Pamje nga shpëtimi i 11-të emigrantëve që rrezikonin të mbyteshin pranë Sazanit


11 emigrantë nga vende të ndryshme janë shpëtuar sot në orët e mëngjesit si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe koordinimit të shërbimeve të Policisë Kufitare, Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanza (GDF), në ishullin e Sazanit.
Policia e Shtetit përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook ka publikuar edhe pamjet e momentit të shpëtimit.
“Rrezikuan të mbyteshin, pasi lëviznin me një gomone të vogël dhe me sasi të pamjaftueshme karburanti, shërbimet e DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Rojen Bregdetare dhe Guardia di Finanza (GDF), u shkuan në ndihmë 11 emigrantëve nga vende të ndryshme. Të gjithë emigrantët u nxorën në breg, në gjendje të mirë shëndetësore. Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, menjëherë pas marrjes së kërkesës për ndihmë, përmes një telefonate nga një numër grek, rreth orës 07:30 të ditës së sotme, se disa emigrantë rrezikonin të mbyteshin në det, në veri të ishullit të Sazanit, u nisën drejt zonës së sinjalizuar. Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe koordinimit të shërbimeve të Policisë Kufitare, Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanza (GDF), u bë i mundur lokalizimi i gomones në hapësirën detare dhe nxjerrja në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, e 11 emigrantëve nga vende të ndryshme”, ”, thuhet në njoftim.
Tutje siç thuhet në njoftim, nga veprimet e deritanishme hetimore rezulton se mjeti lundrues ishte një gomone me përmasa të vogla (rreth 3 metra me motor 25 KF), me sasi të vogël dhe të pamjaftueshme karburanti në serbator.
“Gjithashtu, nga monitorimi i hapësirës detare me radarë rezulton se gjatë 48 orëve të fundit nuk ka pasur asnjë tentativë të mjeteve lundruese për të lëvizur drejt ujërave ndërkombëtare. Grupi i posaçëm hetimor, i ngritur për këtë rast, vijon punën nën drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin me prova ligjore të këtij rasti”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/



































