LAJMI I FUNDIT:

“Pashallarët e kuq”: A ka qenë Ismail Kadare për a kundër Enverit?

“Pashallarët e kuq”: A ka qenë Ismail Kadare për a kundër Enverit?

Mihal Kalia   

Tepër intriguese kanë qenë mendimet e shfaqura për poezinë “Pashallarët e kuq” (në të vërtetë titulli origjinal i poezisë është “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, por tashmë ajo njihet me një titull tjetër si “Pashallarët e kuq”, ndaj dhe në këtë shkrim do t’i referohemi kështu) para se të bëhej e njohur për masën e lexuesve, thuajse ajo përbënte apogjeun ku fshihej enigma e krijimtarisë së Ismail Kadaresë; dashuria e atyre që e urrenin dhe urrejtje e atyre që e adhuronin. Botimi i poemës e fashiti këtë kapërthim ndjenjash, megjithatë “tisi mistik” që e veshi këtë poezi, ka bërë që herë pas here, prej “simpatizantëve”, të përqendrohet vëmendja në vlerat e kundërshtisë ideore ndaj regjimit komunist, nëpërmjet një krijimi me pretendime artistike modeste.

Disa studiues janë të mendimit se kuptimi i poezisë “Pashallarët e kuq” është demaskimi i realitetit socialist. Por, nuk na thonë se si arrijnë në këtë përfundim, sa hollësitë e tekstit të çojnë dhe e justifikojnë këtë përgjigje. Simbolika!

Po si është shprehur në tekst? Cila është ndërthurja e fjalëve, çfarë marrëdhëniesh krijohen mes formës e kuptimit, aq më tepër që këto marrëdhënie janë me bazë marrëveshjeje?

Kjo është letërsia dhe arti i saj! Çfarë e bën simbolike këtë poezi? Çfarë e bën alegorike apo ironike? Drejt kujt i orienton qëndrimet tona ndaj personazheve, në rastin konkret socializmit dhe burokracisë, simpatitë apo antipatitë, nëpërmjet detajeve të tekstit, ndaj pushtetit apo të përmbysurve? Cila është optika në trajtimin e klasës punëtore dhe popullit, ajo e hyjnizimit të Partisë dhe demaskimit të burokracisë prej saj, apo e kundërta?

Burokracia jepet si forcë, nerv, energji, jetike për Partinë dhe socializmin, apo si gangrenë dhe tumor që duhet shkulur për të garantuar një jetesë të shëndoshë e kompaktësi parti – popull, krahas vigjilencës ndaj klasave të përmbysura? Si jepet qëndrimi i autorit në tekst? Te cila forcë ai shikon garancinë për zhvillimin e përparimin e vendit?

Të gjitha këto duhet të marrin përgjigje brenda tekstit dhe jo në atë se ç’mendim kishte autori gjatë kohës së realizimit të veprës, apo se “ç’ka menduar autori se nënkupton vepra pasi është kryer” (Xh. Kaller). Dhe, kur përjashtohet autori në përcaktimin e kuptimit të veprës në kohën gjatë dhe pas ngjizjes së saj, kuptohet se ç’vend zënë dhe sa të argumentuara janë përgjigjet e studiuesve nisur nga tregues të tillë kohorë.

Simbolika e poezisë qëndron te titulli i saj: “Pashallarët e kuq”, ku shprehet qëndrimi ndaj shtirjes së këtyre “pashallarëve” dhe, duke qenë objekti i gjithë poezisë, kjo shtirje është nën goditjen, në shënjestër të autorit, për t’i zhveshur ata nga ngjyra e kuqe dhe për t’i ekspozuar ashtu siç janë, të errët e të helmët. Prej këtej zë fill linja e poezisë, sepse titulli është shprehja më sinjifikative e përmbajtjes, ka një semantikë të dyfishtë, i ngjeshur në mendim, pulson në të gjithë tekstin.

