LAJMI I FUNDIT:

PDK prezanton shifrat: Tarifa e rrymës është rritur edhe pse konsumi në katër muajt e fundit është mbuluar nga prodhimi KEK-ut

PDK prezanton shifrat: Tarifa e rrymës është rritur edhe pse konsumi në katër muajt e fundit është mbuluar nga prodhimi KEK-ut

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka ngritur dyshime për arsyen e rritjes së tarifave të energjisë elektrike, vendim ky i marrë në shkurt nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) me arsyetimin e krizës energjetike.

Tahiri në një konferencë për media, ka prezantuar të dhënat e sasisë së prodhimit të energjisë elektrike, importit dhe eksportit në katër muajt e fundit në Kosovë.


Sipas këtyre të dhënave të prezantuara nga ai, gjatë kësaj periudhe konsumi i energjisë elektrike është mbuluar nga prodhimi.

“Gjatë këtyre tre muajve ne e kemi paguar dyfishin e prodhuar nga KEK-u me çmimin e njëjtë. KEK-u nuk e ka shtrenjtuar çmimin e MegaWatit, neve na janë dyfishuar tarifat, plus janë ndarë 100 milionë euro për subvencionim të tarifave. Si janë shpenzuar rreth 100 milionë euro të ndara nga Qeveria e Kosovës për subvencionim të tarifave. Prodhimi në vendin tonë e ka mbuluar kërkesën për konsum”, ka thënë ai.

“Kërkesa për import në muajin janar ka qenë 21.30 për qind. Në muajin shkurt KEK ka prodhuar 475 mijë MW; Lumbardhi 511 mijë MW, BRRE 38,631 MW. Kërkesa për konsum në KESCO-s ka qenë 460,593 MW, KEK-u ka eksportuar 16,923 MW. Ndërkaq, në muajin shkurt kemi paguar tarifa 100 për qind me rritje, kërkesa për import ka qenë 2.7 për qind. Nuk e dimë saktë a janë importuar kaq sepse ka pasur edhe reduktime”, ka shtuar Tahiri.

Mes tjerash, Tahiri ka theksuar se Qeveria Kurti duhet të japë llogari se përse janë rritur tarifat e energjisë elektrike, ndërsa ka akuzuar udhëheqësit e Korporatës Energjetike të Kosovës duke thënë se janë “të paaftë” dhe të “pa ditur”.

“Ne kemi dyshime konkrete për krejt këto që po ndodhin. KEK-u është duke u udhëhequr nga njerëz të paditur dhe të paaftë. Me këtë trend, pas dy vjetësh do ta shohim shumë më keq se sa Telekomin”, është shprehur Tahiri.

Ndërsa, Ferat Shala, kryetar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Tregti dhe Ndërmarrësi, tha se këto shifra të prezantuara “tregojnë më së miri arsyeshmërinë e asaj që kemi kërkuar formimin urgjent të Komisionit Hetimor Parlamentar”. /Telegrafi/