LAJMI I FUNDIT:

Për OJQ-të dhe shoqërinë civile

Për OJQ-të dhe shoqërinë civile

Përgjithësisht, shoqëria jonë civile është sikur ai trimi që donte t’i bashkëngjitej kaçakut në mal, por që gjithë çfarë mund të bënte për të, ishte që ta vajtonte atë, në rast se kaçakun e zinte hyçymeti.

Megjithatë, shoqëria jonë civile ka edhe një tipar. Një tipar të veçantë, destruktiv, që shoqin nuk ia gjen në botë.


Si ta shpjegoj këtë tipar dallues?

Me një metaforë, se nuk po mund ta them ndryshe.

Rrini me mua, nja 4-5 minuta!

A keni parë ndonjëherë pamje dhe fotografi të ndonjë vendbanimi pas tërmetit?

Rrugët shkatërrohen, urat e ndërtesat kolapsojnë, kasollet, shtëpitë, lokalet ndihmëse, stallat, plevicat, lokalet – rrafsh me tokë. Shkretëtirë! Por, tek-tuk sheh ndonjë ndërtesë të bërë me material të fortë dhe me mjeshtëri të rrallë, që është dëmtuar, por nuk është shkatërruar. Sheh një urë të vjetër me harqe, mbi të cilën makinat ende mund të kalojnë. Diga e liqenit artificial i paska qëndruar tërmetit. Më tej, sheh se objektet e kultit, xhamitë dhe kishat janë në këmbë. Godina e stacionit të trenit, një ngrehinë njëqindvjeçare nuk ka as gjurmë katastrofe. Muret e kalasë, sikur mileniumit, i paskan qëndruar edhe këtij tërmeti.

E tash, më dëgjoni diçka: llogaritni këto objekte që i përmenda, jo si objekte fizike, por si simbole të institucioneve dhe vlerave, që u kanë qëndruar dekadave e shekujve dhe vazhdojnë ta ndihmojnë një popull të jetojë e të krijojë vlera.

Llogaritni urën, digën, ndërtesat që i kanë rezistuar trandjes, kalanë e objektet e kultit, si simbole të lidhjes mes njerëzve, imunitetit nga e keqja, simbole të kodeve fetare e morale, traditës, familjes e dashurisë mes njerëzve!

Eh, tash…

Nëse do të paraqitej buzë një shkretëtire, ku ka ndodhur tërmeti shkatërrues, a e dini se çfarë do të bënte shoqëria jonë civile?

Do t’i përvilte mëngët dhe do t’ia niste punës, jo për të ndihmuar e sanuar dëmet, por… për të shkatërruar këto objektet që kanë mbetur në këmbë. D.m.th. së pari, eja t’i shkatërrojmë këto objektet/institucionet që u kanë qëndruar tërmetit/shekujve dhe pastaj i rregullojmë edhe disa kasolle dhe i fotografojmë për fletushkat e vizibilitetit.

Ja, ky është modus operandi (metoda e punës, qasja), e shoqërisë civile në Kosovë!

Tjerat, janë pallavra, të mbuluara me shumë fjalë të bukura dhe me pak histeri.

Histeri destruktive!

Dhe, për fund edhe diçka: po thonë që shoqëria civile te ne nuk është duke bërë asgjë. Unë, nuk pajtohem me këtë konstatim. Si ilustrim, ja një rrëfim për Nasradinin.

I kishin pas ra plaçkitësit Nasradinit në shpi, kur ky s’kish qenë aty dhe ia kishin ‘fshi’ shtëpinë. Kur u kthye Nasradini, njerëzit po e pyesin:
– A po mërzitësh, Nasradin?
– Jo bre nuk po mërzitem, po m’ka metë marak me pas qillue n’shpi.
– Le, bre Nasradin, po s’kishe mujt me qëndrue (rezistu).
– Jo, jo, – po u thotë ky – po n’atë hallakamë, edhe unë kisha marrë diçka e e kisha pshtue prej plaçkitësve!

Unë mendoj se shoqëria civile ka qëllue ‘n’shpi’ e po i “shpëton’ do ‘sende’, nuk po ia le krejt qeverisë hajdute!