LAJMI I FUNDIT:

Papunësia në Kosovë – çfarë ndikoi në rënien e saj e çfarë jo?

Papunësia në Kosovë – çfarë ndikoi në rënien e saj e çfarë jo?

Papunësia në Kosovë, brenda dhjetë vjetësh, ka shënuar rënie për mbi 17 për qind, tregojnë të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Nga 30 për qind sa ka qenë në vitin 2013, ka rënë në 12.6 për qind vitin e kaluar. Më saktësisht, numri i të punësuarave në vitin 2013 ka qenë 338,365, derisa 403,813 më 2022.


Për profesorin e ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, rënia e papunësisë është reale, por nuk i atribuohet rritjes eventuale ekonomike.

Sipas Ramosajt, faktor kyç që ka ndikuar në të është emigrimi i popullatës.

“Ikja është e përqendruar te kontingjenti i punës, respektivisht te personat që janë në moshë pune dhe kanë vullnet që të hyjnë në tregun e punës”, thotë Ramosaj.

ASK-ja nuk ka ende të dhëna për vitin 2022, por ato të vitit 2021 tregojnë se nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë, për arsye të ndryshme.

Në vitin 2020 – kur ka shpërthyer pandemia COVID-19 – kanë emigruar mbi 8 mijë, më 2019 mbi 34 mijë dhe më 2018 mbi 28 mijë.

Rreth 60 për qind e familjeve në Kosovë nuk mund t'i përballojnë shpenzimet për pushime
Lexo po ashtu Rreth 60 për qind e familjeve në Kosovë nuk mund t'i përballojnë shpenzimet për pushime

Rritje e pamjaftueshme ekonomike

Ramosaj thotë se rritja ekonomike në Kosovë ka qenë e ulët për të gjeneruar mjaftueshëm vende të reja pune. Në dhjetë vjetët e fundit, mesatarja nuk ka kaluar 4 deri 5 për qind.

“Rritja ekonomike njëshifrore nuk e adreson problemin e papunësisë”, thotë ai.

Të dhënat e fundit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) parashikojnë që në vitin 2023 Kosova të ketë rritje ekonomike për 3.5 për qind, ndërsa në vitin 2024 për 4 për qind.

Përfaqësues të bizneseve thonë se as ata nuk kanë mundur të jenë kontribuues të mëdhenj në zbutjen e papunësisë. Sipas tyre, në dekadën e fundit, nuk ka pasur lehtësira fiskale, të cilat do t’i ndihmonin bizneset prodhuese të zhvilloheshin më shumë dhe, rrjedhimisht, të hapnin më shumë vende pune.

“Në rast se investon në shtetet e rajonit, lirohesh nga një pjesë e madhe e tatimeve, si tatimi në fitim e të tjera, ndërkohë që në Kosovë nuk ka lehtësira të tilla”, thotë drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Skënder Krasniqi.

“Ne jemi vend importues i të gjitha produkteve dhe eksportojmë shumë pak. Tregtia hap më pak vende pune sesa do të mund të hapte sektori i zhvilluar i prodhimit”, shton ai.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), konfirmojnë, po ashtu, se investimet në sektorin e prodhimit janë më të vogla nëse krahasohen me sektorë të tjerë.

BQK: Qytetarët e Kosovës rreth 50 për qind të shpenzimeve i përdoren gjatë udhëtimeve në Shqipëri
Lexo po ashtu BQK: Qytetarët e Kosovës rreth 50 për qind të shpenzimeve i përdoren gjatë udhëtimeve në Shqipëri

Formalizmi i vendeve të punës

Profesori Ramosaj thotë se shifrat më të ulëta të papunësisë i ka ndikuar, deri në njëfarë mase edhe formalizimi i punësimit.

