LAJMI I FUNDIT:

Perëndimi ia ka lidhur njërën dorë Ukrainës, NATO-ja duhet të ndërhyjë!

Perëndimi ia ka lidhur njërën dorë Ukrainës, NATO-ja duhet të ndërhyjë!

Nga: Simon Tisdall / The Guardian
Titulli origjinal: Biden i ndrojtur i dënon ukrainasit me luftën e agonisë së pafund
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Duket e çuditshme, për ta thënë këtë më butë, se si Joe Biden është i gatshëm për ta furnizuar Ukrainën me raketa të avancuara, për sa kohë që nuk i lëshon ato drejt Rusisë. Vladimir Putini mund të drejtojë raketa ndaj ukrainasve, përtej kufirit, sa herë që t’i piket – por, trupat e Volodymyr Zelenskyt nuk munden të kundërpërgjigjen ndaj torturuesve të tyre.


Është e çuditshme, gjithashtu, se si OKB-ja kërkon marrëveshje me Rusinë për konvojin që do ta shoqërojë bartjen e drithërave nga Odesa dhe nga portet tjera të Ukrainës. Është Putini ai që i ndalon 22 milionë tonelata të drithërave që të arrijnë në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, ku miliona vetë po përballen me urinë. Mos kërkoni leje. Dërgojeni një forcë shumëkombëshe për ta thyer bllokadën e tij të paligjshme.

ShBA-ja dhe Britania e Madhe kanë bërë bujë të madhe në të kaluarën, për mbrojtjen e lirisë së lundrimit në ujërat ndërkombëtare, përfshirë në Detin e Zi. Çuditërisht, më 24 shkurt, ata në fakt ia dorëzuan këto ujëra Rusisë, marina e së cilës bombardon dhe rrethon qytetet dhe portet e Ukrainës, sipas tekave të veta.

Krerët e mençur bëjnë me dije për kujdestarinë e Turqisë ndaj konventës obskure të vitit 1936, që kufizon kalimin përmes Bosforit në kohë lufte. Kujt po ia ndien tash për këtë!? Recep Tayyip Erdogani duhet t’i ndihmojë partnerët perëndimorë. Është koha që ai mujshari i Turqisë që po seniloset, të merret me përgjegjësitë e veta, ku përfshihet edhe mirëpritja e aplikantëve për NATO – Finlandës dhe Suedisë.

Ngurrimi i NATO-s për të marrë iniciativë, në vend se të reagojë pasivisht ndaj veprimeve ruse, është gjithashtu i pakuptueshëm. Propozimet për një zonë ndalim-fluturimi dhe për streha të sigurta për refugjatët në Ukrainën perëndimore, vazhdimisht po refuzohen si shumë të rrezikshme. Pra, guxoni të provoni diçka tjetër! NATO-ja i ka muskujt dhe mjetet. Mund të bëjë shumë më tepër për ta ndaluar vrasjen sistematike të civilëve dhe për ta shtyrë Rusinë prapa, siç kam argumentuar më parë këtu.

I braktisur, për të luftuar i vetëm, Zelenskiy kërkon armë të rënda, por lutjet e tij shpeshherë mbesin të paplotësuara – ose përgjigjet vonohen. “Duhet të jemi seriozë në lidhje me furnizimin e ushtrisë [së Ukrainës] në mënyrë që ajo të mund të bëjë atë që bota ia kërkon të bëjë: ta luftojë një superfuqi botërore, e vetme në fushën e betejës”, thotë gjenerali amerikan Philip Breedlove, ish-komandant i NATO-s në Evropë. Ka të drejtë.

Nuk është mirë të mbështetesh në sanksione, siç dëshmoi BE-ja sërish gjatë javës së kaluar. Ishte i çuditshëm vendimi i saj për ta lejuar mini-Putinin e Hungarisë, Viktor Orbanin, që ta hollojë me ujë embargon e nafte. Megjithatë, janë të kënaqur Olaf Scholzi i Gjermanisë dhe shokët e tij euro-luhatës. Detyra u krye për naftën, tani ata do të rezistojnë më me kokëfortësi ndaj asaj që kanë më së shumti frikë bankierët dhe biznesmenët e tyre: sanksionet për gazin.

Ndoshta, më e vështira për t’u kuptuar është arsyeja se pse disa qeveri perëndimore vazhdojnë të bëjnë, si deri tash, biznes me Putinin për të cilin e dinë, me siguri, se po i mbikëqyrë mizoritë dhe krimet e luftës. Scholz dhe Emmanuel Macroni i Francës mbajnë biseda të rregullta telefonike me të. Thuhet se janë realistë që kërkojnë paqe. Jo. Ata janë leshko që i normalizojnë vrasjet masive.

Diplomatët e sofistikuar shpjegojnë se është e nevojshme të ruhen kanalet e komunikimit. Të frikësuar nga destabilizimi i Rusisë bërthamore, duan t’ia japin Putinit një “rrugëdalje”. Por, nuk po e kuptojnë. Putini “mesianik” thjesht nuk po dëgjon.

Një enigmë tjetër: pse në mbarë botën po tolerohet shpërndarja e paturpshme e dezinformatave të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov? Pse ambasadorët e Rusisë marrin kohë falas nëpër transmetime, për të gënjyer? Është koha që të gjithë ta thyejnë qafën, të dërguarit perëndimorë në Moskë të tërhiqen dhe 300 miliardë dollarët e aseteve të ngrira të bankës qendrore ruse të përdoren për të rindërtuar Ukrainën.

Arsyeja se pse vazhdon mosndëshkimi i tillë është se Kina dhe India, megjithëse janë betuar se do ta respektojnë kartën e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar, në vend të kësaj preferojnë të përfitojnë nga agonia e Ukrainës duke blerë energji ruse me çmim të ulët. Ndërkohë, vendet në zhvillim e konsiderojnë veten si viktima të pafajshme të një konflikti të largët që nuk ka asnjë lidhje me to.

Mjerisht, mungon konsensusi global për Ukrainën. Por, në fund të fundit, janë kontradiktat politike dhe ndrojtja e vetë aleatëve perëndimorë që më së shumti po e minojnë Kievin, në një moment kritik, 100 ditë pas luftës. Reagimi i dobët është pozicioni i tyre i paracaktuar. Nuk veprojnë siç duhet.

Të frikësuar nga aludimet bërthamore të Putinit, të frikësuar nga përshkallëzimi dhe të alarmuar nga rritja e kostove të brendshme, udhëheqësit perëndimorë, thellë në vetvete janë të frikësuar se Ukraina mund të fitojë. Në të njëjtën kohë, janë të përkushtuar – politikisht, moralisht, retorikisht – për të qenë të sigurt se nuk do të humbasë.

Konfuzioni i deritashëm që përfaqëson disavantazhin në dy situata të ndryshme, personifikohet nga Bideni. Duke i sqaruar qëllimet e luftës së ShBA-së, gjatë javës së kaluar këmbënguli se Rusia duhet ta “paguajë çmimin e madh”. Nëse kalon pa u ndëshkuar, do të “hapet diku tjetër dera e agresionit, me pasoja katastrofike për mbarë botën”.

Megjithatë, edhe pse rrezikon, Biden shmangi përmendjen e cilësdo fitore për Ukrainën. Nuk kishte asgjë për fitoren. Në vend të kësaj, foli në mënyrë të paqartë për negociatat e ardhshme, ndërsa ofroi garanci personale për Putinin. Shtetet e Bashkuara nuk e kërkuan përmbysjen e tij, tha ai. As NATO nuk do të sulmojë, pos nëse nuk sulmohet.

Duke i kundërshtuar deklaratat e fundit të Pentagonit, Biden këmbënguli: “Nuk duam ta zgjasim luftën vetëm për t’i shkaktuar dhimbje Rusisë”. E injoroi kërkesën maksimaliste të Sekretares së Jashtme të Britanisë së Madhe, Liz Truss, për tërheqjen e plotë ruse nga Krimea dhe nga i gjithë Donbasi.

Synimet shumë modeste të luftës së Bidenit janë një manifest për gjithë këtë konfuzion. Ku e çon kjo Ukrainën? Ende e vetmuar, ende pa armë thelbësore moderne dhe ende duke luftuar për jetë me njërën dorë të lidhur pas shpine – nga miqtë e saj më të ngushtë.

Dhe, ku e çon kjo Perëndimin? Në frikë, në mesë të fitores dhe disfatës dhe, duke shpresuar, duke u lutur për një formë të kompromisit të keq – nëse Ukraina mund të shmangë kapitullimin dhe nëse Putini përfundimisht denjon të pranojë territor dhe imunitet në këmbim të ndalimit të tmerrit.

Kjo qasje e gjunjëzuar garanton vetëm një gjë: lufta do të vazhdojë dhe do të vazhdojë. Diplomacia është bllokuar. Sanksionet kanë efekt të kufizuar dhe, për sa i përket çmimeve të energjisë, po e dëmton Evropën më shumë se vet Rusinë. Vetëm rritja e presionit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ushtarak të NATO-s mund ta ndryshojë këtë dinamikë.

Duke bërë fushatë në vitin 2020, Biden u zotua t’i jepte fund asaj që ai i quajti “luftërat e përhershme” të Amerikës. Tani, duke goditur me më pak forcë seç duhet, ai dhe udhëheqës tjerë perëndimorë pikërisht kështu po i dënojnë ukrainasit. /Telegrafi/