LAJMI I FUNDIT:

Pajtimi me serbët, a është i mundur?

Pajtimi me serbët, a është i mundur?
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Pajtimi mes serbëve dhe shqiptarëve nuk është temë që mund të diskutohet lehtë dhe në mënyrë racionale. Kjo për shkak të përvojës jo të mirë historike mes të dy popujve, sidomos gjatë shekullit të kaluar. Aktualisht jemi duke jetuar një periudhë të konfliktit të ngrirë. Por, a mund të mos bëjmë asgjë që ky konflikt të filloj të “shkrihet”?

Nuk jemi ne popujt e vetëm në botë që kemi pasur histori konflikti dhe lufte. Popujt tjerë kanë pasur histori më të rëndë se kjo e jona. Mjafton të përmendim historinë e përgjakshme mes popullit francez dhe atij gjerman. Shembuj të ngjashëm mund të gjejmë sa të duash edhe tek popujt tjerë.


Nuk besoj shumë në teoritë konspirative (ndonëse nuk e përjashtoj ekzistencën e tyre), ku fati i individit dhe popujve të vegjël determinohet nga loja e interesave mes superfuqive të mëdha politike dhe ushtarake. Besoj që e ardhmja e individit, por edhe e popujve të vegjël, në një masë të madhe determinohet nga vizioni dhe përkushtimi i popujve për ta ndërtuar atë vizion. Në këtë kontekst, së paku deklarativisht, të dy popujt kanë synim anëtarësimin në familjen evropiane.

Sa po bëjmë që në një të ardhme të afërt të bëhemi pjesë e kësaj familje?

Shumë pak, për të mos thënë asgjë. Të mbërthyer shumë fortë nga ethet e nacionalizmit arkaik, shanset që një ditë edhe ne t’i bashkohemi kësaj familje janë të vakëta. Jemi bërë pengje të njëri-tjetrit, sepse vazhdojmë të vrasim të ardhmen e përbashkët në Evropë. Politikanët popullistë janë duke e shfrytëzuar në mënyrë shembullore këtë nacionalizëm, por jo vetëm ata. Ndaj, është për të ardhur keq mungesa e reagimit të elitës intelektuale karshi gjithë kësaj situate. Duket se kjo elitë (e kam fjalën për intelektualët me formim dhe qëndrim evropian) ka dështuar që ta luftojë këtë çmenduri nacionaliste. Qytetarëve të vet nuk u kanë ofruar alternativa ndryshe, të bazuara në humanizëm dhe vlera evropiane.

Fatkeqësisht, jeta publike dhe mediale tek të dy popujt ende mbizotërohet nga raca që vlerë e konsideron shovinizmin. Sigurisht, jo të gjithë janë të këtillë. Por, zëri i intelektualit me formim humanist dhe evropian ka qenë shumë i zbehur në krahasim më propagandën shoviniste. Ajnshtajni thoshte se “bota është vend i rrezikshëm, jo për shkak të atyre që bëjnë gjëra të pështira, por për shkak të atyre që janë dëshmitarë të këtyre gjërave, që kanë në dorë të bëjnë diçka për parandalimin e tyre po që nuk bëjnë asgjë”.

Është më lehtë që si intelektualë të dalldisemi dhe të gjejmë strehë brenda kulisave nacionaliste. Por, çështja është si të gjejmë forma dhe mjete në mënyrë që bashkë, në emër të një kauze të përbashkët humane, popujve tanë t’u ofrojmë një vizion të ri që do të na lironte njëherë e përgjithmonë nga kjo sëmundje e rëndë.

Nuk kam iluzionin se kjo kategori e intelektualëve kanë forcë për të ofruar ilaçin e vetëm për trajtimin e kësaj sëmundje. Por, edhe heshtja e tyre nuk mund të justifikohet. Ata munden dhe duhet të gjejnë forma për të ngritur zërin për shumë çështje.

Si përfundim, ne nuk mund ta ndryshojmë historinë. Por, ajo që intelektualët mund dhe duhet ta bëjnë është të japin kontributin e tyre në ndërtimin e një të ardhme ndryshe nga ajo që kemi pasur. Është e domosdoshme të kuptojmë se përpjekja për të ndërtuar dhe pasur marrëdhënie të mira mes dy popujve nuk është tradhti, por vlerë. Është koha të heqim dorë nga stereotipi i patriotit ballkanik. Patriot i vërtet shqiptar apo serb duhet konsideruar atë intelektual, politikan apo gazetar që përpiqet të ndryshojë këtë klimë armiqësore mes dy popujve. Duhet kuptuar që atë që e duam për veten tonë, duhet njohur edhe fqinjit. Sa më herët që fillojmë ta kuptojmë këtë, aq më të bazuar do ta kemi shpresën që një ditë të bëhemi pjesë e civilizimit perëndimor – jo vetëm gjeografikisht, por edhe me kulturë, me vlera.