Janë zbardhur detaje të reja nga arrestimi i nënkomisarit Edmond Ruçi, specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, i cili është ndaluar mbrëmjen e së martës nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë me akuzat për penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Sipas informacioneve paraprake, hetimet kanë nisur pas ndalimit të dy personave të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike.


Të arrestuarit janë proceduar ligjërisht nga Oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit të Sarandës, nënkomisar Edmond Ruçi, ndërsa gjatë përgatitjes së materialeve për referim në Prokurori kanë lindur dyshime të arsyeshme se ai ka tentuar të kryejë veprime të paligjshme me qëllim favorizimin e njërit prej personave të arrestuar.

Sipas këtyre dyshimeve, nënkomisari dyshohet se i ka kërkuar këtij shtetasi një shumë parash në këmbim të lirimit të tij, si dhe për transferimin e përgjegjësisë penale tek shtetasi tjetër i ndaluar.

Menjëherë pas evidentimit të këtyre dyshimeve, strukturat drejtuese të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë referuar rastin pranë Prokurorisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilat kanë vendosur nën mbikëqyrje dhe kanë instaluar pajisje përgjimi, çka ka çuar më pas në dokumentimin e dyshimeve ndaj efektivit të policisë.

Në vijim të veprimeve hetimore të ndërmarra nga këto institucione, është bërë edhe ndalimi i nënkomisar Edmond Ruçit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.

“Nga ana e prokurorit të gatshëm, u kryen veprime hetimore, nga ku rezultuan të dhëna për përfshirjen e oficerit që heton çështjen në veprime të dyshuara korruptive dhe ndaj tij u procedua me urdhër për ndalimin e të dyshuarit për një krim për veprën penale te “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”, njofton Prokuroria e Sarandës. /Euronews/