“Së fundi është parë që bizneset, në përgjithësi, i deklarojnë punëtorët tek institucionet përkatëse, e që me vite i kanë mbajtur në të zezën”, thotë Ramosaj.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), vitin e kaluar, ka nisur projektin e ashtuquajtur “Punësimi joformal”, i cili ka për qëllim inspektimin e bizneseve, identifikimin e punëtorëve të paregjistruar dhe regjistrimin e tyre.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të ATK-së, Ilir Murtezaj ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 26 gusht se zbatimi i këtij projekti ka çuar, deri më tash, në identifikimin e mbi 7 mijë punëtorëve të padeklaruar.

Krasniqi tërheq vërejtjen se jo të gjithë të papunët regjistrohen në Agjencinë e Punësimit dhe kjo, sipas tij, bën që shifrat e papunësisë të kenë trend të rënies.

“Në vendet evropiane, të papunët regjistrohen si të papunë, pasi përfitojnë mjete financiare nga shteti. Në Kosovë nuk përfiton asgjë dhe kjo është arsyeja që nuk lajmërohen si të papunë dhe papunësia del të jetë e vogël”, shprehet Krasniqi.

Të dhënat e Agjencisë së Punësimit të Kosovës flasin për rënie të numrit të punëkërkuesve. Nga rreth 300 mijë punëkërkues të regjistruar në vitin 2013, numri i tyre ka rënë në rreth 29 mijë në prill të këtij viti.

ASK: Papunësia në Kosovë gjatë vitit të kaluar ka arritur në 11.8 për qind, dy të tretat e popullsisë ishte në moshë pune
Lexo po ashtu ASK: Papunësia në Kosovë gjatë vitit të kaluar ka arritur në 11.8 për qind, dy të tretat e popullsisë ishte në moshë pune

Papunësia bie, por punëtorë nuk ka

Edhe pse shifra e papunësisë mbetet mbi 12 për qind, bizneset në Kosovë, sidomos në dy vjetët e fundit, ankohen për mungesë punëtorësh. Disa, madje, kanë importuar fuqi punëtore nga jashtë.

Krasniqi thotë se kjo ndodh si pasojë e mungesës së harmonizimit midis arsimit dhe kërkesave të tregut të punës.

“Ministria e Arsimit, për dhjetë vjet, i ka dhënë qytetarit shkollim që nuk i krijon vend pune. Ne arsimojmë të rinj [në ato fusha] që nuk u krijojnë të ardhme”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, mungesë punëtorësh ka në sektorin e bujqësisë, të gastronomisë, të ndërtimtarisë dhe të tekstilit.

Ndërtimtaria, njëherësh, thith edhe numrin më të madh të punëtorëve, ashtu si edhe tregtia e arsimi.

Ministria e Arsimit, në anën tjetër, është në proces të zgjerimit të mësimit dual, që nënkupton aftësimin në një kompani të caktuar në kombinim me lëndët e një shkolle profesionale. Ky lloj mësimi ka filluar për herë të parë vitin e kaluar.

Bie numri i familjeve përfituese nga skema sociale
Lexo po ashtu Bie numri i familjeve përfituese nga skema sociale

Ku janë mbi 750 mijë persona?

Sipas ekspertëve, një tjetër gjë që mbetet shqetësuese është shifra e personave ekonomikisht joaktivë – mbi 750 mijë, sipas të dhënave të ASK-së.

Me termin ekonomikisht joaktivë, ASK-ja përshkruan personat që nuk janë as të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

“Një pjesë [e personave ekonomikisht joaktivë] merret me veprimtari të pavarura që nuk janë të regjistruara si biznese, një pjesë ka të ardhura nga pasuria e paluajtshme dhe disa pranojnë remitenca dhe nuk punojnë”, ka një shpjegim Ramosaj.

Me mbi 1.7 milion banorë, Kosova ka pagën më të ulët minimale në Evropë, që sillet nga 130 euro deri në 170 euro.

Paga mesatare bruto në vend, për dhjetë vjet, është rritur për 138 euro – nga 383 euro sa ka qenë në vitin 2012 ajo është bërë 521 euro në vitin 2022. /REL/