Njohuritë e sotme mbi ushqimin kërkojnë zvogëlim të futjes së yndyrave në organizëm, posaçërisht yndyrave me prejardhje shtazore, si edhe të artikujve me rafinim të lartë, ndërkaq rekomandohet përdorimi i shtuar i ushqimit me prejardhje bimore.

Dijana Daka – Nahi
Nutriciste
tel. 044 180 052

Kohëve të fundit gjithnjë e më shumë ka të tillë të cilët orientohen për mënyrën e ushqimit vegjetarian. Disa nga menyja e tyre eliminojnë vetëm mishin dhe produktet e mishit, ndërsa të tjerët në tërësi përjashtojnë artikujt me prejardhje shtazore.

Ekzistojnë shumë arsye për vendime të këtilla, po i theksojmë disa:

▪ Dëshira për përmirësim të shëndetit të përgjithshëm
▪ Për shkak të kolesterinës së shtuar në gjak
▪ Zvogëlim i peshës trupore

Shumë hulumtime shkencore dhe eksperimente flasin në favor të mënyrës së ushqimit vegjetarian, i cili gjithnjë e më shumë po reklamohet dhe po u rekomandohet të gjithëve.

Hulumtimet janë bërë me sportistë, çiklistë, vullnetarë. Njëri grup i sportistëve ka marrë për ushqim kryesisht mish dhe produkte të mishit, ndërsa grupi tjetër kishte saktësisht ushqim vegjetarian.

Pas një periudhe kohore të shkurtër është bërë testi i aftësive të tyre të cilat kanë pasur të bënin me vozitje sa më të gjatë të biçikletës me shpejtësinë më të madhe të mundshme.

Rezultatet kanë treguar që grupi i cili është ushqyer ekzaktisht në mënyrë vegjetariane, ka arritur pothuajse periudhë kohore dy herë më të gjatë të vozitjes.

Ky është vetëm njëri ndër shembujt e shumtë të cilët kanë treguar rëndësinë e ushqimit të drejtë.

Për secilin veç e veç eksperimenti më i rëndësishëm do të jetë ai në të cilin pjesëmarrës do të jemi ne vetë.

Shkencëtarët kanë treguar që çdo ditë e ushqimit të drejtë ka ndikim pozitiv në gjendjen shëndetësore. Patjetër duhet theksuar që ndryshimi i mënyrës së ushqimit duhet të zhvillohet me atë shpejtësi e cila i përshtatet organizmit.

Gjithashtu duhet pasur kujdes edhe në vendosjen e zëvendësimeve të përshtatshme në mënyrë që organizmi të marrë të gjithë përbërësit e nevojshëm për funksionim të drejtë.

Zëvendësimi primar i artikujve me prejardhje shtazore janë produktet në bazë të sojës.

/Telegrafi/