Avokati Naser Raufi thotë se rrëfimet e dëshmitarit të mbrojtur janë e vetmja mundësi që përdoret në proces, për shkak se hetuesit deri tani nuk kanë siguruar prova të mjaftueshme, që të mundësonin ngritjen e akuzës ndaj personave të arrestuar në operacionin policor “Monstra”, më 1 maj të këtij viti.

“Për ‘Monstrën’ pritet të japë deklaratë dëshmitari i koduar, ose i rrezikuar. Unë sot bisedova me gjykatësin hetues. Ende nuk e di se cilën ditë do të japë dëshmitari deklaratën dhe tjerat prova që po të ketë prokuroria t’i prezantojë para avokatëve. Unë prej 12 shtatorit e kam vendimin që është caktuar dëshmitari i rrezikuar. Pasi ka mbet vetëm një muaj që të ketë aktakuzë apo jo, mendoj se brenda javës fillojnë hetimet dhe deklarata e dëshmitarit të rrezikuar. Unë mendoj se nuk do të ketë aktakuzë dhe mendoj se dëshmitari i rrezikuar është si rezultat i mungesës së provave për këtë lëndë. Jam i bindur se të akuzuarit janë të pafajshëm. Sipas gjykatësit hetues, këtë javë do të fillojë hetimi për këtë proces”, tha Naser Raufi, avokat, raporton “Alsat-M”.


Ndërkohë, autoritetet vazhduan paraburgimin edhe për 30 ditë të tjera për Agim Ismailoviqin, Rami Sejdiun dhe Fejzi Hazirin që ndodhen në burgun e Manastirit. E njëjta masë vlen edhe për dy të akuzuarit e tjerë në arrati, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviqi. Kjo është masa e gjashtë me radhë e arrestit, dhe e fundit sipas ligjit për procedurë penale.

Masa e arrestit “Paraburgim” mund të zgjasë 6 muaj. Në rast të mos ngritjes së akuzës, për shkak të mungesës së fakteve, këta persona duhet të lirohen pas 180 ditëve paraburgimi.

Në aksionin policor “Monstra”, të datës 1 maj, policia arrestoi 20 persona, ndërsa vetëm pesë prej tyre - Alil Demiri, Afrim Ismailoviqi, Agim Ismailoviqi, Rami Sejdiu dhe Fejzi Haziri - u dyshuan për veprën terrorizëm. Për këtë vepër ngarkohet edhe Haki Haziri, i cili gjithashtu gjendet në paraburgim që nga 8 maji. /Telegrafi/