LAJMI I FUNDIT:

Komisioni i dërgon ftesë për raportim ish-gjyqtarit të EULEX-it, LDK e kundërshton

Komisioni i dërgon ftesë për raportim ish-gjyqtarit të EULEX-it, LDK e kundërshton

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka shqyrtuar shkresën nga Malclom Simmons, ish-kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it.

Komisioni me shtatë vota për ka vendosur që ta ftoj në raportim ish-kryetarin e gjyqtarëve të EULEX-in, Malclom Simmon.


Parashtruesja e këtij propozimi, Donika Kadaj-Bujupi nga AAK-ja ka thënë se përveq ftesës për të raportuar në këtë komision, është edhe për krijimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të shqyrtuar pretendimet që ka Simmon.

Mbështetje për të raportuar në këtë komision ish-gjyqtari i EULEX-it, i dha edhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

Tahiri tha se duhet të ndërmarrim të gjitha masat që të bëjmë një plan se si do ti qasemi çështjes së ish-gjyqtarit të EUELEX

“Duhet ta tratojë seriozisht një kërkesë tillë dhe sa më parë ti drejtohemi me një shkresë dhe të mos humbin kohë, në mënyrë që ai sa më parë të vie në Komision për raportim. Mendoj që ky komision është adekuat që duhet ta dëgjojë një dëshmi nga ish-gjyqtari në fjalë”, u shpreh Tahiri.

Edhe deputeti i LVV-së, Alban Hyseni është shprehur pro ftesës për raportim të Malclom, shkruan Telegrafi.

“Nuk duhet të kemi asgjë kundër që të dëgjojmë dëshminë e z.Malclom. Është çështje e ndjeshme dhe duhet të kemi kujdes në në mënyrën sesi do ta trajtojmë këtë çështje”, tha Hyseni.

Endrit Shala nga Nisma po ashtu u pajtua me propozimin e Kadaj-Bujupit për të ftuar në raportim ish-gjyqtarin e EULEX-it.

“Pajtohem me propozimin, detyrë e jona është që të fillojmë menjëherë që ta ftojmë në raportim para këtij komisioni”, u shpreh Shala.

E kundër këtij propozimi ishte Lidhja Demokratike e Kosovës. Shkëmb Manaj i cili është edhe kryetar i Komisionit për Legjislacion prezantoi qëndrimin e Grupit Parlamentar të LDK-së, ku tha se LDK-ja nuk e përkrahë këtë propozim.

“Ne si Grupi Parlamentar i LDK-së, nuk e mbështesim këtë propozim për dëgjimin e dëshmisë së z.Simmon para komisionit sepse konsiderojmë se ky ka qenë mision i BE-së dhe ai duhet të dëshmojë para autoriteteve të BE-së”, tha Manaj.

Ndryshe avokati Artan Qerkini ka folur rreth pretendimeve të ish-presidentit të gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons, ku akuzon disa prej ish-gjyqtarëve të EULEX-it për shkelje.

Qerkini ka thënë se Simmons është i gatshëm që të dëshmojë në Parlamentin e Kosovës për këtë gjë. /Telegrafi/