LAJMI I FUNDIT:

Përgatitjet për pavarësi dhe qëndrimet që paraqiti Hasan Prishtina para britanikëve

Përgatitjet për pavarësi dhe qëndrimet që paraqiti Hasan Prishtina para britanikëve

Me 10 mars 1912, nënkonsull britanik në Shkup, Walter Peckham, dërgoi një raport në Foreign Office në të cilin përshkroi situatën në Shqipëri dhe vizitën e ministrit të brendshëm otoman në Kosovë. Ministri otoman, Haxhi Adil Beu, shpresonte se me reformat e paralajmëruara do t’i joshte shqiptarët të cilët në Kosovë po bënin përgatitjet përfundimtare për luftën e fundit kundër perandorisë.

Nënkonsulli britanik shkruante se Haxhi Adil Beu me 10 mars gjendej në Gjakovë. Më herët, me 3 mars ishte nisur nga Prishtina për Mitrovicë ku kishte qëndruar dy ditë pastaj kishte shkuar në Pejë ku kishte qëndruar deri me 8 mars.

Ministri otoman, kudo që kishte shkuar, nuk ishte pritur mirë nga shqiptarët. Madje, shqiptarët e Pejës i kishin dërguar fjalë ministrit, sa ishte në Mitrovicë, që të mos ia mësynte Pejës. Megjithatë, vizita u bë edhe në Pejë por nuk pati ndonjë manifestim dhune. Askush i rëndësishëm në asnjë vend të Kosovës nuk doli ta priste ministrin e brendshëm otoman. Ministri kishte planifikuar të organizonte një Mevlud madhështor në Fushë Kosovë por hoqi dorë pasi që u bind se askush nga shqiptarët nuk do të merrte pjesë në te. Madje, askush nuk doli ta priste askund dhe askush nuk pranoi as ëmbëlsirat që kishte sjellë ai nga Stambolli në shenjë miqësie për shqiptarët që do t’i takonte.

Pa marrë parasysh këtë situatë, ministri i shkruante qeverisë në Stamboll se shqiptarët po i organizonin mikpritje madhështore. Sipas disa informatave që posedonte nënkonsulli britanik, ministri otoman, ende pa u vendosur mirë në Gjakovë, ishte detyruar që të largohej nga qyteti. Sa ishte në Shkup ai u kishte dhënë nga pesë lira mësuesve të medresesë por shumica e tyre e kishin refuzuar këtë bakshish në formë ryshfeti. Sipas konsullatës britanike, të vetmet masa “reformuese” që kishte aplikuar ky ministër gjatë vizitës, ishin shkëmbimi i kajmekamit të Prishtinës dhe disa qyteteve tjera si dhe shkarkimi i një oficeri të lartë të policisë në Shkup. Nënkonsulli britanik ishte i bindur se qëllimi i vizitës së delegacionit të kryesuar nga ministri i brendshëm nuk ishin reformat por propaganda e qeverisë momentale otomane.

Dështimi i vizitës së këtij ekipi (Komisionit të Reformave) shënoi edhe intensifikimin e përgatitjeve të shqiptarëve për themelim të shtetit të pavarur në Ballkan. Për të biseduar në lidhje me këtë temë nënkonsulli britanik në mëngjesin e 28 prillit ishte takuar me Hasan Bej Prishtinën. Qeveria në Stamboll, për arsye të shumta, refuzonte ta pranonte faktin që Hasan Beu ishte zgjedhur sërish deputet për Prishtinën në Parlamentin Otoman. Nënkonsulli shkruante se kjo qeveri e pengonte aktivitetin e Hasan Bej Prishtinës në të gjitha mënyrat, përfshirë edhe ato jolegjitime.

Hasan Bej Prishtina në këtë takim i kishte deklaruar diplomatit britanik se e tërë Shqipëria ishte stërngopur me qeverinë e Stambollit të cilën ai e kishte përshkruar si barbare dhe së cilës i mungonte edhe truri. Hasan Bej Prishtina kishte theksuar se kryengritja e shqiptarëve nuk mund të evitohej më. Në lidhje me bisedën e mëtejme, nënkonsulli britanik shkruante se qëllimi i prijësve shqiptarë ishte anulimi i zgjedhjeve të fundit dhe formimi i një kabineti jopartiak nën Qamil Pashën dhe në përbërje të njerëzve siç ishin Tefik Pasha dhe Nuradugian Efendiu. Ky kabinet, sipas Hasan Bej Prishtinës, do të qeveriste deri në zgjedhjet e reja të cilat duhej ta shprehnin vullnetin e popullit. Nëse dështonte ky variant, nënkonsulli theksonte se shqiptarët do të kërkonin autonomi.

Nënkonsulli britanik, duke e shpjeguar qëndrimin e shqiptarëve të paraqitur nga Hasan Bej Prishtina, shkruante:

“Hasan Bej Prishtina aspiron për një ndarje të plotë fiskale dhe ushtarake dhe për një Republikë Shqiptare lidhjet e së cilës me Portën duhet të jenë vetëm minimale por nuk duket që ka program të qartë për minimumin që mund të pranohet. Ai e citoi shembullin e Bullgarisë dhe përparimin e popullit bullgar që nga Traktati i Berlinit. Suzereniteti i Portës do të akceptohej”.

