LAJMI I FUNDIT:

Për 8 Mars: Gruaja në pesë pozita

Për 8 Mars: Gruaja në pesë pozita

Data 8 mars nuk ka ndonjë domethënie në Evropë, por te ne në Kosovë dhe në ish-vendet e sistemit socialist cilësohet si ditë feste që shënon arritjen e të drejtave të gruas apo emancipimin e saj. Rruga e barazimit të gruas me burrin, duke filluar nga djegia e saj në turrën e druve për shtrigani e deri sot, ka qenë e gjatë dhe e vështirë.

Më poshtë, nëpërmes pesë shembujve do të shohim pesë momente që paraqesin po aq pozita që kishte gruaja gjatë historisë së re nëpër të cilat ajo kaloi për të mbërritur ku është sot. Të gjithë shembujt, pos njërit, janë nga realiteti i jetës së gruas në Britani të Madhe. Por, këta shembuj dhe suksesi i tyre u reflektua edhe në pozitën e gruas anë e mbanë botës. Shembujt më poshtë flasin për pozitën denigruese të objektit seksual që kishte gruaja, në të cilën e kishte vendosur burri. Por, këtë pozitë e përmirësoi ajo vet me mundime dhe sakrifica.


POZITA 1: HAPI PERANDORAK

Pozita e parë ka të bëjë me fundin e shekullit XVIII dhe flet për një gjendje tejet të pabarabartë që kishte gruaja ndaj burrit. Një vizatim/karikaturë satirike e Ekatarinës, mbretëreshës ruse, flet për këtë rast. Ky vizatim sot ruhet në muzeun britanik, por është botuar në mars të vitit 1791 në ‘The Bon Ton Magazine’ me titullin ‘An Imperial Stride’ (Hapi perandorak). Në vizatimin që shihet më poshtë, mbretëresha ruse Ekatarina, njërën këmbë e ka të vendosur në Shën Peterburg kurse tjetrën në majë të një minareje në Stamboll, derisa koka e saj është e kthyer në të djathtë. Kjo pamje ilustron simbolikisht ambiciet pushtuese ruse në drejtim të territoreve otomane të cilat shtoheshin me rritjen e fuqisë ushtarake të shtetit të Ekatarinës.

Por, kjo nuk është e tëra. Vizatimi nuk e konsideron Ekatarinën si sunduese, por si femër e cila në atë kohë në mendjet e burrave të Evropës nuk duhej të ishte më shumë se sa një objekt seksual. Një gjë të këtillë e vërteton pjesa e poshtme e vizatimit. Nën këmbët apo nën fustanin e Ekatarinës qëndrojnë shtatë burra (sovranë) të cilët simbolikisht paraqesin fuqitë evropiane të asaj kohe. Ata janë me kokë të ngritur lartë dhe shikojnë aty ku u shkon syri burrave kur gjenden nën këmbët apo nën fustanin e grave. Ata japin komentet e tyre. Sunduesi i Venedikut, i habitur, thotë: ‘Në çfarë gjatësie mund të shtrihet një Fuqi’; Papa: ‘Kurrë nuk do ta harroj këtë’; Mbreti i Spanjës: ‘Do t’ia kisha zhvesh edhe lëkurën’; Mbreti i Francës, Luigji XVI: ‘Kurrë nuk kam pa diçka të këtillë’; Mbreti britanik, George i III-të: ‘Çfarë zgjerimi i madh’; Perandori: ‘Ngritje e mrekullueshme’; dhe, më në fund flet edhe sulltani: ‘Tërë armata turke nuk do ta ngopte’.

Të gjitha këto komente të këtyre burrave që përfaqësonin Fuqitë e Mëdha kishin të bëjnë me organin seksual të Ekatarinës e jo me personalitetin e saj të sundueses. Ajo, nga fakti që ishte femër, nuk konsiderohej e denjë për sundim, por ishte objekt seksual çfarë ekzistonte në mendjet e burrave të asaj kohe dhe e cila gjë zbatohej edhe në praktikë. Për ta plotësuar indinjatën e këtyre burrave, Ekatarina paraqitet si grua me fytyrë të shëmtuar. Ekziston edhe varianti francez i këtij vizatimi i cili është edhe më denigrues. Aty Ekatarina paraqitet në një formë edhe më seksuale pasi që gjinjtë i ka të nxjerra jashtë fustanit. Kjo ishte vlera e gruas dhe ajo ekzistonte vetëm sa për t’i kënaqur burrat. Nuk kishte tjetër rol dhe domethënie.

PAMJA 2: ‘DHUNIMET E SHQIPTAREVE’?

Para pak kohësh, disa media shqiptare botuan disa vizatime të ‘ushtarëve turq që dhunonin gra shqiptare’. Këto ishin vizatime të ilustratorit austriak Gottfried Sieben që i kishte titulluar “Balkangreuel” (Tmerret Ballkanike). Sieben nuk e kishte vizituar kurrë Ballkanin. Kjo ishte arsyeja që ai këto vizatime i botoi nën pseudonimin Archibald Smith që të tingëllonte më besueshëm, pasi që vetëm anglezët që vizitonin Ballkanin e botonin vizatime kredibile nga terreni – por asnjëherë me këso pamje.

