LAJMI I FUNDIT:

Përjetësisht mirënjohës ndaj ShBA-së dhe presidentit Clinton

Përjetësisht mirënjohës ndaj ShBA-së dhe presidentit Clinton
Ilustrim

Data 4 korrik është një datë të veçantë, është dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dita kur në vitin 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë. I takoi Thomas Jeffersonit, asokohe 32-vjeçar, merita e Deklaratës se Pavarësisë së ShBA-së, në të cilën nënvijëzohej edhe një marrëdhënie mes qeverisë dhe të qeverisurve, prej së cilës ne shqiptarët duhet të mësojmë edhe sot: “Qeveria ekziston vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit dhe kur ajo dështon … atëherë populli ka të drejtë ta heqë atë qeveri e të zgjedhë një tjetër që i përgjigjet aspiratave të tij”. Ishte themeluar jo thjesht një bashkësi shtetesh, por ishte farkëtuar shpirti i një kombi.

Sot dy shekuj e ca më pas, çdo komponent i realitetit social, politik dhe ekonomik, si në ShBA ashtu edhe në pjesën tjetër të botës, ka ndryshuar, ka marrë formë dhe përmbajtje tjetër, është transformuar ose riforcuar, është rithemeluar apo rikonceptuar. ShBA-ja ka promovuar dhe promovon dinjitetin njerëzor dhe demokracinë jo vetëm në Amerikë, por edhe në botë, me qëllimin që të ruhet paqja, të mbrohet dhe të zgjerohet ajo, pasi forca e vërtetë e një kombi nuk vjen as nga GDP-ja e lartë, as nga politika financiare e Rezervës Federale, as nga fuqia ushtarake e Pentagonit apo roli i CIA-s etj. Madhështia e një kombi vjen nga fuqia e idealeve demokratike.


Në këtë festë, përvoja amerikane nënvizon një fakt: “Demokracia lulëzon atëherë kur për të kujdesen qytetarë që janë të gatshëm që me lirinë e fituar me sakrifica, të marrin pjesë në jetën shoqërore duke shprehur mendimet e tyre në debate; duke zgjedhur përfaqësues që e kanë treguar veten të denjë me veprimet e tyre dhe duke pranuar nevojën e tolerancës dhe të kompromisit në jetën shtetërore. Shtetasit e një vendi demokratik gëzojnë të drejtën për liritë e individit, por ata mbajnë gjithashtu edhe përgjegjësinë që u takon për ndërtimin e një të ardhmeje që do të vazhdojë të mbështetet në vlerat themelore të lirisë dhe të vetëqeverisjes”.

Pikërisht në këtë festë të bekuar, Presidenti Klinton [Bill Clinton] vjen dhe feston në Shqipëri, në vendin më pro-amerikan në botë. Ai shikohet e vlerësohet si shenjt, si hero kombëtar, për atë që ka bërë për kombin shqiptar. Gjatë kohës së mandatit të tij si president i shtetit më të fortë në botë, ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-së për ndërhyrjen e NATO-së në Luftën e Kosovës në vitin 1999. Ishte 24 marsi i vitit 1999 kur presidenti Klinton dha lajmin para popullit amerikan: “Të dashur amerikanë. Sot Forcat e armatosura të ShBA-së u janë bashkuar atyre të NATO-s, në sulmin kundër forcave serbe, të cilat janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Ne morëm këtë vendim për shumë arsyeje, mirëpo kryesorja për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga agresori ushtarak serb”. Këto fjalë dhe veprat e tij, do të mbeten në histori!

Mirëserdhe në shtëpinë tënde dhe te populli në zemrat e të cilit keni hyrë si njeriu më i dashur zoti President, pasi ju jeni nga presidentët që keni ndërmarrë më shumë vendime për shqiptarët, se kushdo president tjetër. Është emocionuese deklarata e presidentit Klinton para popullit shqiptar, se: “Do të jem gjithmonë krenar për faktin se kam qenë president i Shteteve të Bashkuara në kohën kur juve ju duhej dikush që do të qëndronte kundër spastrimit etnik, dëbimit të njerëzve nga shtëpitë e tyre”.