Pastaj nënkonsulli britanik, duke shprehur dyshime për platformën politike që paraqiti Hasan Bej Prishtina, theksoi se shqiptarët dhe klanet e tyre deri atëherë nuk kishin shprehur kohezion të mirëfilltë kombëtar. Hasan Bej Prishtina kishte ngulur këmbë se situata kishte ndryshuar dhe se ekzistonte një unitet nacional i shqiptarëve që nga Shkodra e deri në Janinë. Madje, ai theksoi se ekzistonte mundësia e një marrëveshje me Greqinë. Nënkonsulli britanik ishte dëshmitar i faktit të ngritjes së shpejtë të ndjenjave nacionale të shqiptarëve gjatë viteve të fundit.

Duke e elaboruar situatën e ardhshme ushtarake, Hasan Bej Prishtina e kishte bindur diplomatin britanik se me një lehtësi të madhe do të përsëritej kryengritja e fundit e Gjakovës e cila në formë të lëvizjes do t’i përfshinte malësorët e veriut të koncentruar në Tuz dhe pastaj kjo lëvizje në mënyrë rapide do të arrinte jugun ku do të përqafohej nga toskët. Hasan Beu kishte deklaruar se brenda një jave shqiptarët do ta okuponin Shkupin. Lëvizjen tjetër që do ta bënin pas kësaj do të ishte marrja e Selanikut brenda një muaji.

Nënkonsulli ishte në dijeni se shqiptarët kishin mjaft armë të lehta por u mungonte artileria. Hasan Beu kishte bërë me dije se planifikohej që artileria të sigurohej nga garnizonet otomane të cilat do të rrethoheshin dhe me ndihmën e ushtarëve dhe oficerëve shqiptar kjo gjë konsiderohej të mos ishte e vështirë. Mjetet financiare ekzistonin për një fushatë ushtarake që do të zgjaste deri në një muaj. Nëse fushata zgjatej më tej, Hasan Bej Prishtina kishte theksuar se ndihmat financiare do të siguroheshin nga jashtë.

Më tutje, nënkonsulli shënonte se Hasan Bej Prishtina nuk llogariste për ndonjë ndihmë nga bullgarët e Maqedonisë. Ai theksoi se ekzistonte një pajtueshmëri e shqiptarëve me qeverinë greke, Komitetin Grek të Maqedonisë por jo me Komitetin Bullgar të Maqedonisë. Hasan Beu konsideronte se Mali i Zi nuk mund të paraqiste rrezik të madh për shqiptarët. Sipas tij, Austro-Hungaria do t’i mbante në shënjestër Bullgarinë dhe Serbinë në mënyrë që këto të mos lëviznin kundër territoreve otomane.

Duke e elaboruar më tutje qëndrimin e tij, Hasan Bej Prishtina i deklaroi nënkonsullit britanik se shpresonte që Austro-Hungaria do të abstenonte nga përzierja pasi që ky shtet mund të konsideronte se këto çështje ishin tërësisht punë të brendshme të popujve që jetonin nën pushtetin e Portës së Lartë dhe se tashti ata kishin vendosur që problemet që kishin t’i zgjidhin vetë. Por, sundimin austro-hungarez, sipas Hasan Beut, do ta preferonin shqiptarët në krahasim me atë otoman. Mbi të gjitha, siç i deklaroi ai nënkonsullit, do të preferohej që njësia e ardhshme shtetërore shqiptare të administrohej apo qeverisej nga Britania e Madhe.

Nënkonsulli britanik nuk kishte dhënë ndonjë përgjigje gjatë kësaj bisede por e lajmëroi Londrën në lidhje me faktin se Hasan Bej Prishtina kishte kërkuar të dinte qëndrimin britanik nëse shqiptarët kërkonin përkrahje politike dhe ndihmë financiare nga qeveria britanike. Nënkonsulli shtoi se Hasan Bej Prishtina nuk ia kishte bërë një kërkesë të tillë konsujve apo diplomatëve të shteteve tjera.

Fundin e bisedës me Hasan Bej Prishtinën, nënkonsulli britanik në Shkup, Walter Peckham, e përshkruan me sa vijon:

“ E pyeta se çka po pritnin para se të revoltoheshin? Asgjë, tha ai, pos përgjigjes së qeverisë (britanike v.j.) së Lartmadhërisë së Tij. Në të njëjtën kohë një përgjigje e pafavorshme nuk do ta mënjanonte revoltën. Gjatë tërë bisedës, Hasan Beu manifestoi optimizëm të konsiderueshëm. Ky optimizëm mendoj se ishte i një njeriu i cili ndjenë se gjërat nuk mund të jenë më keq dhe se mund të përmirësohen me masa të fuqishme”.

Pas kësaj bisede janë shënuar edhe komunikime tjera të Hasan Bej Prishtinës me diplomatë britanikë. Siç dihet, Londra nuk i shqyrtoi seriozisht propozimet e Hasan Bej Prishtinës. /Telegrafi/