LAJMI I FUNDIT:

PËR NËNËN

PËR NËNËN
Vepër e artistit Tony Luciani, me nënën e tij

(Fabul)

E solli në shqip: Bajram Karabolli


Dy miq u takuan dhe shkuan të pinë kafe bashkë. Njëri nisi t’i ankohet tjetrit:

– Ime ëmë përherë më merr në telefon dhe kërkon që të takohemi e të bisedoj me të. Ç’është e vërteta unë rrallë e takoj, sepse dihet më se si janë pleqtë. Mezi durohen. Të lodhin e të mërzitin: tregojnë përherë të njëjtat gjëra. Gjithsesi, nuk kam as kohë: puna, detyrimet ndaj miqve …

– Unë – e ndërpreu miku i tij – përkundrazi takohem dhe bisedoj shumë me nënën time. Sa herë që më pllakos mërzitja, kur ndihem i vetmuar apo kur kam probleme, shkoj tek ajo, qaj hallin me të dhe çlirohem, ndihem më mirë.

– Dreqi ta marrë! – u skuq nga turpi tjetri. – Të lumtë, miku im! Vërtet, je më i mirë se unë.

– Jo, nuk është e vërtetë – iu përgjigj aty për aty tjetri. – Jam njësoj si ti. Unë e vizitoj mamanë në varreza. Ka ca që ka vdekur. Ama kur ishte gjallë, unë nuk shkoja ta takoja dhe të bisedoja me të, sepse mendoja njësoj si ti. Por, tani që ajo s’është më, nuk e merr dot me mend se sa e ndiej mungesën e saj, sa më merr malli për të. Prandaj, miku im, ki parasysh përvojën time të hidhur dhe shko e takoje mamanë, bisedo me të, vlerëso tek ajo virtytet e saj, që sigurisht nuk i mungojnë; sa për të metat e saj, mos ia vër veshin, sepse edhe ato janë pjesë e qenies sonë. Shko takoje nënën, mos prit të iki në varreza, sepse nuk kthehet më, dhe do të pendohesh e do të të dhemb zemra, do të ndiesh një zbrazësi në shpirt që kurrë nuk do ta mbushësh dot më. Shko pra, takoje, që mos të të ndodhë ajo që më ndodhi mua.

Ai që kishte nënën gjallë i hipi makinës dhe iku, ama nuk i hiqeshin nga mendja ato që i tha miku i vet. Me të mbërritur në zyrë, thirri sekretaren dhe i tha:

– Të lutem, më lidh urgjentisht me mamanë. Dhe sa herë të më kërkojë në telefon, ma kalo menjëherë. Madje, sot ndryshoje gjithë agjendën time. Këtë ditë do t’ia kushtoj nënës.