Nuk ka lënë vend në Kosovë pa kërkuar buallica. Madje, edhe në fshatrat më të thella dhe pa e këqyr fort çmimin. Biznesmeni nga Drenasi, Rrustem Rrukolli thotë se këtë punë e ka pasion dhe traditë familjare.

Deri tani ferma e tij “Drena”, e vendosur në fshatin Krajkov të Drenasit, numëron mbi 300 krerë buallica. Gati të gjitha Rukolli tregon se i ka blerë nëpër fshatra të Kosovës.


Kjo kafshë, që në Kosovë është në zhdukje e sipër, tash po ripërtërihet nga kjo familje, shkruan Express. Sipas Rukollit, qytetarët ende nuk i dinë vlerat ushqyese të qumështit të buallicave. Synon që në të ardhmen ta pushtojë tregun e Kosovës me produkte të kësaj kafshe, por edhe të eksportojë jashtë vendit.

Dikur në Kosovë numëronin mbi 30 mijë buallica. Ndërkaq, sot, sipas statistikave zyrtare, janë vetëm 170 krerë. “Si familje edhe më herët kemi pas buallica. Në shkurt të këtij viti kemi nisur me fermën, por ka qenë shumë e vështirë për t’i gjetur sepse kjo kafshë në Kosovë është në zhdukje e sipër”, ka rrëfyer Rrukolli.

Ai tregon se si biznes nuk është shumë fitimprurës për ekonomitë familjare. Kjo sepse si kafshë, buallicat shtohen më rrallë dhe japin më pak qumësht. “Qumështi i buallicës përmban më shumë yndyrë, zink dhe më shumë kalcium. Po ashtu, përmban 45 për qind më pak kolesterol sesa qumështi i lopës. Edhe kush është alergjik, qumështi i buallicave është më i preferuar. Po ashtu, mishi i saj ka më shumë proteina dhe ka ma pak yndyrë se qumështi i lopëve”, thotë ai.

Sipas tij, ferma aktualisht numëron mbi 300 krerë buallica. Të punësuar janë 10 punëtorë, por Rukolli thotë se e ka synim të zgjerohen edhe më shumë.

Përkundër faktit se ka kryer qindra mijëra euro investime, deri tani nuk i është kthyer asnjë cent. “Nuk i kemi synim përfitimet ditore. Synimi jonë është që vitin tjetër me fillu me prodhimin e djathërave. Shembull, musarela është një lloj djathi që prodhohet nga qumështi i buallicave. Pra, qëllimi jonë është me u konsolidu dalë ngadalë si biznes. Më i rrit kapacitetet. Mendojmë më vonë më fillu edhe më përpunim të qumështit”, ka thënë Rukolli, kompania e të cilit njihet edhe për biznese tjera.

Investimet deri tani kanë qenë komplet të familjes. Rukolli deklaron se nuk kanë pasur përkrahje financiare deri tani nga institucionet. Deri në 1500 euro tregon se ka paguar për një buallicë. Së fundi ferma e tij ka filluar të importojë këtë kafshë edhe nga Rumania e Bullgaria.

Rukolli tregon se kjo kafshë nuk është e rrallë vetëm në Kosovë. Edhe në vendet e rajonit ajo gjendet me vështirësi. Aktualisht Rumania zë vendin e parë për nga numri i madh i buallicave, e pasuar nga Italia.

Ndryshe, në Kosovë, sipas statistikave zyrtare, në vitin 1971 kanë qenë 30 mijë krerë buallica. Në fund të viteve ’80-të kanë qenë 45 mijë, kurse më vonë nuk ka pasur të dhëna zyrtare. Pas luftës numri i tyre ka rënë në 4500 krerë. Ndërkaq, në vitin 2011 numri zyrtar i buallicave ka qenë 170 krerë.

Por, Rukolli konstaton se nga hulumtimet e tij në terren ka dalë që sot në Kosovë janë gjithsej 300 krerë të kësaj race.
Në Kosovë, sipas statistikave zyrtare, në vitin 1971 kanë qenë 30 mijë krerë buallica. Në fund të viteve ’80-të kanë qenë 45 mijë, kurse më vonë nuk ka pasur të dhëna zyrtare. Pas luftës numri i tyre ka rënë në 4500 krerë. Ndërkaq, në vitin 2011 numri zyrtar i buallicave ka qenë vetëm 170 krerë. /Telegrafi/