Në mbështetje të linjës së poezisë, pohuar nga I. Kadareja, se është kundër rendit, njëri nga diskutuesit në emisionin televiziv Top Channel (dt.21.10.2018) shpjegon se “të kuqtë ishin komunistët”, ndaj poezia është kundër regjimit. Që e kuqja simbolizon komunizmin nuk është gjetje as e autorit të poezisë dhe aq më tepër e dituranëve të tillë që “nuk kuptojnë” se kanë të bëjnë me një vepër artistike dhe jo politike. Ndryshon puna nëse “pashallarët e kuq” janë komunistët, por në këtë rast fjala “pashallarët” do të ishte e tepërt, sepse do të ishte e mjaftueshme fjala “të kuqtë”.

Të veçuarit e fjalës “e kuq” nga “pashallarët”, e nxjerr jashtë loje këtë të dytën, duke bërë që poezisë t’i shtrembërohet linja, ndërkohë që “pashallarët” janë personazhi ku qendërsohet pikëvështrimi në të dy llojet e rrëfimit, së jashtmi dhe së brendshmi. Veçimi i dy fjalëve të titullit , prish edhe simbolikën e tij, duke ndryshuar objektivin. Simbolika nuk qëndron as te fjala “pashallarët” dhe as te “të kuq”, por te “pashallarët e kuq”, që përbën një hibrid përbindëshor me këtë përdhuni të panatyrshme, me këtë grabitje simboli, që artistikisht përvijon një rritje të intensitetit të veprimit, nëpërmjet oksimoronisë, kësaj kundërvënieje, e cila do të ruhet gjatë gjithë poezisë, duke dëshmuar kështu ndarjen përfundimtare mes “pashallarëve të kuq” dhe “të kuqve”.

Vijueshmëria e linjës së poezisë qëndron në faktin e përbërjes kuptimore të togfjalëshit “pashallarët e kuq”, të marrëdhënieve sintaksore, që në rastin tonë janë ato përcaktore, me kah lëvizjeje të përcaktorit (të kuq) drejt të përcaktuarit (pashallarët) dhe jo e kundërta, gjë që i jep fjalës “pashallarët” funksionin metaforik (të kuqtë si pashallarët dhe jo pashallarët si të kuqtë) dhe, përderisa metafora ka këtë orientim krahasues, do të thotë që konflikti është brendapërbrenda “të kuqve”, midis tyre dhe zbërdhylësve të kësaj ngjyre, të cilët në shikimin e poetit përbëjnë një rrezik për regjimin, po aq sa edhe të përmbysurit.

Trilli artistik të rrëmben me përfytyrime të llahtarshme, kur sheh shumë rrokshëm fantazmat që enden natës pisë të errët, që paralajmërojnë kobin e sterrosjes së ngjyrës së kuqe, që zhveshin revolucionin dhe vishen me rrobe sundimtarësh të përgjakura. Makth! Ëndrra shkrihet me realitetin, errësira me dritën, dëshmorët me të përmbysurit, virtyti me pabesinë, regjimi me burokracinë. Poezia ka shqetësim, ankth, merakosje, simpati, urrejtje, të cilat, në kundërvënien burokraci – regjim, gjejnë strehë në linjën e bërjes zap të burokracisë prej diktaturës së klasës.

Ku qëndron simbolika te larja e gjakut të të rënëve, për të kuptuar të kundërtën?! Është vizioni i shkrimtarit për të ardhmen, i cili duket se nuk xhiron paralelisht me atë të udhëheqësit, i cili, ndonëse e kritikon për zbutjen e situatës, për nënvleftësimin e rrethimit imperialist – revizionist, ai vetë nuk ka vizionin e shkrimtarit dhe se ka nisë t’i ndryshket tehu i shpatës politike, që nuk ka më mprehtësinë e shpatës letrare – artistike. Dhe qortimet ecin paralel: ai artistik, dashamirës dhe paralajmërues, si dhe ai politik, egoist dhe frenues. Kush spekulon me vargjet e Kadaresë? Politika e djeshme, apo e sotmja? Të dyja spekulojnë. E, mes tyre, qëndron vetë Kadareja, duke i shkelur syrin së djeshmes e duke kapur për faqesh të sotmen. E. Hoxha e kritikoi poezinë nga pozicioni i të sëkëlldisurit, këta të sotmit e kundrojnë nga pozicioni këndellës.

