LAJMI I FUNDIT:

Peja vazhdon në gjysmëfinale të Ligës Ballkanike

Peja vazhdon në gjysmëfinale të Ligës Ballkanike

Peja ka pësuar humbje nga Kozuvi në palestrën “26 prilli” në Gjevgjeli me rezultat 77-67, në atë që ishte ndeshja e dytë çerekfinale e Ligës Ballkanike. 

Çereku i parë për pejanët nuk ishte i mirë. Furia e vendasve ishte më e suksesshme pasi krijuan avantazh të thellë prej 15 pikësh, me saktësi të madhe nga loja e hapur dhe gjuajtjet e lira.


Peja nga ana tjetër tentoi të kthehej në çerekun e dytë, por e kishte vështirë. Pejanët zbutën disavantazhin në vetëm shtatë pikë pas pjesës së parë falë një loje të mirë në trapez, pasi nga perimetri përqindja e mysafirëve ishte shumë e dobët, vetëm 16 për qind, 3 nga 18 tentime të qëlluara në pjesë të parë për tri pikë.

Çereku i tretë ishte i balancuar, ku Peja ngushtoi disavantazhin në një pikë, por starti i periudhës së fundit penalizoi mysafirët. Ata realizuan vetëm 4 pikë për 6 minuta të periodës së fundit dhe kjo ndikoi që Peja të mos kishte gjasë për rikthim të rezultati.

Vendasit e Kozuv kishin konsolidim të mirë në mbrojtje, duke kontrolluar kundërsulmet dhe duke pasur kërcime me rëndësi në mbrojtje.

Peja kishte statistikë jo të mirë nga vija për tri pikë me saktësi vetëm 12 për qind me vetëm katër të realizuara nga 31 tentime.

Te Peja më i miri ishte Jamie Billie Skeen me 22 pikë e 9 kërcime, pasuar nga Miljanic dhe Rundles me nga 14 pikë. Alban Veseli nuk kishte natën e tij me vetëm 4 pikë e 10 kërcime.

Në këtë mënyrë, KB Peja vazhdon tutje me rezultat +7 nga dy ndeshjet duke u kualifikuar në gjysmëfinale. Në fazën tjetër do të ketë për kundërshtar Kumanovën. /Telegrafi/