Është kjo mirënjohje që në gjithë trevat shqiptare, shumë shesheve, bulevardeve, rrugëve u është vënë emri i tij. Është unik fakti që ai është i vetmi person, për nder të të cilit ka dhjetëra e dhjetëra fëmijë shqiptarë të lidhur pas viteve 2000, që kanë për emër fjalëformimin me emrin e mbiemrin e Tij, “Billklinton” – gjithashtu emrat më në modë te ne janë “Klinton” dhe “Bill”.

Nga ana kuptimore, emri mbart një simbolikë të caktuar, e cila e shoqëron emërmbajtësin gjatë gjithë jetës së tij, madje edhe pas vdekjes, te guri i varrit. Ajo lidhet ngushtë me dëshirat, psikologjitë, mentalitetet, botët e brendshme të prindërve, simbolika ringjalljeje emrash familjarësh, shenjtorësh, simbolika fetare, kombëtare, emra vendesh, pemësh, lulesh, kafshësh, zogjsh, ndjenjash, emocionale hyjnish, perëndish dhe heronjsh mitologjikë.

Presidenti Bill Klinton e ka ndier dhe përjetuar këtë dashuri tonën, ndaj dhe ka deklaruar: “Në emër të popullit amerikan dëshiroj t’i shpreh popullit shqiptar mirënjohjet tona për qëndresën që keni marrë drejt paqes, tolerancës dhe lirisë në Evropën Juglindore. Po ashtu, zotohem se do të mbështes përpjekjet tuaja drejt ndërtimit të një demokracie të fuqishme e përparimtare”.

Po për kontributin e veçantë të presidenti Bill Klinton për Shqipërinë e Kosovën, ne i jemi mirënjohës edhe bashkëpunëtorëve dhe miqve të afërt të tij si Madeleine Albright, Strobe Talbott, Richard Holbrooke etj.

Presidenti Bill Klinton është burrështetasi që vlerësohet nga të gjithë. Ishte opinioni publik amerikan, që i dha vlerësimin më të lartë se çdo president i periudhës së pasluftës

Ndihmën ndaj shqiptarët e ka të vazhdueshme. Kujtojmë se ka formuar grupin “Miqtë e Shqipërisë” në vitin 1997, ka formuar “Fondin Amerikano-Shqiptar”, ka lehtësuar procedurat për dhënien e vizave etj etj

Megjithëse Klintoni prej kohësh nuk është aktiv në politikën e brendshme amerikane, me fondacionin e tij është mjaft influent kryesisht në beteja sociale kundër varfërisë e arsimimit të barabartë për të gjithë. Kryesisht në vende të varfra si Afrika etj.

Me nismat e tij kërkon përmirësimin e jetës së njerëzve në mbarë botën, përfshirë një numër problemesh të injoruara të cilat çdo vit marrin jetë njerëzish e që mund të parandalohen. Ai përpiqet për të bashkëpunuar në gjetjen e mënyrave për të ndihmuar të varfrit, pastrimin e mjedisit, fuqizimin e grave, përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe përmirësimin e arsimit. “Ne ndajmë një planet të vogël midis nesh, të kërcënuar nga terrorizmi, sëmundjet, ngrohja globale dhe kriza financiare. Ndajmë edhe ëndrrat për fëmijët tanë. Duhet të vendosim mbi diçka shumë të thjeshtë, qoftë në Kosovë apo kudo tjetër në botë, nëse do të përqendrohemi tek e nesërmja apo e djeshmja, tek ajo që na bashkon apo ajo që na ndan”, ka deklaruar ai.

Klinton është kalorës i lirisë, duke besuar gjithmonë se “askush nga ne nuk do të ishte i lirë derisa të gjithë ne të jemi të barabartë”, Kalorës i dijes, meqë si guvernator transformoi sistemin arsimor të Arkanzasit, duke e shndërruar atë nga më të keqin në ShBA, në një ndër më të mirët; është kalorës i paqes dhe kundër urrejtjes, me devizën “divorci nuk është alternativë”. Kujtojmë përpjekjet në ndërmjetësimin e një marrëveshje përfundimtare të paqes në Lindjen e Mesme. Ai bashkoi për dy javë bisedimesh intensive kryeministrin izraelit dhe udhëheqësin palestinez Jaser Arafat.

