LAJMI I FUNDIT:

Përvjetori i 19-të i vrasjes, kërkohet drejtësi për Tahir, Enis e Hasan Zemajn

Përvjetori i 19-të i vrasjes, kërkohet drejtësi për Tahir, Enis e Hasan Zemajn

Nëntëmbëdhjetë vite më parë ish-koloneli ushtarak i UÇK-së Tahir Zemaj u së bashku me djalin dhe kushëririn u vranë në rrethana misterioze në Pejë.

Ngjarja kishte ndodhur në afërsi të Kombinatit të Drurit, derisa vrasësit, i dolën në pritë dhe në mënyrë tinëzare i organizuan atentatin.


Me këtë rast presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një shënimi në Facebook ka kujtuar Zemajn dhe dy familjarët e tij.

“Nëntëmbëdhjetë vjet nga vrasja e Heroit të Kosovës, kolonel Tahir Zemajt së bashku me të birin Enisin dhe kushëririn Hasanin. Kujtimi për ta nuk zbehet, sepse secili në mënyrën e vet, atdheut iu bë shërbëtor. Kolonel Zemaj ishte njeriu që i doli zot vendit dhe në historinë e luftës çlirimtare do të kujtohet si strateg i betejës së lavdishme të Loxhës”.

Presidentja thotë se mbetet peng zbulimi i vrasjes së Zemajt, e që sipas saj do të ishte “më i rëndësishmi nderim që mund t’i bëhet”.

Në kujtim të Tahir, Hasan e Enis Zemajt sot në varrezat e Strellcit në Deçan janë bërë homazhe.

Armend Zemaj thotë se sot është ditë e rëndë por edhe krenarie për familjen.

“Që nga 4 janari i vitit 2003, ne si familjarë, bashkë me luftëtarë e veprimtarë të atdheut, të mbështetur nga miq e dashamirë të të gjitha trojeve shqiptare, bëhemi bashkë në Strellc, pikërisht pranë vendit ku pushojnë, Kolonel Tahiri, Enisi dhe Hasani, për t’i bërë nderime jetës dhe veprës së tyre”.

“Koloneli i rrugëtimit për liri, pavarësi, dhe demokraci ia doli. E përmbushi misionin e tij. I fitoi betejat kundër armikut. E bëri veprën e tij të pavdekshme. Ndërsa, nga përjetësia ne na mban ashtu siç deshi përherë; të bashkuar për të mirën e vendit”, ka thënë Zemaj.

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka kërkuar zbardhjen e rrethanave të vrasjes së Tahir Zemajt dhe familjarëve të tij.

“Është ditë e rëndë për familjarët, bashkëpunëtorët e të gjithë ne, por mbi të gjitha është datë e përkujtimit të veprës së Kolonelit dhe do ta kujtojmë përherë dhe gjatë gjithë kohës do të kërkojmë zbardhjen e rastit të tij”, deklaroi Abdixhiku.

Tahir Zemaj edhe më parë kishte qenë cak i disa atentateve ndaj tij./Telegrafi/