LAJMI I FUNDIT:

Pas shkarkimeve fillon sfida e depolitizimit të bordeve të ndërmarrjeve publike

Pas shkarkimeve fillon sfida e depolitizimit të bordeve të ndërmarrjeve publike

Qeveria duhet t’u japë fund parimeve diskriminuese për përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike, thonë përfaqësuesit e shoqërisë civile. Pas serisë së shkarkimeve të bordeve udhëheqëse, sipas vendimeve të Qeverisë së re të Kosovës, tani përfaqësuesit e shoqërisë civile presin që të ndërpritet, siç thonë ata, praktika e marrëveshjeve politike për caktimin e udhëheqësve të bordeve në ndërmarrjet publike.

Një praktikë e tillë, po cilësohet e gabuar dhe ligjërisht e ndaluar.

Deri më tani, me vendimet e qeverisë, janë shkarkuar Bordi i drejtorëve të ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës, ai i kombinatit metalurgjik “Trepça” dhe kompanisë së hekurudhave Infrakos.

Bordet e ndërmarrjeve publike vazhdimisht kanë qenë vendet më të preferuara për punësim. Por, pavarësisht kualifikimit apo kritereve të kërkuara në konkurs, sipas shoqërisë civile, gjithmonë janë punësuar përkrahës të partive politike që kanë qenë në pushtet.

Arbresha Loxha, drejtoreshë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë se politizimi i bordeve ka dëmtuar ndërmarrjet publike.

“Konsideroj se kjo logjikë e politizimit të të gjitha sferave të qeverisjes, jo vetëm që e ka dëmtuar pavarësimin menaxheriale të këtyre ndërmarrjeve, por njëkohësisht ka dëmtuar edhe zhvillimin e tyre që do duhej të ishte në funksion të ofrimit të shërbimeve për qytetarët dhe kontributin që këto ndërmarrje mund të jepnin për rritjen e ekonomisë së vendit”, tha Loxha.

Artan Demhasaj nga organizata joqeveritare Çohu,  thotë se ndikimi i cilësdo palë në përzgjedhjen e personave në pozitat udhëheqëse, automatikisht vë në rrezik performancën e ndërmarrjeve.

“Kushdo që emërohet në këto borde nga qeveria e tanishme, mos të kenë përkatësi të caktuar politike, e mbi të gjitha të jenë njerëz profesionistë që kërkohet varësisht prej ndërmarrjes. Dhe më pas emërimeve t’u matet performanca, pra edhe bordeve të reja vazhdimisht, në mënyrë që të shohim se si performojnë. Nëse ka performancë negative, atëherë duhet të shkarkohen prapë në mënyrë që të mos mbesin gjithmonë më borde me performancë të dobët”, tha Demhasaj.

Procesi i emërimit të anëtarëve të bordeve duhet të jetë transparentë, thotë në anën tjetër, Arbresha Loxha, duke shtuar se koalicionet qeverisëse në të kaluarën, krahas ndarjeve të dikastereve, kanë ndarë edhe pozitat e bordeve.

“Në të kaluarën, partitë politike kanë bërë marrëveshje të fshehura për ndarjen e këtyre posteve, duke vendosur individë që janë politikë dhe jo të pavarur”, tha Loxha.

Por, Demhasaj shpreh një dozë të dyshimit se edhe koalicioni aktual qeverisës, i përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, do mund t’i ikë praktikës së deritashme.

Bordet e ndërmarrjeve, thotë Demhasaj, duhet të ishin të pavarura, pasi vendosja e duarve të një subjekti politik, kufizon hapësirën për mbikëqyrje të mirëfilltë nga ana e kuvendit, e rrjedhimisht krijon mundësi për keqpërdorime serioze apo kontrollin joligjor të politikave të këtyre ndërmarrjeve nga cilado parti në pushtet.

“Nëse bazohemi në të kaluarën, dyshimet ekzistojnë se edhe njerëzit e tjerë që mund të emërohen mund të jenë politikë. Tash mbetet të shihet në ditët në vijim, se a ka filluar të ndryshojë mentaliteti i emërimeve”, tha Demhasaj.

Sipas Ligjit për ndërmarrjet publike, bordi i drejtorëve të një ndërmarrjeje përbëhet nga pesë ose shtatë drejtorë, ku një nga ta duhet të jetë nga komuniteti joshumicë.

Procesi i emërimit të anëtarëve të bordit, sipas ligjit, duhet të kryhet në procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës.

Personi që aplikon për këtë pozitë, thuhet në ligj, gjatë periudhës 36-muajshe para datës se aplikimit nuk duhet të jetë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike. /rel/Telegrafi/