LAJMI I FUNDIT:

Pasioni i imazheve në veprat e Bodlerit

Pasioni i imazheve në veprat e Bodlerit

Nga: Muhamedin Kullashi

Para një muaji, në Paris u botua libri “Charles Baudelaire: Pasioni i imazheve” (Gallimard). Ky libër përmban një përzgjedhje të teksteve nga vepra të ndryshme të poetit të madh francez Sharl Bodler (Charles Baudelaire,1821-1867), në të cilat shpërfaqet pasioni i tij për imazhet (nga shkrimet e tij mbi artin, mbi pikturën, nga kritikat e tij letrare, esetë dhe novelat, nga poezitë tij te “Lulet e së keqes” etj.( Libër ky voluminoz prej më se 1800 faqeve.


Përzgjedhjen dhe analizat e këtyre teksteve i zhvilloi studiuesi i shquar i veprës së Bodlerit, Anri Sepio (Henri Scepio). Qysh në poemat e para të poetit, Sepio dikton “lirinë dhe luciditetin e rrallë këtë lëvizje të kërkimit të imazhit e lidhur ngushtazi me fjalën poetike.”

Shijen e Bodlerit për imazhe, kritiku e shpjegon si emërtues i një origjine të cilën e kultivon dhe e thellon, si një pasion përgjatë tërë krijimtarisë së vet. Autori vë në pah se “fusha e ndritshme e imazheve çilet kah pakufishmëria e ëndërrimit, por po ashtu edhe me një elaborim që ka ligjshmëritë dhe rregullat e formësuara nga kujtesa” në traditën e poezisë dhe arteve tjera (f.12). Në këto tekste, Bodleri analizon pikturat, gravurat dhe vizatimet e piktorëve të mëdhenj si prodhime të një arti të lartë, por edhe imazhet në shkrimet letrare. Kësisoj, në analizat e tij të pikturave të Dëlakruasë (Delacroix), ai vë në pah “cilësitë imagjinative dhe specifikat stilistike të artit të tij.”

Sepio vë në dukje se në shkrimet e Bodlerit imazhi si “prodhim i artit dhe i artistit është kësodore vend i kryqëzimeve të pikëpamjeve të ndryshme dhe zbulues aktiv i horizonteve të ndryshme. Perspektiva e piktorit i bashkohet perspektivës së kritikut dhe prekë linjën optike të poetit” (f.13).

Në eset e veta mbi pikturat, Bodleri është i preokupuar “të zhvilloj një dialog me piktorin, të hap veshin për të dëgjuar një univers të ndijimeve dhe mendimeve dhe të gjurmojë me talentin e vet të gjitha dimenzionet e imazhit” (ib).

Sepio thekson se Bodleri në këto shkrime i qaset imazheve me një ligjërim poetik si “truall i përshtatshëm për lindjen e analogjive dhe korespondencave, metaforeve dhe simboleve”. Poeti i ndriçon në ato shkrime relacionet qe thuren midis “pikturës dhe poezisë, midis imazhit dhe shkrimit, midis të dukshmes dhe të lexueshmes.” Bodleri mendonte se çdo vepër e artit shpreh “mendimin intim të artistit”. Ai çmonte në veçanti pikturat e Dëlakruasë si “figurë e piktorit absolut i cili u dëshmua i aftë të kapë vlerat e begatshmshme dhe parimet aktive të së tashmes me qëllim të kristalizimit të tyre në imazhe të fuqishme dhe elokuente.” Pikturat e Dëlakruasë për Bodlerin shquhen me aspektet epike e historike, por edhe me dinamizmin lirik; ato janë, sipas tij, “simfoni ose poema me ngjyra” që janë krijuar.

Në artikullin “Arti filozofik” Bodleri shpjegon se arti i pastër, sipas koncepcionit modern, nënkupton krijimin e një “magjie sugjestive që përmban njëherësh subjektin dhe objektin, botën e jashtme dhe vet artistin…” Në refleksionet e tij mbi letërsinë dhe artet ai eksploron gërshetimet midis vetëdijes dhe reales, midis imagjinares dhe faktit, midis idesë dhe materies; ai afirmon në këto shkrime në veçanti subjektivitetin e artistit dhe fuqinë e tij krijuese.

Në fakt, Bodleri nuk ishte vetëm njeri nga poetët dhe shkrimtarët më të mëdhenj francez e evropian, por edhe mendimtar i thellë e lucid mbi historinë dhe shoqërinë moderne. Jo rastësisht Fuko (Michel Foucault) në analizat e tij mbi modernitetin nxjerr në shesh origjinalitetin dhe thellësinë e mendimit të Bodlerit në studimin e tij “Piktori dhe jeta moderne”.

Të përmendim këtu se profesori letërsisë franceze, Mensur Raifi, na ka lënë një shqipërim të shkëlqyeshëm të poezive “Lulet e së keqes” të Bodlerit.

/Telegrafi/