LAJMI I FUNDIT:

Pensionet, ende pa rritje

Pensionet, ende pa rritje

Rreth 17 mijë pensionistë kontributdhënës kanë arritur që t’i sigurojnë dokumentacionet për të aplikuar në kategorizimin e pensioneve kontributpagues. Por, edhe pse konkursi ka përfunduar më 31 mars pensionistët kontributdhënës ende nuk kanë arritur të marrin pensionet me rritje sipas Udhëzimit Administrativ, që ka dalë nga Ligji për Skemat Pensionale.

Ashtu siç parashihet Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë për gazetën “Zëri” se ka përfunduar afati i dorëzimeve, por që këto dokumente tashmë janë duke u verifikuar. Abrashi ka bërë të ditur se shumë shpejt pritet që të vendoset në mbledhjen e Qeverisë për shumën e secilës kategori dhe më pas do të fillojnë pensionet me rritje. “Janë diku rreth 17 mijë aplikime që janë bërë nga pensionistët, janë duke u përpunuar, por këto ditë vendosim në Qeveri për shumën e secilës kategori.


Dhe sapo të vendoset do të fillojmë menjëherë me pagesat, pasi që mjetet i kemi të siguruara”, ka thënë ai. Shaban Kajtazi, kryetar i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, ka thënë se pas 17 vjetësh është bërë një progres tek pensionistët dhe që, sipas tij, pritet të përmirësohet gjendja edhe më tutje. Por Kajtazi thotë se pensionistët kanë pasur probleme në kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm.

Ai thotë se ka pasur ankesa të shumta nga pensionistët, që i janë djegur diplomat ose ato u kanë mbetur nëpër fakultetet jashtë vendit sidomos në Beograd dhe Zagreb, që nuk kanë mundur të gëzojnë këtë të drejtë. Sipas tij, problem tjetër janë edhe kualifikimet interno të larta, të cilat nuk janë pranuar pasi që Ligji mbi Arsimin e Lartë nuk e njeh një diplomë të tillë. /Zëri/Telegrafi/