Enver Hoxha gabon kur mendon se ai jepet i vetmuar në poezi, sikurse gabon sot studiuesi a kritiku që nuk e shikon figurën e tij si përgjithësim i luftës revolucionare, i nderimit të të rënëve dhe mbajtjes lart të idealit, për të cilin dhanë jetën.

Pra, nëse bëhet fjalë për simbol, simbolika qëndron pikërisht te figura e E. Hoxhës, që vjen “si në baladat epike” dhe jo si shkatërrimtar, por si shpëtimtar. Nëse regjimi u përmbys, simbolika e poezisë nuk mund të përmbyset, të tjetërsohet apo të zëvendësohet dhe, nëse kjo ndodh, poezia pushon së ekzistuari dhe atëherë kritikët nuk vlerësojnë më shkrimtarin, por politikanin, nuk i kënaqen artit, por politikës dhe, sa konsekuent është në këtë të dytën, është një çështje që edhe vetë Kadareja nuk e ka fort për zemër që të tërheqë kështu edhe vëmendjen tonë, por për të parën, aty kemi fatin të futemi në një botë me pasuri të pafundme, prej së cilës dalim të pajisur me aq dritë e shkëlqim, sa t’i shikojmë e t’i kuptojmë bredhërimet e urithëve në lagështinë dhe errësirën e natës, që, kur zbardh dita, ata, si fantazmat që largohen kur dëgjojnë zërin e gjelit, krekosen zyrave me uniforma e dekorata, të zbehur në fytyrë nga lodhja e natës, të kuruar me hijen e vdekjes, për të pudrosur me të faqen e revolucionit.

Simbolika nuk krijohet nga lexuesi, kritiku apo studiuesi, por kuptohet dhe shpjegohet, gjithmonë në referencë, e pranishme kjo në poezi si qenie (figurë), ide, atmosferë, si të vërteta që nuk dyshohen, të cilat i japin drejtimin interpretimit të simbolit, duke i shtrirë kuptimet e jo duke i përmbysur ato.

Me intuitën e krijuesit, me shqetësimin për fatet e revolucionit, me përgjegjësinë e qytetarit, poeti e ndien se shqotat e shtrëngatat e “kishin vaditur” me aq bollëk uji, saqë me rrebeshet e tyre po shpëlanin gjakun e të rënëve. Gjaku i dëshmorëve, i kalorësve të lirisë gjatë shekujve të ekzistencës së këtij populli e trojeve të tij, nuk mund të bëhet ujë i mpiksur e i mpleksur me dheun, me tokën, me ajrin; ata mbeten frymëzimi, garancia dhe zjarri i jetës sonë, ndaj nuk gjendet dot shosha e çngjyrosjes, as leva e përmbysjes së shekujve, se ajo do të ishte gjëma më e madhe që mbartin në shpinën e tyre e që duan ta zbrazin prej saj gjakshprishurit e kobshëm. Poeti nuk dëshiron dhe nuk duron dot më as edhe një tentativë të kthimit prapa, jo për faktin e suksesit përfundimtar, por për pasojat që mund të sjellin katrahurat e kurdisura. Ndaj jep alarmin. Nuk duron dot. Kjo solli zemërimin e “Zeusit”, i cili i lëshoi shigjetat e përflakura dhe përvëloi me to çka e bezdiste, pranë vetes, sepse më tej flaka shuhej nga lagështia e shqotave. Ky ishte mëkati i poetit. Nuk e pranoi Zeusi këtë shërbesë të tij.

