LAJMI I FUNDIT:

Panairi ‘Prishtina International AutoShow 2019’ u përmbyll me sukses shumë të madh

Panairi ‘Prishtina International AutoShow 2019’ u përmbyll me sukses shumë të madh

Në prani të përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse dhe qytetarëve të pranishëm, mbrëmë përfundoi panairi i dytë i automjeteve të reja “Prishtina International AutoShow”, ku morën pjesë 24 brende të automjeteve me modelet e tyre më të reja.

Panairi i cili u mbajt nga 2 deri me 5 maj, u vizitua nga mbi 25,000 qytetar të moshave të ndryshme të cilët për nga afër u njoftuan me këto brende dhe mundësitë për t’i blerë ato. Në këtë panair kishte vizitorë edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia e veriut, që e bënë këtë eveniment një ngjarje rajonale.


Bujar Hoxha, kryetar i Shoqatës së Importueseve të Autorizuar i Automjeteve të Reja (SHIAR), në përmbyllje të Autoshow tha se, “ky edicion që po e përmbyllim sonte i ka arritur dhe tejkaluar pritjet tona si për nga numri i vizitorëve, po ashtu edhe per nga shitjet e konfirmuara. Qëllimi i këtij panairi ishte njoftimi dhe senzibilizimi i qytetarëve për automjetet e reja dhe mund te themi se edhe në këtë aspekt ka rezultate shumë të mira”.

Ndërsa Zgjim Mita, anëtar i bordit dhe i këshillit punues, u shpreh shumë i kënaqur me mbarëvajtjen.

“Gjithçka shkoi shumë mirë dhe me këtë rast dëshiroj të falënderoj të gjitha palët pjesëmarrëse, si kompanitë importuese të autorizuara të automjeteve; gjithashtu dhe partnerët që na ndihmuan në organizimin e këtij evenimenti. Mirupafshim në edicionin e radhës pas dy vjetësh”, përfundoi Mita.

Ekrem Tahiri, partner menaxhues nga kompania e specializuar për organizim të ngjarjeve MODUS tha se, “i gjithë angazhimi dhe përpjekja jonë u shpagua me sukses shumë të madh të këtij edicioni. Ka qenë sfidë që të tejkalojmë edicionin e kaluar, por mund te themi pa modesti që ishte i një niveli shumë të lartë që tejkalon edhe ato panaire të ngjashme që mbahen në rajon. Ne vazhdimisht bëjmë përpjekje që të krijojmë standarde të reja të organizimit dhe mendoj që me Autoshow është arritur një gjë e tillë”.

Panairi “Prishtina International AutoShow” u mbajt në sallën e Panaireve në Shkabaj, në Prishtinë dhe të pranishëm në këtë panair ishin brendet Alfa Romeo, Audi, BMW, Citroen, Dacia, Fiat, Ford, Hyundai, Jaguar, Jeep, Kia, Lexus, Land Rover, Mercedes, Nissan, Opel, Peugeot, Porsche, Renault, Skoda, Suzuki, Seat, Toyota, dhe Volkswagen.

Ky panair u organizua nga Shoqata e Importuesve të Autorizuar të Automjeteve të Reja (SHIAR) në bashkëpunim me kompaninë e specializuar për organizim të evenimenteve “MODUS”.

Artikull i sponsorizuar