LAJMI I FUNDIT:

Pandemia e koronavirusit: Të mbrojmë njerëzit se me ekonomi do t’ia dalim mbanë

Pandemia e koronavirusit: Të mbrojmë njerëzit se me ekonomi do t’ia dalim mbanë

Është një pyetje ndaj së cilës nuk ka përgjigje. Unë për vete, të paktën nuk kam përgjigje. Disa besojnë se e dinë se cila është përgjigja. Thelbi rreth të cilit zhvillohet tani debati është: çfarë ka për ne më shumë vlerë? Mbrojtja e shëndetit të individit apo mbrojtja nga një krizë e tmerrshme ekonomike?

Për dekada unë kam shkruar për pasojat ekonomike të krizave të ndryshme. Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, pas falimentimit të Bankës Lehman Brothers, madje kam përjetuar drejtpërdrejt shpërbërjen e një sistemit të tërë, më 1989 në Republikën Demokratike të Gjermanisë. E tani ky virus. I padukshëm. I panjohur ende. Kjo e panjohur është ajo, që e bën atë kaq të rrezikshëm. Ajo që na bën ne të durojmë ndalimin e kontakteve dhe të qarkullimit. Të pranojmë lëshimin e leje-qarkullimeve për arsye profesionale, si dhe reduktimin në minimum të jetës ekonomike dhe publike. Imazhe të fundit të botës nga një apokalips. Në radio nuk ka më lajme për bllokim trafiku në orët e pikut.

Po mësojmë të xhonglojmë tani me shifra edhe më të mëdha se sa në kohët e krizës botërore të financave. Dy bilionë dollarë kushton paketa e ndihmës së SHBA-së, 750 miliardë euro lëvron Banka Qendrore Evropiane, 600 miliardë Qeveria gjermane. Kudo në botë po konceptohen paketa të tilla. E, natyrisht shumë shtrojnë pyetjen: kush do t’i paguajë këto në fakt? Mos vallë sërish do të veprohet si në krizë financiare, si pasojë e së cilës shtetet zhyten deri në fyt në borxhe? Pra, është kursyer kaq shumë – kryesisht në sistemet sociale, shëndetësore, në arsim dhe në investime. Ka studime serioze të mjekëve britanikë, sipas të cilëve si pasojë e krizës financiare mes viteve 2008 dhe 2010 kanë vdekur mbi 500 mijë vetë, më shumë vetëm prej sëmundjeve kancerogjene, sepse për arsye të kursimeve ose nga papunësia (prej nga kanë humbur edhe sigurimin shëndetësor) nuk kanë mundur të marrin trajtimin e duhur mjekësor.

E tani sërish shtrohet çështja: sa të vdekur mund të përballojmë ne? Pyetjen mund ta shtrosh edhe ndryshe: Çfarë ka më shumë vlerë për ne, njerëzit? A guxojmë të bëjmë llogari të tilla sikurse bën Alexander Dibelius (menaxher i Private-Equity, ish-shef i Goldman-Sachs në Gjermani), i cili pyet: Është e drejtë që dhjetë për qind e popullsive të kërcënuara më fort prej koronaviirusit të mbrohet, në këmbim të asaj që pjesa tjetër bashkë me tërësinë e ekonomisë popullore të pengohet në maksimum duke pasur si pasojë të mundshme shkatërrimin afatgjatë të bazës së mirëqenies sonë?

A ka kalkulim më të ftohtë se kaq? A mund të jesh edhe më fort i prirë prej llogarive? E, sa për dijeni, ai është me profesion mjek. Si qëndron puna me betimin e Hipokratit? A duhen imazhe edhe më therëse se ato që po na mbërrijnë nga Italia? Mjekë që ndodhen përpara vendimeve johumane se kë mund të trajtojnë dhe kë duhet ta lenë të vdesë. Sistemet e rrënuara të shëndetësisë – për ta penguar këtë – ky është qëllimi i masave të rrepta Shutdown aktualisht. Sepse, nëse në spitale mbizotërojnë kushte si ato tani në Itali, atëherë do të duhet të vdesin edhe më shumë pacientë që shtrohen p.sh. me infarkt akut kardiak apo hemorragji cerebrale. Për mjekun Dibelius ndoshta ky është dëmi kolateral. E pra, edhe më shumë se një milionë të vdekur në SHBA, sikurse ka përllogaritur Imperial College në Londër? Edhe një pyetje për mjekun profesionist Dibelius: A e keni lexuar çfarë shkruan studenti 20-vjeçar i Mjekësisë në Mulhuzin francez, që u duhet t’i paketojnë të vdekurit në thasë të zinj plastike për transport?

Natyrisht, paralizimi ekonomik është një problem gjigand: si për lokalin tek qoshja e rrugicës së shtëpisë që mezi e nxirrte ditën. Ashtu edhe për regjisoren e pavarur që i ndërpriten për një gjysmë viti të gjitha shfaqjet e planifikuara. Po ashtu edhe për agjencitë e vendeve e të shërbimit të ushqimit. Lista është pafund. Ose edhe për fare të mëdhenjtë: Lufthansa që tani e ka të gjithë flotën e aeroplanëve të parkuar në tokë, sepse askush nuk fluturon më. Volkswagen e ka mbyllur prodhimin, ndërkohë që për këtë verë kishte planifikuar prezantimin e bujshëm të makinës së re elektrike. Asgjë nuk do të bëhet tani. Edhe kjo i bën të qarta përmasat e krizës. Natyrisht, Volkswagen dhe shumë fabrika të tjera janë mbyllur, sepse prioritet ka shëndeti i punëtorëve. Nga ana tjetër, edhe nëse do të prodhohej, xhiroja do të mbetej në vend sepse ndërkohë askush nuk do të blejë makina.

Pra, virusi po bren sistemin tonë, shoqërinë tonë. Po na heq liritë. Po na sjell humbjen e kontrollit. Po trondit besimin tonë që mendojmë se kemi për çdo problem një zgjidhje. Po na sjell recesionin e madh. Po. E, megjithatë, nuk duhet të ndodhë që ne të seleksionojmë. Të izolojmë të moshuarit (meqenëse ra fjala, po vdesin edhe të rinjtë prej virusit), që ekonomia të rritet sërish. Natyrisht shkencëtarët janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre se çfarë dëmi social e ekonomik shkakton çdo masë e marrë tani. Ndaj edhe masat do të rishikohen.

Jo, ne duhet ta përballojmë tani fazën e përkohshme të ndalesës. Ta ruajmë filizin e solidaritetit, që është krijuar prej krizës në mesin e një shoqërie thellësisht egoiste. Ky është mjeti më i mirë në të vërtetë kundër koronavirusit.

Sa i përket ekonomisë, me të sërish do t’ia dalim. Për këtë jam plotësisht i sigurt. /DW/

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori