LAJMI I FUNDIT:

Për politikën dhe urrejtjen mes shqiptarëve

Për politikën dhe urrejtjen mes shqiptarëve
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Është e frikshme klima e mos durimit tek shqiptarët, e animozitetit deri në përmasa të urrejtjes. Nuk është fenomen i ri, madje nuk është as fenomen. Është dukuri. Dhe, e pakta që mund të thuhet për këtë është se kjo frymë është e pështirë, se të ngjall krupë, se është e neveritshme…

Është lehtësisht e kuptueshme se politika, partitë politike e politikanët janë ata që e kanë mbjellë këtë virus (që për mua është më i frikshëm sesa koronavirusi me të cilin po përballemi sot). Fatkeqësisht, janë politikanët ata që tek shqiptarët po i përkufizojnë përcaktimet ideore të individit. Mund të jesh njeri me shumë vlera, të posedosh ekspertizë të jashtëzakonshme, por po nuk pate devotshmëri ideologjike dhe partiake, në këto hapësira mund të ngelesh “nullity” (mosqenie ).


Politika në këto troje është diçka e veçantë. Çështja partiake këtu, në mënyrë të detyrueshme qëndron në kundërshtim me partitë tjera dhe, si pasojë, mundësia e konfliktit, e tensionit dhe e luftës është ndërtuar brenda vetë strukturës së politikës. Përkatësia politike është partizane, d.m.th. duhet të manifestosh besnikëri dhe pasion të pakusht, njësoj si të jesh tifoz i Mançesterit apo i Barcelonës.

Mendësia partizane është karakteri i politikës shqiptare. Këto dalldisje pasionante nuk ndodhin veç mes partive të ndryshme, por edhe brenda vetë partive, meqë individët dhe grupet e ndryshme me epsh e pretendojnë pushtetin. Dikush e ndërlidh pushtetin me famën, e dikush tjetër me interesin material.

Historiani amerikan Henry Adams, me të drejtë reflektonte – në mënyrë cinike – se politika është “organizimi i urrejtjeve”. Kjo thënie ka shumë të vërteta. Ndoshta politikan i mençur – ashtu siç e quante dikur Sokrati, intelektualin – është ai që përpiqet ta kanalizojë dhe ridrejtojë këtë urrejtje dhe këtë armiqësi drejt një gjëje më të mirë.

Kjo e shtron pyetjen nëse është e mundur që politika të shndërrohet nga një mjet për pushtet, në një mjet që i afron njerëzit, që e zbut konfliktin me miqësi, drejt harmonisë? Shumë njerëz, përfshirë edhe mua, kanë shpresuar se me kohën do të lindin politikanët urtakë, ata që do të mund ta ndryshojnë strukturën themelore të politikës së vjetër dhe do ta organizojnë botën tonë rreth parimeve themelore të drejtësisë dhe të dinjitetit njerëzor.

A është e mundur një gjë e tillë?

Nuk mund të përjashtohet, por politika zhvillohet në kontekstin e të veçantës; bëhet e mundur brenda një strukture të veçantë shoqërore. Politikanët nuk zbresin nga Qielli (edhe pse ka prej tyre që mendojnë që janë hyjnorë). Ata janë produkt i shoqërisë. Cilësia e një politike përcaktohet nga ne, nga mënyra e jetës, nga praktikat morale, ndoshta edhe fetare, nga zakonet e nga normat. Shkurt, përcaktohet nga gjithçka që e bën një popull.

Politika e një kombi e shpreh edhe nivelin etik të tij. Përmes politikës ne e manifestojmë karakterin tonë dallues si specie të veçanta njerëzore. Cilësia e politikës sonë e tregon ndoshta karakterin tonë të përbashkët, me tipare dhe cilësi të veçanta.

Së fundmi, nuk jemi rastësisht këtu ku jemi. Nuk na e kanë fajin fqinjët. Ne nuk e duam veten tonë; nuk i duam fëmijët tanë e as të ardhmen e tyre.

Në mënyrën më morbide: e duam veç urrejtjen!