Por, dhe nëse shkrimtari pajtohet me këtë mospranim, nuk pajtohet arti i tij, tejshikueshmëria e plotfuqishmëria, me të cilat ai operon, por tashmë “e rëndësishme nuk është ç’ka pasur qëllim gjatë nisjes së poezisë, apo çka nënkupton pas kryerjes së saj, por çfarë ai ka mishëruar në të” (Xh. K). Dhe e vërteta është në artin e tij, me të cilin ai nuk mund të bëjë dot kompromise, siç mund të bëjë çdokush në çdo aspekt tjetër të jetës dhe interesave të çastit.

Pyetja e parë që lind, pasi njihesh me kritikat për poezinë “Pashallarët e kuq”, është: Poezia dënon regjimin komunist, diktaturën e proletariatit, apo burokracinë? Sipas E. Hoxhës, që orientoi qëndrimin ndaj poezisë dhe poetit të të gjitha analizave të mëpastajme, poezia cilësohet antiregjim, e rrezikshme, armiqësore. Sipas vetë poezisë, ajo dënon ashpër burokracinë, duke parë tek ajo, nëse shpërfillet, prirjen gërryese si të molës, rrezikun e shkatërrimit dhe të përmbysjes së regjimit.

Interpretimi i raportit regjim – burokraci, i jep poezisë, nga pikëpamja e ideve dhe realitetit socialist, ngjyrimin revolucionar apo armiqësor? A do të ishte e mjaftueshme, në regjimin antikomunist, që poezia, vetëm për arsye individuale të E. Hoxhës u fshikullua deri armiqësore, të konsiderohet si poezi disidente, antikomuniste? Poezia e Kadaresë ishte paralajmërim i rënies së regjimit dhe fakti që ai vë theksin në ato çështje, çka në parim Partia i trajtonte vazhdimisht, duke garantuar pathyeshmëri dhe vazhdimësi mbështetur në unitetin me popullin, shikohet prej udhëheqësit si tendencë për të dalë mbi Partinë dhe shfaqje të tilla s’mund të ishin tjetër, veçse armiqësore, paçka se poezia orienton shtrirjen në realitet të parimeve, gjë që Enveri nuk mund ta duronte. Dhe ndodhi çka poeti nuk donte të ndodhte.

Koha vërtetoi dyshimet e Kadaresë dhe jo garancinë dhe sigurinë e E. Hoxhës, se “Partia dhe socializmi janë të fortë si çeliku”. Ngjarjet që rrodhën në Shqipëri treguan të kundërtën, atë që socializmi po lëkundej dhe që Partinë po e lëshonin forcat për t’i bërë ballë presionit të të gjitha llojeve, nga jashtë dhe brenda vendit, realitet ky, konstatimi i të cilit nuk konsiderohej si thirrje për veprim, por si shprehje e armiqësisë ndaj diktaturës së proletariatit. Regjimi u përmbys, burokracia mori pushtetin, të përmbysurit u ngritën, dëshmorët dhe heronjtë u përdhosën, tradhtarët dhe armiqtë e vendit dhe të popullit u ngritën në piedestal, deri dhe kriminelët dhe vrasësit, duke u nderuar nga shteti “demokratik” si atdhetarë e patriotë. Mos vallë, këtë ka dashur Kadareja?!

