Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it në Kosovë, Malcolm Simmons disa herë me radhë i është drejtuar me shkresë Kuvendit të Kosovës, me kërkesën që Komisioni Parlamentar për Legjislacion të dëgjojë deklarimet e tij lidhur me pretendimet për parregullsitë në funksionimin e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

Në lidhje me këtë në muajin nëntor të vitit të kaluar, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit kishte shqyrtuar shkresën nga Malcolm Simmons, për të cilën kishte vendosur që më 18 janar të këtij viti Simmons të vij e të raportoj, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të shpërbërjes së Kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Tani kur është bërë konstituimi i komisioneve, përfaqësuesi i Simmons, avokati Artan Qerkini ka thënë se e kanë përsëritur kërkesën për dëshmi në Komisionin për Legjislacion.

Anëtarja e këtij komisioni, si dhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Blerta Deliu-Kodra, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se parimisht janë pro raportimit të ish gjyqtarit të EULEX-it.

Sipas saj, raportimi i Simmons është në interes të informimit të qytetarëve për çështjet të cilat do të flasë.

“Ka kohë të gjatë që ai ka shpreh kërkesën për diskutimin e tij para deputetëve. Mendoj që është në interes të informimit të qytetarëve për çështjet të cilat do të flasë ai. Hajdar Beqa, në emër të partisë në takimin e fundit të Komisionit ka kërkuar që ta rikthej kërkesën e janarit, kur është shpërbërë parlamenti, sepse e dini që ka pas një kërkesë të deputetëve dhe të Simmons. E për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe shpërbërjes së Kuvendit është shtyrë që Simmons të raportoj para deputetëve në Kuvend. Kemi një parlament të ri, institucione të reja, dhe nuk po bëjmë asgjë më pak e as më shumë se sa çështjet që kanë filluar asokohe nga Donika Kadaj-Bujupi dhe me përkrahjen e disa anëtarëve deputet të Komisionit për Legjislacion, meqë ka një kërkesë sistematike të tij që t’i drejtohet Kuvendit. Mendojmë është në interes të Kuvendit dhe të proceseve që është duke kaluar Kosova si shtet”, ka thënë Deliu-Kodra.

Ndërkaq, ditë më parë në Komisionin për Legjislacion është diskutuar sërish rreth kësaj kërkese dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa kishte kërkuar nga kryetari i komisionit, Adnan Rrustemi, që të shpërndahet kërkesa edhe tek anëtarët e tjerë të komisionit.

Kërkesa për raportim nga ish gjyqtari i EULEX-it, Selmanaj: Duhet të bëjmë kujdes Kërkesa për raportim nga ish gjyqtari i EULEX-it, Selmanaj: Duhet të bëjmë kujdes

Mirëpo lidhur me këtë reagoi deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili tha se komisioni duhet të ketë kujdes në adresimin e kësaj çështje, pasi mund të dalin jashtë mandatit që e kanë.

“Ne duhet të kemi shumë kujdes në mandatin tonë dhe nuk guxojmë të dalim përtej tij. Nuk jam i sigurt se Komisioni për Legjislacion është adresë për njerëz që kanë bërë, ose nuk e kanë bërë punën si duhet dhe për mekanizmat ndërkombëtarë me misione në Kosovë për të ardhur dhe për ta raportuar neve, ose shpërla vetën pse s’kanë punuar ose diçka tjetër. Nuk mundemi ne të shndërrohemi në instancë gjyqësore, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komisioni për Legjislacion, Adnan Rrustemi, ditë më parë kishte thënë se në mbledhjet e ardhshme do të vendosin për një datë kur do të dëgjojnë dëshminë e ish-gjyqtarit të EULEX-it.

Ish-gjyqtari i EULEX-it sërish kërkon të raportojë në Parlamentin e Kosovës Ish-gjyqtari i EULEX-it sërish kërkon të raportojë në Parlamentin e Kosovës

Ndryshe, vitin e kaluar, ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons kishte deklaruar se ky mision në disa raste nuk i ka zbatuar parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm në Kosovë. /Telegrafi/