Britanikët, serbët dhe shqiptarët: Si ndërtohen perceptimet ndaj popujve dhe si ndikojnë ato në politikat e jashtme?
Lexo po ashtu Britanikët, serbët dhe shqiptarët: Si ndërtohen perceptimet ndaj popujve dhe si ndikojnë ato në politikat e jashtme?

Vizatimet e Gottfried Siebenit nuk kishin aspak të bëjnë me dhunime seksuale të grave shqiptare dhe ai as që i kishte emëruar kështu. Dhunuesit, gjykuar sipas veshjeve, mund të ishin turq, sllavë po edhe të tjerë. Botimi i këtyre fotografive te ne u bë për shkak të joprofesionalitetit të mediave shqiptare ose për të kënaqur agjendën antiturke. Në realitet, në mesin e këtyre vizatimeve shihet një grup i burrave shqiptarë në një skenë në rolin e dhunuesve. Por, Sieben nuk e kishte përcaktuar përkatësinë nacionale të femrave të dhunuara. Femra këtu ishte objekt seksual që nuk vërehet se e kundërshtonte ‘dhunimin’. Ajo paraqitej e bukur dhe e re apo në forma të pamjeve të femrave që sot quhen Porn Star (Yje pornografike). Sieben i kishte paraqitur femrat në pozita erotike dhe pornografike ashtu siç dëshironte t’i shihte apo imagjinonte mendja shoviniste e burrarve nga vendet e Evropës Qendrore.

PAMJA 3: E DREJTA E VOTIMIT

Kjo pamje ka të bëjë me fotografi lëvizëse. Fjala është për filmin dhe lëvizjen ‘Suffragette’ e cila ishte një organizim i grave që kërkonin të drejtën e votës në Britani të Madhe. Kjo ishte një kërkesë të cilën burrat e gjithëpushtetshëm jo vetëm që e shihnin me habi, por edhe si të papranueshme, pasi që mendohej se gruaja nuk ishte e denjë të merrej me punët e burrave siç ishte e drejta e zgjedhjes dhe e drejta për të qenë i/e zgjedhur. Kjo është arsye që burrat e përbuznin dhe e poshtëronin edhe më shumë gruan, pasi që ajo parashtronte kërkesa të papranueshme për ta.

Në filmin ‘Suffragette’, një femër 24-vjeçare e quajtur Maud Watts (interpretuar shkëlqyeshëm nga aktorja Carey Mulligan), në vitin 1912 i bashkëngjitet lëvizjes që udhëhiqet nga legjendarja Emmeline Pankhurst. Nëpërmjet personazhit të imagjinuar të Maud Wattsit paraqiten problemet e mëdha me të cilat ballafaqohej femra në fillim të shekullit XX kur asaj, me përparimin e industrisë, po i shtohej edhe barra e eksploatimit. Personazhi kryesor, që është një grua e re dhe e zakonshme, përjeton të gjitha vështirësitë, që nga dhunimi i saj seksual sa ishte ende e re nga punëdhënësi i saj, e deri te ndarja nga burri pa të drejtë trashëgimie dhe pa të drejtë kujdestarie ndaj fëmijës. Gruaja britanike e asaj kohe kishte plot obligime e fare pak të drejta.

Këtë gjendje gratë kishin vendosur ta përmirësonin vet. Sakrificat ishin të shumta dhe nuk sollën rezultate deri më 1913. Në këtë vit, aktivistja e ‘Suffragette’, Emily Wilding Davison, e cila ishte burgosur disa herë vetëm për shkak se kërkonte të drejtën e votës, bëri diçka që më nuk mund të injorohej nga establishmenti britanik. Në mënyrë që ta popullarizonte më tej kauzën (çështjen e votimit), ajo bëri vetëvrasje në mënyrën më publike që mund të ekzistonte në Britani të Madhe. Me 8 qershor 1913, shkoi në Epsom Derby, në hipodromin e garave me kuaj, ku ndodheshin disa dhjetëra mijëra shikues dhe i doli përpara kalit të mbretit George V që po vraponte me tërë shpejtësinë. Emily Wilding Davison vdiq në vend nga plagët që i merr. Por, kjo e tmerroi publikun e burrave të cilët filluan ta kuptonin seriozitetin e lëvizjes së grave.

Gratë organizuan një varrim spektakolar të Emily Wilding Davisonit. Funeralit të saj iu bashkuan me mijëra burra. Më në fund burrat e kuptuan se gratë e kishin seriozisht punën e barazisë dhe Parlamenti Britanik më 1918 nxori ligjin me të cilin i barazoi, në fillim pjesërisht, por më vonë tërësisht gratë me burrat në të drejtën e votimit.