Ismail Kadare te burokratët shikonte rrezikun e socializmit, ashtu si dhe te klasat e përmbysura, kostumin e përgjakur të të cilave ata veshën, me grada e nishane. Ata e gërryejnë revolucionin nga brenda, në emër të mbrojtjes së socializmit, por poeti sheh duar të përgjakura deri në bërryl. Dhe nuk janë të të përmbysurve të varrosur, por janë rrëmihës të gjallë të themeleve të revolucionit. Shqetësimi i poetit është alarmant, duke apeluar për luftë të vazhdueshme kundër burokratizmit e burokratëve, të cilët në vështrimin e poetit janë shkrirë e bërë një me klasën e përmbysur, ndaj së cilës vigjilenca revolucionare duhet të jetë e shkallës më të lartë, per të mos lejuar gjakderdhje, që do t’i kushtonin shtrenjtë Partisë, popullit dhe socializmit. Vallë, në këtë profeci duhet gjetur armiqësia e poetit ndaj regjimit?! A nuk janë sot pikërisht këta që e kanë gjakosur popullin, deri në demonstrime spektakolare të vrasjes shtetërore? A nuk janë pasardhësit e të përmbysurve që sot plot kurajë kërcënojnë fitimtarët me plumbin ballit? Pse poeti e parashikon, e ndien dhe ngre zërin për tragjedinë e mundshme, E. Hoxha e cilon atë kundërrevolucionar? Çfarë armiqësie shprehet në vargjet:

“Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj!

Nëse s’do që nesër skuadër e pushkatimit

Të të vëjë në mur

Tek Bulevardi i madh!”.

Cili është ai politikan, ideolog, analist apo kritik , që shikon që shikon armiqësi në këtë profeci të poetit, parashikuar deri në hollësi atë çka realisht ndodhi pas afro dyzet vitesh. Si mund të jenë këto vargje shprehëse të kundërshtisë së regjimit, siç po duan t’i paraqesin sot pseudo-intelektualët, të cilët nuk janë në gjendje të kuptojnë forcën e artit të poetit në këto vargje, të cilat të vërtetuara në realitetin tonë, as që mendohet se janë e kundërta e aspiratës së poetit, e cila atëhere do ta rreshtonte para “ skuadrës së pushkatimit”.

***

NË MESDITË BYROJA POLITIKE U MBLODH

Poezi nga: Ismail Kadare

1.

Në mesditë Byroja Politike u mblodh.

Vallë ç’ka ndodhur në kufijtë veriorë.

Në kufijtë e jugut vallë ç’ndodh.

Qielli është me re dhe dimri sjell dëborë.

Mos lëvizën klasat e përmbysura,

Mos ka katastrofë në prodhim.

Vallë ambasadorët mos kanë nisur

Radiograme plot shqetësim.

Jo. Kufijtë e shtetit janë të qetë.

Nga ambasadat lajme me alarm nuk ka.

Dhe nën diktaturë të proletariatit,

Dimërojnë kokëulur ish kastat e mëdha.

Dhe prodhimi është normal dhe ditët

Rrjedhin të zakonshme në dhjetor…

Po ahere pse kështu papritur

Në mesditë Byroja Politike umblodh?

2.

Shtetet s’prishen kurrë nga çatitë.

Shumë shumë mund të pikojnë diku.

Nga themelet ata prishen

Këtij ligji

Shteti socialist i bindet gjithashtu.

Mund që lart çdo gjë të duket bukur,

Gara socialiste, merrja këngës, haj.

Dhe pankartat dhe heronjtë e punës

Në gazetë lokale në Një Maj.

Telegrame urimi, diell i ndritur

Në mitingje e vjersha letrarësh të rinj

Kurse poshtë

pikërisht në themelitë

Rritet ngadalë tumor i zi.

Për armiqtë kemi topat, himnet, vallet.

Ambasadat që rrëfejnë diçka për ta.

Për burokratizmin ç’kemi vallë?

Topat s’pijnë ujë

dhe konsuj atje s’ka.

3.

Midis shkresash, telefonash,

letërthithësesh

Ata skenat mbushin gjithnjë

Mjaft me këtë qeshje dashamirëse

Burokratët janë tjetër gjë.

Jo me bojë pelikan përjargur,

Si tuafë të këndshëm ho, ho, ho,

Por të kobshëm

me duar të përgjakura

Gjer në bryle unë ata i shoh.

