LAJMI I FUNDIT:

Pandemia nuk është më Vis major

Pandemia nuk është më Vis major

Masat kufizuese lidhur me pandeminë, nuk mund te nxirren pa siguruar proporcionin ne mes të masës kufizuese te se drejtës se qytetarit dhe dëmit qe ajo masë u shkakton bizneseve.

E gjithë bota, por edhe Kosova, jeton me pandemi nga marsi i vitit 2020. Prandaj, pandeminë duhet menaxhuar se ajo nuk konsiderohet më të jete Vis major (rrethanë e paparashikueshme).


Pandemia tanimë është e parashikueshme. Nëse nuk menaxhohet mirë, lidhur me efekte e saj përgjegjësia bie mbi personin/organizatën përgjegjëse për menaxhimin e saj. Kjo sot aplikohet ne kontratat komerciale, por edhe në raportin shtet me qytetarë.

Shteti i Kosovës nuk mund t’ia faturojë – pasojat e menaxhimit të saj me pandemië – bizneseve private dhe qytetarëve të Kosovës. Sidomos për gastronomet, masat e tanishme janë te papërballueshme dhe kjo ua kërcënon ekzistencën ekonomike (përderisa gastronomi nuk mund të shërbejë brenda në lokal).

Në te njëjtën kohë, qytetarët e vaksinuar ose të shëruar privohen në liritë themelore te tyre – si e drejta e lëvizjes pas orës 22:00, si dhe e drejta e vizitës të lokaleve të gastronomisë. Pra, shteti nuk mund të marrë veprime joproporciolne në llogarinë e të drejtave të qytetarëve, për shkak se nuk ka planifikuar si duhet masat ose nuk i ka kryer detyrat me kohë.

Shteti i Kosovës duhet urgjentisht t’u kthejë liritë qytetareve, sidomos për qytetaret e vaksinuar dhe të shëruar (për gjashtë muaj). Sipas standardeve ndërkombëtarë, këta te fundit nuk kanë potencial infektues. Në shtetet perëndimore, për shkak të mos mundësisë në qasje në vaksinë për të gjithë qytetarët, të pavaksinuarve u ofrohet testi i shpejtë pa pagesë, me të cilin kanë të drejtë t’i vizitojnë lokalet e gastronomisë brenda 48 orëve nga koha e testit. Në rast të mbylljes totale, lokalet e mbyllura kanë të drejtën për paketa stimuluese.

Përgjegjësia e shtetit të Kosovës ndaj qytetarëve të saj duhet të jenë të nivel, pavarësisht rrethanave politike apo kompozicionit politik të qeverisë. Shteti është subjekt juridik dhe mban përgjegjësi për veprimet e saj. Veprimi duhet të jetë proporcional me kufizimin e të drejtave të qytetarëve. Shteti nuk mund të thirret më Në vis major, sepse tanimë – përmes mekanizmit të vaksinimit – shteti i ka të gjitha mekanizmat për menaxhimin e pandemisë.

Përgjegjësia e shtetit në raport me masat kufizuese nuk është vetëm politike, por edhe ligjore. Veprimet e shtetit në relacion me kufizimet e të drejtave, të qytetareve dhe bizneseve të dëmtuara, themelojnë të drejtat ligjore kundër shtetit te Kosovës.