Por, në fund të fundit, ngeli njeri. Kujtojmë të qeshurën në konferencën e shtypit me presidentin rus Boris Jelcin dhe përlotjen në funeralin e lamtumirës të udhëheqësit izraelit.

Por, kjo miqësi shqiptaro-amerikane ka një histori të gjatë e ngulitur thellë. Themelet i kishte hapur vet Presidenti Woodrow Wilson, i cili në Konferencën e Paqes të Parisit të vitit 1919, denoncoi marrëveshjet e kulisave të shteteve të tjerë për copëtimin e Shqipërisë. Pritej vetëm një firmë që ky projekt të bëhej fakt. Firma që mungonte ishte ajo e Wilsonit, firmë që nuk u vendos kurrë në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Wilson jo vetëm që nuk vuri firmën, po u përgjigj dhe me dy nota në të cilat mbronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që mbeten dy nga diamantet më të ndritshëm të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dha rastin të marrin frymë dhe të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot.

Në të gjithë tekstet historike që analizojnë ngjarjen, shënohet fakti e presidenti Wilson protestoi ashpër kundër këtyre pazarllëqeve dhe do të deklaronte: “Qeveria amerikane kundërshton me fuqi çdo dëm në kurriz të Shqipërisë e në përfitim të Jugosllavisë”. Madje, dëshmohet se ai do të shkonte edhe më larg, duke kërcënuar bashkëpunimin me evropianët dhe tërheqjen nga Traktati i Paqes me Gjermaninë.

Premtimin që Wilson i kishte dhënë Imzot Fan Noli para se të nisej në këtë Konferencë, i cili përmblidhej në fjalët “do të kem një zë në Konferencën e ardhshme të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”, e mbajti dhe ne i jemi mirënjohës brez pas brezi atij burri të ndritur shteti.

Përveç këtyre, ShBA-ja është nga shtetet e para që njohu shtetin shqiptar (28 gusht 1922) fare pak kohë pasi ky ishte pranuar anëtar i Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920). Në një notë të dërguar Ministrisë së Punëve të jashtme të Shqipërisë njoftohet se “e udhëhequr nga qëndrimi i suksesshëm i qeverisë kombëtare shqiptare e njeh edhe de jure qeverinë e Shqipërisë”.

Po atë vit nënshkruhet marrëveshja që i jepte Shqipërisë statusin e Kombit më të Favorizuar.

Në vitin 1930, presidenti Herbert Hoover emëron në krye të ambasadës amerikane një personalitet të shquar amerikano-hebre, Herman Bernstein. Ky gazetar dhe studiues i thellë u bë një njohës i madh i çështjes shqiptare dhe nxitës i fuqizimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Homologu i tij në Uashington ishte ministri i plotfuqishëm Faik Konica. Pra, në të dy shtetet, gjejmë dy personalitete të jashtëzakonshëm, rezultatet e punës së të cilëve u ndjenë shumë shpejt në të dy anët e Atlantikut.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shënohet edhe një ngjarje që vijon të dëshmojë solidaritet dhe miqësi, e cila për fat të keq ngjarja është pak e përmendur dhe aspak e studiuar historikisht. Më 8 nëntor 1943, aeroplani C 53D që transportonte Njësinë Mjekësore 807 të Evakuimit Ajror, e cila përbëhej një ekip infermierësh, ushtarakësh dhe pilotësh amerikanë, u nis në orën 9.00 nga Katanja në Itali, drejt Barit. Si pasojë e një defekti teknik u rrëzua në fshatin Peshtan të Beratit, që asokohe gjendej i pushtuar nga forcat naziste. Miqtë amerikanë u vendosën në një shtëpi e cila, me gjithë varfërinë e madhe që kishte, i strehoi dhe i ushqeu. Pas dy ditë qëndrimi nisi udhëtim biblik dymujor i 30 amerikanëve nëpër Shqipërinë e Jugut për tek Gjiri i Elefandit në Karaburun, nga ku ata me ndihmën e shërbimeve të fshehta angleze arritën të ktheheshin në Itali.

