LAJMI I FUNDIT:

Pas takimit me ndërmjetësin e BE-së në dialog, Vuçiq: I shqetësuar unë – i shqetësuar Lajçaku

Pas takimit me ndërmjetësin e BE-së në dialog, Vuçiq: I shqetësuar unë – i shqetësuar Lajçaku

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se në takimin e sotëm me ndërmjetësin e BE-së në dialog, Miroslav Lajçak, i ka thënë atij se është shumë i shqetësuar për situatën në Kosovë, veçanërisht në veri.

Vuçiq u ka thënë gazetarëve pas takimit me Lajçakun se shqetësimi i tij  “buron nga nevoja e Albin Kurtit për të shkaktuar incidente, për të provokuar konflikte dhe pasione të pabesueshme për të shpërthyer një konflikt në të cilin ai do të ishte një hero i madh shqiptar.


“E fundit që ka bërë me shpronësimin në veri të Kosovës, që është në kundërshtim edhe me ligjet e tyre, çdo gjë që e bën është e keqe, për çka nuk kam fjalë”, ka theksuar Vuçiq, .

“Jam i shqetësuar për faktin se ata po mendojnë të marrin me dhunë lokalet, e veçanërisht se QUINT-i po tregohet i paaftë dhe naiv”, theksoi presidenti i Serbisë.

Siç raporton “FoNet” Vuçqi  ka thënë se i dërguari evropian për dialog, Miroslav Lajçak, i ka thënë se është gjithashtu i shqetësuar, “sepse ka folur me njerëz nga veriu i Kosovës, nga Lista Serbe, të cilët i kanë përcjellë vendosmërinë për të kundërshtuar ‘terrorin dhe okupimin’ e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti”.

“Nuk e thashë rastësisht kur dikush dëshiron me kaq ëmbëlsi dhe me çdo kusht konflikte, si Kurti”, tha Vuçiq, i cili shtoi se “procesi ka hyrë në një rreth vicioz në të cilin kryeministri i Kosovës as që do të dëgjojë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se për nesër (e shtunë) Kurti e ka “planifikuar pushtimin e Zveçanit”, ku kandidati i Vetëvendosjes është zgjedhur kryetar komune, por nuk e di nëse ka hequr dorë nga kjo.

Vetë Lajçak tha të premten në Twitter se takimi i negociatorëve kryesorë të hënën më 15 maj është një mundësi e mirë për të rënë dakord për hapat e ardhshëm.

Lajçak ka thënë se në takimet e sotme me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe drejtorin e Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovë, Petar Petkoviq, ka biseduar për hapat e mëtejmë në zbatimin e Marrëveshjes.

Lajçak, i cili ishte në Prishtinë më 11 maj, po qëndron në Serbi për të monitoruar zbatimin e asaj që është vendosur dhe rënë dakord në Bruksel dhe për të përgatitur hapat dhe takimet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak: Takimi i së hënës ndërmjet kryenegociatorëve është mundësi e mirë për hapa konkretë
Lexo po ashtu Lajçak: Takimi i së hënës ndërmjet kryenegociatorëve është mundësi e mirë për hapa konkretë

Pas takimeve me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe kryenegociatiorin Bislimi, Lajçak tha se kanë biseduar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe hapat e ardhshëm pas takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë më 2 maj në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ritheksoi se Kosova është interesuar të zbatojë në tërësi Marrëveshjen e Ohrit.

“Jemi të interesuar që të bashkëpunojmë për ta shkruar bashkë më tej një vizion për komunitetin serb në Kosovë sa i përket nivelit adekuat të vetëmenaxhimit. Ky është synimi ynë paralelisht me atë që duhet të ketë zbatim të plotë dhe sa më të shpejtë”, tha Kurti, transmeton Telegrafi.

Lajçk vizitoi edhe Mitrovicën e Veriut, prej ku u pyet në lidhje me çështjen e hapjes për qarkullim të urës mbi lumin Ibër, mes Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.

Hapja e kësaj ure u diskutua ditë më parë me iniciativën e disa asamblistëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Është në duart e dy palëve, ato duhet të pajtohen. Ne duam që hapja e urës të kontribuojë në një stabilitet më të madh se sa në destabilizim. Prandaj, insistoj që duhet ta përdorim platformën e dialogut për t’u pajtuar për një rrugë përpara”, tha Lajçak.

Lajçak tha se qëllimi i vizitës së tij në veri është që të marrë ” informacionin e dorës së parë nga njerëzit që jetojnë këtu për të parë se si e shohin situatën ata”.

Kjo është vizita e parë e Lajçakut në Beograd dhe Prishtinë pas takimit të 2 majit Vuçiq-Kurti në Bruksel, ku u miratua Deklarata për Personat e Zhdukur, por nuk u arrit përparim në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. /Telegrafi/