Peja ia ndal hovin Sigal Prishtinës

Palestra Karagaçi ishte stërmbushur me rreth 2500 shikues, e shumica prej tyre i përkisnin tifozerisë “Shqiponjat” që dhuruan atmosferë impozante dhe përkrahje maksimale për skuadrën e tyre të zemrës, Pejën.
Bardhekaltërit e nisën furishëm me një seri prej 4-11, të cilat erdhën falë asistimeve maestrale të Dardan Berishës drejt Blerim Mazrekut që shënonte pa problem nën trapez. Mirëpo, në aksionet e radhës Samir Shaptahoviq shënoi 8 pikë radhazi (2 trepikësha) për t’i dhënë Pejës avantazhin për herë të parë në takim 12-11. Prej këtij momenti, mysafirët e humbën kontrollin e lojës, teksa Alban Veseli me pikët e tij i dha vendasve në fund të çerekut të parë pesë pikë epërsi 26-21.
Pejanët vazhduan me tempo të lartë edhe në çerekun e dytë, teksa Puljko, Veseli e Shaptahoviq bombarduan prishtinasit me trepikësha për ta ngritur epërsinë deri në 13 pikë, 40-27. Sidoqoftë, në skenë doli sërish Berisha i cili i shënoi 3 trepikësha për t’i dhënë pak shpresë skuadrës së tij, mirëpo Jan Mocnik në sekondën e fundit të pjesës së parë shënoi trepikësh dhe e ngriti epërsinë në 10 pikë, 51-41, për ta bërë edhe më interesante pjesën e dytë.
Në çerekun e tretë të dyja palët luajtën mbrojtje më të fortë, teksa pejanët bënë shumë ndërhyrje të palejueshme, me ç’rast edhe u përjashtua nga loja përforcimi i ri i tyre Jozo Brkic. Prishtinasit arritën ta ngushtojnë disavantazhin në 7 pikë në fund të kësaj periode 66-59.
Sapo filloi çereku i katërt, Berisha shënoi një trepikësh, mirëpo Gerti Shima iu kundërpërgjigj me të njëjtën mënyrë. Prishtinasit vazhduan me ofensivën e tyre dhe përmes pikëve të McGhee dhe Berishës e ngushtuan disavantazhin në vetëm dy pikë, 70-68. Mirëpo, Alban Veseli shënoi një trepikësh dhe përsëri Peja doli pesë pikë përpara 73-68.
Gjërat iu vështirësuan pejanëve kur edhe Drilon Hajrizi u përjashtua nga loja për shkak të 5 gabimeve personale. Kur semafori tregonte vetëm 1:27 sekonda të mbetur për lojë, Berisha shënoi dy gjuajtje të lira dhe e barazoi rezultatin në 82-82 për ta bërë shumë më dramatik fundin e ndeshjes.
Pas faulimit të Alban Veselit, Berisha shënoi edhe dy gjuajtje të lira dhe i dha epërsinë Sigal Prishtinës (82-84). Sidoqoftë, ky gëzim nuk i zgjati shumë mysafirëve sepse Shaptahoviq menjëherë e riktheu epërsinë në anën e Pejës me një trepikësh spektakolar (85-84). Mirëpo në aksionin e radhës Berisha përsëri shënoi për (85-86), e Shaptahu e lëndoi kokën dhe iu desh të largohej nga loja, duke e lënë Pejën kështu në vështirësi edhe më të madhe.
Veseli shënoi dy gjuajtje të lira dhe i dha epërsinë Pejës (87-86) kur kishin mbetur vetëm edhe 18 sekonda deri në fund të ndeshjes. Në aksionin e fundit të ndeshjes, Muhamed Hasani që nuk luajti fare tërë ndeshjen mori përgjegjësinë për të shutuar, mirëpo nuk qëlloi për treshe dhe kështu Peja e fitoi këtë ndeshje të madhe.
Më meritori për këtë fitore të Pejës, ishte Samir Shaptahovi me 26 pikë (4 trepikësha), dhe Alban Veseli me 20 pikë. Ndërsa, Sigal Prishtinës nuk i mjaftuan as 36 pikë e Dardan Berishës për ta fituar këtë ndeshje.
Me këtë fitore, Peja përsëri mbetet e dyta në tabelë me pikë të njëjta me Sigal Prishtinën që zë vendin e parë për shkak të koshaverazhit më të mirë. /Telegrafi/




















