Por, jo çdo gjë u mbyll me vitet e luftës. Mes nesh është shkruar dhe vazhdon të shkruhet edhe një histori e re. Vlen të përmendim se edhe në vitet e errëta të diktaturës, kur ShBA-ja ishte demonizuar nga regjimi komunist, por kur “liria nuk u mërgua nga vendi”, valët e Zërit të Amerikës, u bënë dritarja e vetme prej nga vështronim botën, u bënë shpresa jonë për liri, barazi e drejtësi, u bënë besimi se edhe për ne, shqiptarët, dielli do të lindte andej nga perëndonte, siç kishte shkruar një shekull më parë poet-profeti i kombit Naim Frashëri.

Ndoshta është unikale dhe e paharrueshme pritja madhështore që ju bë në vitin 1991 (tre muaj pasi ishte rihapur ambasada dhe rivendosur marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-ShBA) e sekretarit të atëhershëm të Shtetit, zotit James Baker, i cili ishte i pari zyrtar i lartë amerikan që vizitonte Tiranën. Shqiptarët, sipas traditës së tyre të lashtë, po mirëprisnin me nderim të lartë jo vetëm një përfaqësues të shteti, por po nderonin historikisht vendin mik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i kthyer në këtë mënyrë mirënjohjen e tyre për gjithë sa ky vend madhështor kishte bërë për dekada për ta.

Ngjarjet dhe historitë vijojnë edhe sot, pasi në 30 vitet e fundit, kohë kur pas shembjes së komunizmit u projektua dhe materializua arkitektura e re ndërkombëtare e për rrjedhojë edhe ajo rajonale, miqësia shqiptaro-amerikane u fuqizua akoma më shumë, tashmë në kushte të reja dhe në partneritet të ri. Kjo periudhë risolli në skenë me gjithë forcën, çështjet tona kombëtare të pazgjidhura dhe të mbetura pezull prej shekujsh, që nga koha e traktateve, si dhe dëshirën për t’i zgjidhur ato me të vërtetë, duke mbajtur jo anën e parapëlqimit, por anën e drejtësisë.

Është fakt domethënës që pesë presidentët e ShBA-së pasluftës së Ftohtë, lanë gjurmët e tyre të pashlyeshme në mbrojtjen e çështjes shqiptare. I pari mes tyre renditet George Bushi (i Vjetër) me vijën e kuqe që përcaktoi për ndërhyrje serbe në Kosovë. Më 24 dhjetor 1992 ai do t’i përcillte kryetarit të Serbisë së atëhershme, Sllobadan Milosheviqit, mesazhin e drejtpërdrejtë se “në rast të konfliktit në Kosovë, të shkaktuar nga veprimi serb, ShBA-ja do të jetë e gatshme ta përdorte forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”. Ky paralajmërim që është quajtur Paralajmërimi i Krishtlindjeve, shënon fillimin e kohës së përfshirjes së drejtpërdrejtë të politikës amerikane, në çështjen e Kosovës dhe ndërkombëtarizimi i çështjes kosovare.

Po ashtu historik dhe i paharrueshëm mbetet edhe Presidenti George W. Bush, i cili deklaroi në Tiranë se Kosova do të shpallet shumë shpejt shtet i pavarur. Kjo u përmbush dhe u bë e vërtetë në 17 shkurt 2008. “Vota ime është për Kosovën”, tha Bush, duke formuluar thuajse të njëjtin premtim si ai që gati një shekull më parë kishte bërë Presidenti Wilson për Shqipërinë.

Presidenti Barack Obama dhe administrata e tij, luajti një rol të rëndësishëm edhe në pranimin disi të përshpejtuar të Shqipërisë në NATO.

Presidenti Joe Biden me reformën në drejtësi dhe thellimin e luftës kundër korupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor.

Sot, kur në Ballkanin Perëndimor Rusia ka rritur përpjekjet e saj për të ndikuar politikën e shteteve të veçanta, kur nacionalizmi është në rritje, kur terrorizmi, krimi i organizuar ndërkombëtar dhe korrupsioni janë rrezik potencial, kjo miqësi merr rëndësi jetike. Prandaj, është detyrë e gjithësecilit nga ne ta mbrojmë e fuqizojmë këtë miqësi, të cilën me mirënjohje gjejmë rast ta shprehim sot, në këtë vizitë historike dhe ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila edhe sot e kësaj dite mbetet ashtu siç shkruante për të Walt Whitman: “E bollshme, e drejtë, e qëndrueshëm, e aftë, e pasur, e fortë”.