PAMJA 4: ‘MADE IN DAGENHAM’

‘Made in Dagenham’ është një pamje që shënon evoluimin e të drejtave të grave për paga më të larta. Filmi është xhiruar në vitin 2011 nën regjinë e Nigel Cole. Gratë punëtore të fabrikës së automobilave ‘Ford’, në Dagenham të Londrës, kërkojnë të paguhen njësoj si kolegët e tyre burra. Ato, në vitin 1968, hyjnë në një grevë të gjatë dhe ia dolën ta bindnin qeverinë, opinionin dhe më në fund Parlamentin Britanik për kërkesën e tyre të drejtë.

Edhe në këtë rast gratë përqeshen nga burrat vetëm për shkak se ato kërkojnë rroga të njëjta. Deri më 1968, mentaliteti i burrit kërkonte që gruaja të mos meritonte pagesë të njëjtë me ta pasi që ajo fizikisht dhe mendërisht ishte nën nivelin e burrave. Duhet dalluar një skenë nga ky film që ilustron shembullin. Dy burra, njëri drejtor i fabrikës së ‘Fordit’ në Dagenham, bisedon me drejtorin e përgjithshëm të ‘Fordit’ që vjen nga SHBA-të për zgjidhjen e problemit të grevës. Kur ata po kërkonin zgjidhjen, gruaja e drejtorit të ‘Fordit’ në Dagenham, Lisa Hopkins / Burnett – interpretuar nga aktorja e shkëlqyeshme Rosamund Pike – ofron mendimin e saj në lidhje me zgjidhjen e problemit. Ajo është e diplomuar në Universitetin e Oksfordit por kjo është punë e kotë pasi që nuk vlerësohej nga burrat britanikë në atë kohë. Kur Lisa ndërhyn në bisedë, duke ofruar mendimin e saj për zgjidhjen e krizës, burrat shtangen nga guximi i saj. Me këtë rast, burri saj, duke e ndje veten të poshtëruar para drejtorit amerikan, me nervozë i thotë Lisës: ‘Shko në kuzhinë dhe vnoje gjygymin për qaj’. Me fjalë tjera, ‘shko atje ku e ke vendin’!

Megjithatë, si rezultat i aktivitetit këmbëngulës të grave punëtore të Dagenhamit, të cilës iu bashkua edhe Lisa (gruaja e drejtorit) u nxor ‘Equal Pay Act 1970’ (Ligji për Rroga të Barabarta të vitit 1970).

PAMJA 5: ZONJA E HEKURT

Filmi ‘The Iron Lady’ (Zonja e Hekurt) është gjiruar në vitin 2011 ku shfaqet biografia e Margaret Thatcherit, rolin e së cilës e luan aktorja e famshme Meryl Streep. Kur në vitin 1958 një grua e zakonshme, por me ambicie politike, kërkon nga partia e saj që ta kandidojë për anëtare të Parlamentit, të gjithë burrat shqetësohen, kurse disa edhe e përqeshin. Vetëm burri saj, Denis Thatcher, beson në fuqinë e gruas së tij dhe për këtë edhe e përkrah vazhdimisht. Përkundër vështirësive që ia krijonin burrat e partisë së saj konzervative, Thatcher arrin të kandidohet dhe të zgjedhet anëtare e Parlamentit në vitin 1959.

Hyrja e saj në Parlament ndryshoi politikën dhe mendjen konservative të burrave britanikë. Vullneti dhe dëshira e saj për punët politike dëshmoi se ishte më e fuqishme se ajo e burrave. Edhe në këtë rast burrat e përqeshnin dhe e përbuznin me të madhe Maggien (siç e quanin ndryshe nga shkurtesa Margaret). Megjithatë, Maggie ia arriti që në vitin 1975 të zgjedhej edhe udhëheqëse e Partisë Konzervative. Në vitin 1976, në një fjalim të fuqishëm që mbajti në sallën e komunës Kensington të Londrës, e sulmoi ashpër politikën komuniste sovjetike dhe përkrahësit e saj në Britani të Madhe. Për shkak të këtij fjalimi, gazeta sovjetike ‘Krasnaya Zvezda’ e quajti Maggien ‘Zonja e Hekurt’.

Megjithatë, ‘Zonja e Hekurt’ kishte probleme të mëdha me burrat në politikë dhe jashtë saj. Ajo nuk shihte se barazimi i plotë i grave me burrat në politikë të bëhej shpejt. Në një rast pati deklaruar se gjatë kohës së saj në Britani nuk do të kishte kryeministër grua për shkak të mentalitetit shovinist të burrave. Në fakt, ajo këtu gaboi pasi që vetë u bë kryeministër dhe shërbeu 11 vite në këtë pozitë. Thatcher e udhëhoqi qeverinë konzervative britanike nga viti 1979 deri në vitin 1990. Britania e Madhe gjatë qeverisjes së saj ndryshoi shumë, për të mirë por edhe për të keq, pasi që Margaret Thatcher qeverisi si burrat. /Telegrafi/