LAJMI I FUNDIT:

Peres “kontribuon” edhe pas vdekjes: Netanyahu dhe Abbas shtrëngojnë duart pas gjashtë vitesh (Video)

Peres “kontribuon” edhe pas vdekjes: Netanyahu dhe Abbas shtrëngojnë duart pas gjashtë vitesh (Video)

Udhëheqësi palestinez Mahmoud Abbas dhe ai izraelit Benjamin Netanyahu, janë takuar dhe kanë shtrënguar duart, gjatë ceremonisë së varrimit të ish-presidentit të Izraelit dhe fituesit të Çmimit Nobel për Paqe, Shimon Peres, në të cilin po marrin pjesë edhe dhjetëra liderë botërorë.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Abbas dhe Netanyahu shtrënguan duart dhe bënë një bisedë disa sekondëshe, gjatë së cilës lideri palestinez tha se ka kaluar “një kohë e gjatë”, që nuk janë takuar.


“Më vjen mirë që të shoh. Ka kaluar kohë e gjatë”, ka thënë Abbas siç tregohet në videon që u publikua nga zëdhënësi i Netanjahu.

Gjithashtu thuhet se edhe gruaja e Netanyahu e ka falënderuar Abbasin për ardhjen e tij.

Sipas medieve të huaja, ata nuk janë takuar publikisht që nga viti 2010, por mediat kanë njoftuar se ata kanë pasur bisedime me dyer të mbyllura.

Të dy udhëheqësit, në nëntor të vitit të kaluar kishin qenë pjesëmarrës në një konferencë për ndryshimet klimatike në qytetin francez të Bourget, ku patën vetëm një shtrëngim duarsh. /Telegrafi/