LAJMI I FUNDIT:

Pejës i mungon Veseli shkaku i vizës

Pejës i mungon Veseli shkaku i vizës

Sportistët kosovarë vazhdojnë të kenë probleme me viza edhe në vitin 2016. Së fundmi, basketbollisti i Pejës, Alban Veseli, nuk ka mundur të udhëtojë me ekipin e Pejës, në Bullgari, në kudër të Ligës Ballkanike, shkaku i mungesës së vizës.

Pejanët do ta zhvillojnë një ndër ndeshjet kryesore ndaj Levskit, pa një ndër lojtarët më të dalluar. Ky i fundit zbuloi arsyen pse nuk është pjesë e ekipit në ndeshjen që Peja e zhvillon ndaj Levskit të mërkurën mbrëma.


“Nuk kam udhëtuar me ekipin shkaku i vizës, të cilën nuk kam arritur ta rregulloj me kohë”, deklaroi Veseli për Zërin.

“Është shumë e rëndë që në këtë kohë në vend që të mendojmë të ngrihemi profesionalisht, ne duhet të merremi me punë të kota dhe të mos paraqitemi në ndeshje të caktuara për shkak të vizave”, deklaroi Veseli.

Peja të mërkurën do të kërkojë fitore në përballjen me Levskin, për t’i mbajtur gjallë shpresat për gjysmëfinale. Pejanët aktualisht renditen në pozitën e tretë me katër pikë, duke arritur një fitore dhe dy humbje, në tri ndeshjet e zhvilluara deri më tani.