LAJMI I FUNDIT:

“Përherë në kujtimet e popullit të Kosovës” – liderët institucional dhe politik reagojnë pas vdekjes së Martti Ahtisaarit

“Përherë në kujtimet e popullit të Kosovës” – liderët institucional dhe politik reagojnë pas vdekjes së Martti Ahtisaarit

Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka vdekur të hënën në moshën 86-vjeçare.

Krerët e shtetit të Kosovës dhe liderët partiakë, kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e Ahtisaarit, figurën e të cilit e kanë çmuar lartë.


Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shkruar se sot iku nga kjo botë një figurë madhështore e skenës globale politike, kryenegaciatori për statusin e Kosovës, ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari.

“Presidenti Ahtisaari ishte njeriu që tërë jetën e tij ia kushtoi paqes, diplomacisë dhe të mirës për njerëzimin dhe që pati ndikim të jashtëzakonshëm për të tashmen dhe të ardhmen tonë! Ai skaliti kornizën e shtetit tonë, teksa emri i tij do të mbetet përherë në analet e historisë së Republikës së Kosovës. Paçebërësi dhe vizionari do të mbetet përherë në kujtimet e popullit të Kosovës!”, ka shkruar Osmani.

Kryeministri, Albin Kurti ka shkruar se Ahtisaari ishte një diplomatë i shquar dhe kampion i paqes.

“I pikëlluar për vdekjen e Martti Ahtisaarit, një diplomati i shquar dhe një kampion i paqes, i cili ka kontribuar shumë për sigurinë dhe paqen në rajonin tonë dhe puna e të cilit ka përfshirë të drejtat e forta të pakicave në kushtetutën tonë. Ngushëllimet e mia familjes së tij dhe popullit të Finlandës”, ka shkruar Kurti në “X”.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka shkruar se Presidenti Ahtisaari, si ish i dërguar special i OKB-së për statusin e Kosovës, përpiloi Planin Gjithëpërfshirës për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. “Presidenti Ahtisaari ishte në anën e Kosovës edhe gjatë bombardimeve të NATO-s”, ka shkruar Krasniqi.

“Ai nuk pati asnjëherë dyshime se kush ishte agresori dhe kush viktima në rastin tonë, prandaj, edhe në kulmin e suksesit të tij, kur fitoi Çmimin Nobel për Paqe, mesazhi i tij ishte i qartë: “Kosova është e pavarur dhe do të mbetet e tillë”! Faleminderit për të gjitha, Presidenti Ahtisaari! Gjithmonë do të kujtohesh në vendin tonë”, u shpreh kryetari i PDK-së.

Edhe, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaarit.

Haradinaj ka thënë se Ahtisaari ishte njëri ndër figurat kryesore në rrugën e Kosovës drejt shtetësisë.

“I pikëlluar për ndarjen nga jeta të Martti Ahtisaari, një mik i madh i Kosovës, njëri ndër figurat kyçe në rrugën e Kosovës drejt shtetësisë. Populli i Kosovës i është mirënjohës gjithmonë për kontributin e tij në shtetndërtim dhe mbështetjen në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, është shprehur Haradinaj. /Telegrafi/