I shoh atje thellë tek rrëmojnë.

Në themelet e revolucionit pikërisht.

Ç’bëjnë ashtu

pse trupat e dëshmorëve

Kthejnë djathtas, majtas dhe

përmbys?

Pa shiko,

trupat sikur i lajnë.

Nga themelet gjakun duan të fshijnë shpejt.

Dhe pas gjakut amanetet q’ata lanë,

Idealet dhe parimet krejt.

Dhe vulën e gjakut si ta zhdukin,

Oh, e dijnë se është lehtë pastaj

Të ndryshojnë revolucionin, diktaturën

E punëtorëve

thelbin e saj.

Ja kështu, atje në gjunjë të ulur

Lajnë e shplajnë gjakun pa pushim

Po ç’patën papritur

Pse u ndalën

Tek një yrt i shkretë, tek një djerrinë.

Këtu janë varrosur të përmbysurit:

Pashallarë, bejlerë, familjet e mëdha

Ata sulen, trupat kthejnë përmbys e nisin

Që t’i zhveshin me një vrull hata.

Rrobe sundimtarësh të përgjakta

Me nishane e grada veshin shpejt.

Dhe me to mbi supe nëpër natë

Ikin drejt mëngjezit si rrebesh.

4.

Dhe mëngjezi erdh,

Të zbetë, të ngrirë,

Nën mantelet me nishane e me kurorë

Ata shkojnë në zyra, ministrira,

Madje ngjiten gjer në Komitet Qendror.

Pashallarë të kuq. Bejlerë me tesera partije

Baron-sekretarë. Bosë të naftës. Varg.

Në kortezh të zymte, nën himne liturgjie

Çojnë tabutin e revolucionit për në varr…

5.

Kurse pamja e jashtme ishte ndryshe

Buzëqeshje, tundje grushti në miting

Thjeshtësi tek xha Kamberi, tek X gjyshe,

Dhe fjalët “Enver” “parti”, “autokritikë”.

Kështu ishte ditën, kurse natën

Zbrisnin në themel ata sërish.

Por revolucioni s’ish kala e Rozafatit

Që duronte ditën ngre e ngre e natën prish.

6.

Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë

Ishte i pari që dyshoi për ta.

Dhe ahere në themele të shtetit

Zbriti si në baladat e mëdha.

Një pishtar të kuq mbante në dorë.

Dheu dridhej

Flaka mbi ta ra.

Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve

Tek ndanin mantelet seç i pa.

“Ja, ku qenkeni!”

Ata u ngrinë.

– Oh, shoku Enver, hm, rroftë, oj!-

Por ai i mvrejtur me dhembjen në çdo thinjë

Si një mal në dimër bubulloi.

Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte

Nga pushteti me kamçik dhe stap.

Ai klasën ngriti të punëtorëve.

Për ta bërë burokratizmin zap.

7.

Si dikur patrullat partizane

Shtegëtojnë ekipet e kontrollit punëtor.

Që të mos i marrin ministritë me topa Nesër.

Sot i marrim me kontroll.

Diktaturë e klasës s’është veç në vjersha

Dhe në ditlindjen e veteranit tornitor.

Je për socializmin?

Vrapo në rrjeshta

Shpall kudo dhe mbi këdo

kontroll punëtor.

Bjeri ditë e natë burokratizmit,

Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj.

Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit

Të të vejë në mur tek Bulevardi i Madh.

8.

Ditët ikin.

Vorbullat e ngjarjeve

Nëpër stinë e vite shtjellen me furi

Vijnë plenumet e partisë porsi ushtarët

E revolucionit

në stuhi.

Ecën klasa pas partisë në ditë epike,

Populli pas klasës derdhet oqean

Dhe n’u mbledhtë prapë Byroja Politike

Mesditë a mesnatë

gati të gjithë janë.