apo zanafillën e grupeve të para komuniste. Kështu për shembull mjafton të shikohen emrat e grupit komunist të Shkodër ku me përjashtim të Qemal Stafës e Tuk Jakovës të gjithë figurat e tjera ishin serbo-malazezë: Vaso dhe Branko Kadiq (Kadija), Vojo Kushiq, Jordan Mishoviq (Misja), Ivo Jovanov, Vojin Dragoviq, Petar Bulatoviq dhe Vasil Shanto. Nga ana tjetër, dy themelues të partisë ishin Koçi Xoxe e Kristo Themelko të kombësisë maqedonase ndërkohë që themelimi i PKSH-së u bë në 8 nëntor 1941 i organizuar nga Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviq në shtëpinë e Bojko Lazarovit në Tiranë.

,Mandej gjatë luftës, në vend që kjo ushtri kinse “nacional çlirimtare” të shlonte të mbronte shqiptarët çamë nga masakrat e Zervës e fashistëve të tjerë disa dhjetëra kilometra në jug të kufirit shtetëror, dërgonte mijëra partizanë për të mbrojtur popujt “vëllezër” jugosllavë në Vishegrad qindra kilometra në veri. Mandej ishin të njëjtët këta “luftëtarë” të çlirimit të 75 vjetëve më parë që filluan aneksimin e Shqipërisë prej Jugosllavisë duke unifikuar monedhat e uniformat dhe hequr kufirin e doganat. Këta drejtues të kësaj ushtrie jo vetëm që masakruan nacionalistët dhe të pasurit e instaluan monizmin në vend por kishin për ta zhdukur edhe pavarësinë e Shqipërinë, po mos të ishte për Stalinin. Ky i fundit pasi u prish me Titon në 1948, për inat të tij e prishi edhe këtë plan të gllabërimit të Shqipërisë prej jugosllavëve dhe vasalëve të tyre shqiptarë dhe e futi në sferën sovjetike të influencës.

Me pak fjalë, ka pikëpyetje dhe dritëhije të mëdha për mënyrën se si u bë Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri, njerëzit e shumtë të dyshimtë që e bënë luftën, motivet nga më të ndryshme që ata patën, implikimi i jugosllavëve që në zanafillën e luftës dhe në krijimin e rezistencës komuniste apo periudha e diktaturës komuniste që pasoi më pas çlirimit etj. Të gjitha këto pikëpyetje të lënë të kuptosh se sa e gabuar është që 75 vjetori të festohet njësoj si para 30 vjetëve ndërkohë që gjatë këtyre dekadave të lirisë kemi marrë kaq shumë informacione e fakte që e zbardhin të kaluarën.