LAJMI I FUNDIT:

Përplasja Hoti-Haradinaj vlerësohet jo e sinqertë nga Instituti Demokratik i Kosovës

Përplasja Hoti-Haradinaj vlerësohet jo e sinqertë nga Instituti Demokratik i Kosovës

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task-forcës kundër korrupsionit ka nxitur një debat mes kryeministrit Avdullah Hoti dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Pas vendimit të Qeverisë, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte thënë se shkarkimi i kësaj force shkakton pasiguri juridike, pasi e njëjta ka hetuar dhe po hetonte raste të profilit të lartë.


E deklarata e Haradinajt nuk kaloi në heshtje, pasi që i menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Avdullah Hoti.

Hoti kishte thënë se qeveria është e vendosur për të forcuar rendin ligjor dhe se ‘siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore’.

E, këto përplasje virtuale mes Haradinajt dhe Hotit nuk po vlerësohen të sinqerta nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Arben Kelmendi nga IKD në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se këto përplasje bëhen më shumë për poena politikë se sa që janë përpjekje për të zgjidhë një çështje në qeveri.

“Partnerët e koalicionit qeverisës (kryeministri Hoti dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj) këtë fundjavë u përfshinë në ‘përplasje virtuale’ rreth vendimit të qeverisë për shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion. Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se një mënyrë e tillë e komunikimit mes partnerëve qeverisës është jo i sinqertë dhe duket sikur bëhet më shumë për konsum ditor dhe poena të lehtë politikë se sa si përpjekje për të zgjidhë një çështje të hapur mes partnerëve në qeveri”, u shpreh ai.

Shuarja e Task-Forcës anti-korrupsion, përplasi në distancë Haradinajn e Hotin
Lexo po ashtu Shuarja e Task-Forcës anti-korrupsion, përplasi në distancë Haradinajn e Hotin

Kelmendi shtoi më tej se “shpërndarja e Task-forcës shkakton pasiguri juridike dhe dërgon mesazh të gabuar te qytetarët rreth gatishmërisë dhe përkushtimit të qeverisë për të luftuar korrupsionit”.

“Efekti që ka prodhuar ky vendim ka çuar sinjale negative edhe te partnerët ndërkombëtarë dhe do të reflektohet në raportet e ardhshme të tyre për Kosovën. Të gjitha raportet e organizatave kredibile ndërkombëtare flasin për nivel të lartë të korrupsionit në Kosovë dhe në krijimin e një gjendje të tillë kanë ‘kontribuar’ të gjitha qeveritë e periudhës së pasluftës”, potencoi ai.

Arben Kelmendi, Instituti Demokratik i Kosovës

Tutje ai tha se “E ashtuquajtura Task Forca Kundër Korrupsionit ishte themeluar para 10 vitesh me qëllim të koordinimit më të mirë të punës së organeve përgjegjëse – policisë hetimore dhe prokurorisë speciale”.

“Fatkeqësisht, rezultatet e punës së kësaj Force nga ekspertët e drejtësisë vlerësohen si të pamjaftueshme, për sa kohë ekziston fenomeni i mos ndëshkueshmërisë së rasteve të mëdha të korrupsionit. EULEX-i si mision evropian i sundimit të ligjit nuk arriti t’a përmbyllë as edhe një rast të madh të korrupsionit dhe rastet e transferuara në gjykatat kosovare vazhdojnë të lëngojnë nga stërzgjatja e procedurave gjyqësore, vendimet për ri-gjykim dhe politika të buta ndëshkimore”, përfundoi deklaratën Kelmendi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, një javë më parë vendosi ta mbyll Task-Forcën, duke vlerësuar se kjo çështje tash duhet të rregullohet me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial dhe se mandati i EULEX-it, tashmë është ndryshuar.

Departamenti Special Anti-Korrupsion, apo e ashtuquajtura ‘Task-Forca Anti-Korrupsion”, ishte pjesë e policisë, që kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë.

Ky departament ishte themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim me misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX. /Telegrafi/