LAJMI I FUNDIT:

“Patriotizmi në liri është t’i bojkotojmë produktet e Serbisë”, “Duaje tënden” – studentët mbajtën protestë në Prishtinë

“Patriotizmi në liri është t’i bojkotojmë produktet e Serbisë”, “Duaje tënden” – studentët mbajtën protestë në Prishtinë

Me plis në kokë dhe me pankartat “Duaje tënden”, “Ata barrikadojnë rrugët, ne barrikadojmë ekonominë e tyre”, “Mos e forconi armikun”, është mbajtur protestë paqësore “Bojkoto produktet serbe”, e cila u organizua nga studentët e Fakultetit të Edukimit.

Studentët derisa marshuan bënë thirrje nga të gjithë që t’i bojkotojnë këto produkte serbe. Sipas tyre duhet të ngrihet vetëdijesimi i popullit për të ndaluar blerjen e produkteve të Serbisë dhe të konsumojnë produktet e vendit, në mënyrë që të fuqizohet ekonomia e Kosovës e jo ajo e Serbisë.


Laurita Terpeza, studente e Fakultetit të Edukimit, tha se duhet kujtuar atë që ka kaluar populli i Kosovës për shkak të Serbisë dhe duhet të ndalohet blerja e produkteve të Serbisë.

“Arsyeja që kemi organizuar këtë marshim paqësor është që të kujtojmë atë që ka kaluar populli ynë, ku ne deri më tani kemi ushqyer armikun tonë me duart tona. Andaj, i bëj thirrje gjithë shqiptarëve anë mbanë botës të bojkotojnë produktet e Serbisë. Më mirë të rrinë pa ngrënë se të ushqehemi nga helmi i tyre. Më mirë të fokusohemi te produktet vendore, të fuqizojmë shtetin tonë, ushtrinë tonë dhe jo atë të serbëve”, theksoi Terpeza.

Yllëza Murtezi, po ashtu studente në Universitetin e Prishtinës, tha se patriotizmi në liri është që të bojkotohen produktet serbe, pasi sipas saj me blerjen e tyre po fuqizohet Serbia, raporton kp.

“Blerja e produkteve serbe çon në fuqizimin e një shteti që përveç se kërcënon me luftë… Patriotizmi në luftë që të dalim e të luftojmë për t’i dalë në krahë atdheut, ndërsa patriotizmi në liri është që të bojkotojmë produktet me barkod 860. Ne ju bëjmë thirrje popullit tonë të bojkotojnë produktet serbe… Historia që harrohet përsëritet”, tha Murtezi.

Alketa Rrahimi, studente në Fakultetin e Edukimit, tha se për ta ndihmuar Kosovën duhet bojkotimi i produkteve serbe.

Sipas saj me blerjen e tyre po financohet ushtria serbe.