PDK tërhiqet nga procesi për Presidentin: Nuk u vlerësua konstruktiviteti ynë nga LVV-ja

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, duke akuzuar pushtetin aktual për mungesë vullneti politik dhe bllokim institucional.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Këshillit Drejtues të partisë, ku u diskutuan zhvillimet politike në vend, situata ekonomike, procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe çështje të tjera me interes politik dhe shtetëror.
PDK theksoi se ka treguar gatishmëri për një zgjidhje konsensuale për postin e Presidentit, pa kushte për pjesëmarrje në qeverisje, por sipas saj, mungesa e seriozitetit institucional nga ana e shumicës parlamentare e ka pamundësuar arritjen e marrëveshjes.
“Rrjedhimisht, PDK e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në këtë proces”, thuhet në deklaratën e miratuar nga Këshilli Drejtues.
Partia opozitare ka kritikuar gjithashtu qeverinë për, siç thotë, bllokadë të vazhdueshme institucionale dhe politizim të institucioneve shtetërore, duke vlerësuar se vendi po përballet me kriza të njëpasnjëshme politike.
PDK ngriti shqetësim edhe për gjendjen ekonomike, duke theksuar se qytetarët po përballen me rritje të kostos së jetesës dhe duke kërkuar masa urgjente për mbështetje financiare.
Në deklaratë, partia opozitare iu referua edhe procesit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke kërkuar vendim “të drejtë dhe të paanshëm” për ish-krerët e UÇK-së dhe duke ritheksuar bindjen për pafajësinë e tyre.
PDK gjithashtu rikonfirmoi orientimin euroatlantik dhe kërkoi forcim të partneritetit me aleatët ndërkombëtarë, si garanci për stabilitetin e vendit.
Në fund, Këshilli Drejtues vendosi që zgjedhjet e brendshme partiake të mbahen gjatë vitit 2026, me synim, siç u tha, forcimin e demokracisë së brendshme dhe përgatitjen e një alternative qeverisëse.




















































