LAJMI I FUNDIT:

PDK kundër rritjes së çmimit të energjisë, kërkon nga ZRRE-ja raport të ri të pandikuar politikisht

PDK kundër rritjes së çmimit të energjisë, kërkon nga ZRRE-ja raport të ri të pandikuar politikisht
Ish-ministri i MMPH-së, Ferat Shala

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend duke thënë se nuk është koha, rrethanat dhe as mënyra e duhur për këtë gjë, duke i kërkuar Zyrës së Rregullatorit për Energji që të hartojë një raport të ri të pandikuar politikisht.

PDK thotë se kundërshtinë për shtrenjtimin e rrymës do ta bëjë brenda institucioneve shtetërore dhe nuk do të marrë pjesë në protestat e organizuara nga shoqëria civile dhe PSD.


Deputeti i kësaj partie, njëherë kryetar i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala u shpreh në një konferencë për media se planifikimi i përbashkët Qeveri-ZRRE për ngritjen e çmimit të energjisë, i prezantuar përmes raportit konsultativ, është manipulativ në shifra dhe në përmbajtje, si dhe është i paligjshëm dhe diskriminues.

“Si asnjëherë deri më tani, raporti konsultativ i Qeverisë dhe ZRRE-së, lë jashtë kufijve katër komunat e veriut të vendit duke mos i përfshirë në ngritjen tarifore që ka paraparë për pjesën tjetër të vendit. Pra kjo ndarje është e papranueshme dhe e paligjshme. Kjo është pabarazi e lartë mes qytetarëve të Republikës sonë. Kjo qeveri po heq dorë nga shtrirja e sovranitetit energjetik shtetëror, e në anën tjetër në kurriz të taksapaguesve të pjesës tjetër, paguan shpenzimet qindra milionëshe të pjesës veri”, tha ai.

Shala akuzoi Qeverinë e Kosovës se në vend që të sjellë alternativa të daljes nga krizat, ajo ka kundërshtuar të gjitha projektet alternative energjetike, si ai i gazit amerikan, i investitorëve strategjikë të energjisë së erës dhe i burimeve të tjera alternative.

Ai ftoi ZRRE-në ta rikthejë në pikën zero raportin konsultativ, dhe në një afat optimal të sjellë një raport profesional dhe gjithëpërfshirës, të pandikuar politikisht nga Qeveria e Kosovës.

“PDK i bën ftesë Qeverisë së Kosovës dhe ZRRE-së që ta rikthejë në pikën zero raportin diskriminues dhe sa më shpejtë të sjellë një raport optimal dhe profesional, një raport të pandikuar politikisht, një raport gjithëpërfshirës për të gjithë territorin e vendit dhe vetëm atëherë do të debatojmë për kërkesën e ngritjes së tarifave ose jo. Në rrethana të tilla aktuale, PDK është kundër ngritjes së çmimit të energjisë dhe do të punojmë me të gjithë kapacitetin demokratik në këtë relacion”, vijoi Shala.

Shala ka thënë se përpjekjet e tyre për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë do të bëhen brenda institucioneve shtetërore, duke konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në protesta.

Ai ka lënë të hapur mundësinë që individë të caktuar nga kjo parti mund të marrin pjesë në ndonjërën nga protestat e organizuara këto ditë, pasi është e drejtë e tyre qytetare.

“Partia Demokratike e Kosovës të gjithë punën e saj është duke e kryer brenda institucioneve shtetërore, brenda Parlamentit, brenda komisioneve parlamentare, brenda institucioneve të partisë dhe kjo tash për tash është mënyra jonë e reagimit dhe e punës në ridefinimin e kësaj situate të keqmenaxhaur nga qeveria. […] Nuk e mohojmë që kandidatë, individë të caktuar (të marrin pjesë në protestë) është e drejtë qytetare, PDK jo”, përfundoi Shala. /KP/Telegrafi/